Organizata “Trashëgimi Kulturore pa Kufij” denoncoi shkatërrimin e një monumenti të mbrojtur kulture në Gjirokastër. Në një postim në facebook, organizata e trashëgimisë kulturore shkruan:
Gjirokastra: Banesa Taho, monument i kategorisë se II-të nuk është më.
Duhet një kohë e gjatë, si dhe shumë mjeshtëri dhe mendime mbi atë se si të ruhet dhe restaurohet një objekt!
Duhen vetëm pak orë ama për të shkatërruar 100 vjet histori!
Përveç Banesës Taho, ka dhe shumë monumente të tjera që kanë humbur plotësisht ose që janë transformuar totalisht, si ish-banesa Xhuvi Ropi (ish Fico).
Kur restauron, angazhon një mjeshtër, ruan një traditë ose një ndërtesë, ruan vlerat dhe trashëgiminë!
Kur shkatërron, shuan një ndërtesë tradicionale, shkatërron trashëgiminë në atë pikë sa askush nuk do dijë më se si ka qenë!
I bëjmë thirrje Ministrisë së Kulturës, Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Bashkisë Gjirokastër, të ndalojnë këtë çmenduri dhe krim ndaj trashëgimisë sonë kulturore, sepse përndryshe shumë shpejt do të mbetemi pa Gjirokastër?!
Qendra historike e Gjirokastrës është e mbrojtur nga UNESCO dhe asnjë prej monumenteve të kategorisë së dytë dhe të parë nuk duhet të prishen. Një raport i mëparshëm i kësaj organizate vuri re se 35 monumente janë kthyer në rrënoja, 357 monumente kanë pasur ndërhyrje të paligjshme, ndërsa 170 monumente kanë humbur karakterin e tyre monumental dhe 122 të tjera janë ndryshuar tërësisht.
Qeveria shqiptare ka ndërmarrë në mënyrë të vazhdueshme projekte që e kanë prishur qendrën historike të Gjirokastrës. Në 2015, qeveria Rama hapi tenderin për ndërtimin e Unazës, e cila prekte zonën e mbrojtur. Ndërkohë, ndërtesat historike gjenden vazhdimisht nën kërcënimin e zjarrit, ndërsa rrugët e ngushta shpesh pengojnë zjarrfikësit të vijnë në kohë.