Tre raportime për aplikacionin “Tirana Ime”

Nga Rigels Xhemollari
Tre raportime për aplikacionin “Tirana Ime”

Përdorimi i teknologjisë së informacionit në ofrimin e shërbimeve publike është jo vetëm domosdoshmëri por edhe ndihmë ndaj qytetarëve në një bashki me sipërfaqe të madhe gjeografike si Tirana. Detyra jonë si qytetarë është të përmirësojmë punën e institucioneve duke mbikqyrur dhe evidentuar problematikat dhe mangësitë në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarit.

Rasti i aplikacionit të ndërtuar nga bashkia Tiranë për të raportuar problematikat e qytetit është një histori që ka angazhuar disa të rinj, të mbështetur nga gjeneruesi i demokracisë vendore, Lëviz Albania, për ta monitoruar dhe testuar punën e aplikacionit “Tirana Ime”.
Pavarësisht se Bashkia Tiranë pretendon se aplikacioni është një histori suksesi sa i takon shërbimeve të ofruara ndaj qytetarëve, duhet ti hedhim një sy defekteve që ka evidentuar skuadra monitoruese për një periudhë 6-mujore për të kuptuar edhe rëndësinë që ka aktivizmi qytetar në nxitjen e llogaridhënies ndaj publikut.
Së pari kur një qytetar raporton në aplikacionin “Tirana Ime”, nuk e di kur do t’i kthehet një përgjigje për të klasifikuar apo trajtuar problemin e tij, pasi bashkia Tiranë nuk ka vendosur një afat limit për kthimin e përgjigjeve për problemet e raportuar. Kjo mangësi ul besueshmërinë publike të mekanizmit të raportimit dhe bie në kontradiktë më frymën e ligjit për të drejtën e informimit i cili parashikon një afat maksimal 10-ditor për kthimin e përgjigjes dhe një ditor për marrjen e njoftimit.

Së dyti gama e kategorive që aplikacioni të jep mundësi për të raportuar nuk i përgjigjet as kompetencave të plota të bashkisë dhe as shumllojshmërisë së problematikave që ka kryeqyteti si ndriçimi, pastrimi, shkollat, kafshët endacake apo problemet që lidhen me transportin urban. Prandaj një nga rekomandiemt kryesore të grupit të monitorimit është një opsion shtesë për të rritur numrin e kategorive sipas problemeve dhe kompetencave të bashkisë, të cilat mund të gjenden të gatshme edhe në raportin që grupi i monitorimit i ka dorëzuar në zyrë titullarëve të institucionit.

Së treti në renditje por jo nga rëndësia, problemet teknike që ka shfaqur aplikacioni “Tirana Ime” gjatë periudhës së monitorimit lënë për të dëshiruar. Kur raportohet një problematikë duke përcaktuar vendndodhjen, nuk shfaqen kordinatat, fakt që i vështirëson bashkisë identifikimin e zonës së riskut. Në një qytet të madh të mbushur me probleme, aplikacioni nuk të jep mundësinë për të raportuar dy herë brenda ditës probleme të ndryshme. Gjithashtu, ai shfaq probleme teknike në ngarkimin e imazhit, fakt që sjell një dështim të raportimeve nga qytetarët.
Nga monitorimi i skuadrës së drejtuar nga zonjës Rudina Mahilaj kuptohet se kemi të bëjmë me një aplikacion “memec”, i cili nuk të jep mundësinë për t’iu përgjigjur mbrapsht bashkisë në mënyrë që problemi dhe zgjidhja e tij të jetë sa më transparente. Si dhe nuk përditëson ecurinë e statusit të problemeve të ngritura kur ato ndryshojnë status, për shembull nga probleme në trajtim në probleme të zgjidhura.

Kjo mungesë komunikimi mes qytetarëve dhe bashkisë ul nivelin e besueshmërisë dhe transparencës së ofrimit të këtij shërbimi nga bashkia Tiranë.
Zgjodha të merrem vetëm me çështjet teknike, pasi në mënyrë racionale dhe metodike monitorimi tregon numër te ulët të problemeve të zgjidhura nëpërmjet aplikacionit në krahasim me shifrat e raportuara nga njoftimet e bashkisë.

Megjithëse në mënyrë direkte bashkia nuk e ka marrë aq seriozisht raportin e monitorimit të dorëzuar në bashki. Por presioni i rasteve të raportuara nga monitoruesit dhe mbikqyrja 6-mujore e punës së aplikacionit ka bërë që nisma qytetare të permbushë një pjesë të misionit të saj duke e detryuar bashkinë të përmirësojë disa tregues të tillë si koha e përgjigjes dhe përqindja e problemeve sipas rasteve.
Por që bashkia Tiranë të ofrojë përpara qytetarëve një shërbim të denjë sipas standarteve të bashkive evropiane, duhet të reflektojë për të pranuar sugjerimet dhe rekomandimet e shoqërisë civile. Ajo nuk duhet të veprojë me dyer dhe dritare të mbyllura e shkëputur nga shqetësimet që përballen çdo ditë qytetarët. Rritja e presioni qytetar nëpërmjet monitorimit dhe testimit të shërbimeve të qeverisjes lokale nxit demokracinë funksionale në nivel vendor dhe na ofron modelin e bashkive të hapura.

Publikuar në Platformën për Monitorim dhe Vlerësim të politikat publike, A.P.P.A

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>