Trump konfirmon ekzekutimin e liderit të ISIS: Vdiq i frikësuar prej forcave tona

Trump konfirmon ekzekutimin e liderit të ISIS: Vdiq i frikësuar prej forcave tona

Presidenti Amerikan Donald Trump konfirmoi sot vrasjen e udhëheqësit të Shtetit Islamik (ISIS), Abu Bakr al-Baghdadi.

Në një konferencë për shtyp Presidenti i SHBA-ve tha se al-Baghdadi u vra pas një operacioni të ushtrisë amerikane në Sirinë veriperëndimore.

Lajmi qe raportuar më parë nga agjencitë ndërkombëtare, por ishte i pakonfirmuar zyrtarisht.

Presidenti Trump tha se al-Baghdadi “u vra si qen, si burracak, në një tunel pa dalje, duke bërtitur, qarë dhe ulëritur gjatë gjithë rrugës”:

Mbrëmë (nata e së shtunës) Shtetet e Bashkuara vendosën drejtësi me terroristin numër një të botës. Abu Bakr al-Baghdadi vdiq. Krimineli që u përpoq aq shumë të tmerrorizonte të tjerët, i kaloi momentet e tij të fundit i mbërthyer nga frika e forcave amerikane që po i afroheshin.

Zoti Trump konfirmoi se nuk kishte pasur viktima mes ushtarëve amerikanë. Vrasja e al-Baghdadit është sukses i madh për të. Ditë më parë Presidenti amerikan u kritikua jashtëzakonisht për vendimin që mori duke i lënë vend ofensivës turke kundër kurdëve. Trump falenderoi Sirinë, Irakun, Turqinë, Rusinë dhe forcat kurde, që sipas tij ndihmuan duke mbështetur operacionin.

Al-Baghdadi qe bërë i njohur në 2014 kur shpalli krijimin e kalifatit në zonat e Irakut dhe Levantit (Sirisë). I ashtuquajturi Shtet Islamik (ISIS) mori përsipër dhjetëra atentate terroriste anë e mbanë botës duke i shpallur luftë SHBA-ve dhe vendeve perëndimore.

Sulme të vazhdueshme me autorësi të marra përsipër janë organizuar në Irak, Siri, Egjipt, Arabi Saudite, Jemen, Nigeri, Afganistan, Indonezi, Tunizi, Libi, Danimarkë, Turqi, Australi, Kanada, Shtetet e Bashkuara, Belgjikë, apo dhe Francë.

Franca ishte ndër më të goditurat nga ISIS në Evropë, ku rasti i masakrës në redaksinë e revistës satirike Charlie Hebdo, që la 12 të vdekur, apo masakra në Nice e korrikut 2016 që la 86 viktima, goditën rëndë opinionin publik.

Grupi xhihadist e kishte zanafillën nga Al-Qaeda e Osama Bin Laden. Nën drejtimin e al-Baghdadit u nda dhe nisi një luftë me ndikim të jashtëzakonshëm në periudhën 20132015, pasi zuri nën kontroll territore të tëra mes Sirisë dhe Irakut me një popullësi rreth 8 milionë banorë.

Për kapjen e 48-vjecarit iraken, SHBA-të kishin vënë si shpërblim një shumë prej 25 milionë dollarësh. Ai kishte kohë që kishte kufizuar daljet publike duke i shpërndarë urdhërat kryesisht me mesazhe audio. Urdhri i fundit për ndjekësit e ISIS-it, qe dhënë muajin e shkuar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>