Trump njofton paditë kundër Facebook, Twitter dhe Google

Nga Exit News
Trump njofton paditë kundër Facebook, Twitter dhe Google

Ish-presidenti i SHBA, Donald Trump njoftoi të mërkurën se do të padisë gjigantët e teknologjisë Google, Twitter dhe Facebook, duke pretenduar se ai është viktimë e censurës.

Në një konferencë shtypi Trump sulmoi kompanitë e mediave sociale dhe Demokratët, të cilët i akuzoi si mbështetës të lajmeve të rreme.

“Ne po kërkojmë t’i jepet fund pezullimit, censurimit dhe futjes në lista të zeza, dëbimit dhe anulimit”, tha ai.

Trump shtoi se nëse kompanitë e teknologjisë mund të ndalojnë një president, “ata mund t’ia bëjnë këtë kujtdo”.

Trump ka paditur gjithashtu edhe Drejtorët Ekzekutivë të Google, Twitter dhe Facebook.

Paditë u paraqitën në Gjykatën e distriktit jugor të Floridës.

Trump u pezullua nga Twitter dhe Facebook pasi ndjekësit e tij sulmuan ndërtesën e Kapitolit më 6 janar. Kompanitë justifikuan vendimet e tyre me shqetësimet se ai mund të nxisë dhunë të mëtejshme. Facebook ka vendosur të pezullojë llogarinë e ish-presidentit të SHBA, Donald Trump për dy vjet në fund të të cilave do të rilverësojë masën kundër tij ndërsa Twitter e ka pezulluar atë përgjithmonë.

Sidoqoftë, Trump ka vazhduar të pretendojë se zgjedhjet presidenciale të 2020 u manipuluan dhe se ai i fitoi ato.

Sipas Aktit të 1996 për Mirësjelljen e Komunikimeve në SHBA, kompanitë e internetit zakonisht përjashtohen nga përgjegjësia për materialin që postojnë përdoruesit. Ligji gjithashtu lejon platformat e mediave sociale të ndërhyjnë duke hequr postime që shkelin standardet e shërbimeve të tyre.

Por Trump dhe politikanë të tjerë kanë argumentuar prej kohësh që Twitter, Facebook dhe platforma të tjera të mediave sociale kanë abuzuar me mbrojtjen që i jep ligji dhe se duhet të humbin imunitetin e tyre ose të paktën duhet ta fitojnë atë duke përmbushur kërkesat e vendosura nga qeveria.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>