Trump pretendon se i dha fund një lufte 400-vjeçare Kosovë-Serbi

Nga Die Morina
Trump pretendon se i dha fund një lufte 400-vjeçare Kosovë-Serbi

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ai i ka dhënë fund një lufte 400-vjeçare midis Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë një takimi fushate në Nebraska, të mërkurën, Trump tha se dy muaj më parë të dy palët ishin në zyrën e tij duke përqafuar dhe puthur njëri-tjetrin.

“Për Kosovën dhe Serbinë – ne po bëjmë marrëveshje tregtare […] Për shumë dekada ata vrasin dhe luftojnë me njëri-tjetrin gjatë gjithë kohës. Unë u thashë atyre se ne nuk do të bëjmë ndonjë biznes me ta nëse nuk bëjmë një marrëveshje kur ata ndalojnë së vrari njëri-tjetrin,” u shpreh Trump.

“Dhe e dini çfarë? U deshën rreth 20 minuta, ata kanë luftuar për 40 vjet, mendoj se kanë luftuar për 400 vjet […] krejt papritur dy muaj më parë ata ishin në Zyrën Ovale, dhe të dy kryeministrat përqafohen dhe puthen ”, shtoi Trump.

Lufta midis Kosovës dhe Serbisë përfundoi në qershor 1999 pasi NATO ndërhyri kundër forcave ushtarake serbe, pas përpjekjeve të dështuara për zgjidhje diplomatike.

Marrëveshja e nënshkruar në dokumente të ndara midis Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë u bë në 4 shtator 2020, 21 vjet pas përfundimit të luftës.

Gjithashtu, marrëveshja nuk u nënshkrua nga dy kryeministra siç shprehet Trump, por nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kjo nuk është hera e parë që Trump pretendon se ndaloi luftën midis dy vendeve të Ballkanit.

20 shtator, gjatë një takimi fushate në Karolinën e Veriut ai deklaroi se përmes marrëveshjes që ndërmjetësoi, ai ndaloi “vrasjet masive”.

Ai e përsëriti të njëjtën deklaratë më 24 tetor.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>