Trupi gjykues i KPK që konfirmoi në detyrë prokuroren Elizabeta Imeraj pretendon se vëzhguesi ndërkombëtar i ONM-së, Theo Jacobs ka bërë presion ndaj tyre për ndryshuar vendimin.
Në një letër drejtuar kryetares se KPK-së, Pamela Qirko, tre gjyqtarët Olsi Komici, Roland Ilir dhe Suela Zhegu shkruajnë se vëzhguesi i ONM-së është përpjekur të influencojë vendimin e tyre për të shkarkuar nga detyra prokuroren Imeraj.
Imeraj u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 1 prill 2021. Por vendimi i KPK-së u kundërshtua nga ONM, e cila e apeloi vendimin tek Komisioneri Publik.
Tre gjyqtarët thonë se janë ofenduar nga sjellja jo profesionale, fyese dhe paragjykuese e Jacobs dhe e akuzojnë atë se ka tejkaluar kompetencat.
“Duam të besojmë se ky është një rast i izoluar dhe në asnjë mënyrë një tendencë për intimidim trupi për shkaqe të panjohura. Shprehim besimin e plotë qe raste të tilla që demtojnë procesin e rivlerësimit si dhe bashkëpunimin me ONM të mos përsëriten më”, thuhet në deklaratë.
Elizabeta Imeraj drejton aktualisht Prokurorinë e Tiranës. Ajo pritet të hetohet tashmë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit i cili do të marrë vendimin përfundimtar nësë do të qëndrojë ose jo në detyrë.