Sezoni pranveror i turizmit në Shqipëri pothuajse është djegur ndësa sezoni veror është në rrezik duke thelluar kështu krizën e sektorit të turizmit, sektori që është prekur më rëndë nga pandemia.
Në emisionin “Me Pak Fjalë” u fol për turizmin shqiptar dhe gjendjen e tij rreth një vit nga kriza e pandemisë.
Në vitin 2020, në Shqipëri kanë hyrë rreth 3.8 milionë njerëz më pak se një vit më parë ose 58.5%.
Rënia është pothuajse e njejtë edhe për hyrjen e shtetasve shqiptarë.
Kriza e pandemisë dhe kufzimi i lëvizjes goditi menjëherë sektorin e turizmit.
“Ky sektor ka humbur pothuajse 60-70% të punonjësve”, tha Besnik Vathi, kryetari i Shoqatës së Tur-Operatorëve shqiptarë.
Sipas tij kriza e pandemisë ka mbyllur ose pezulluar përkohësisht rreth 70% të bizneseve që janë të lidhur me turizmin.
“Llogaritet rreth 10% xhiro gjatë vitit 2020 në raport me vitin 2019”, deklaroi Vathi.
Sa i përket ndihmës së qeverisë, ajo ishte e pamjaftueshme sipas kreut të shoqatës së turizmit pasi “nuk përfituan të gjithë nga paga e luftës” ndërsa “nga garancia sovrane nuk përfitoi asnjë pasi bankat e klasifikuan sektorin e turizmit me risk”.
Në fakt, sektori i turizmit ka përfituar nga masat e qeverisë në paketën e dytë financiare ku janë mbështetur vetëm me një pagë 40 mijë lekshe punonjësit e këtij sektori.
Qeveria tha se ajo vuri në dispozicion një kredi sovrane për bizneset por iu a la në dorë bankave të përcaktonin se kujt do t’iu a jepnin atë në bazë të riskut që ato vlerësonin.
Vathi theksoi se “vera e këtij viti do të jetë si situata e vitit të kaluar”. Ai nënvozi mungesën e rezervimeve, mbylljen e udhëtimit në vende që gjenerojnë turistë dhe ecurinë e vaksinimit në Shqipëri si arsye kryesore që e bëjnë kritike situatën për bizneset që operëojnë në fushën e turizmit.
Turizmi kontribuon me 1.12 miliardë dollarë në vit direkt në GDP e vendit, rreth 8.5%. Ndërsa ndikimi indirekt në prodhimin e vendit është sa 25% e GDP-së, 3.47 mld dollarë.
Indirekt prej sektorit të turizmit varen 290 mijë të punësuar, rreth 25% të të gjithë të punësuarve në vend.