‘Turp’, ‘diktaturë’: Në orën 4 të mëngjesit, një godinë e famshme u rrafshua për t’i liruar vendin arkitektit “yll” danez

Ky shkrim i botuar në gazetën më të madhe daneze Politiken, me autor Johann Thor Haar Hansen, ka pasur si burim kryesor Exit News. Përkthyer nga Patris Pustina.

Nga Politiken — Danimarkē
‘Turp’, ‘diktaturë’: Në orën 4 të mëngjesit, një godinë e famshme u rrafshua për t’i liruar vendin arkitektit “yll” danez

Një teatër historik i denjë për tu ruajtur është shkatërruar. Protestat masive dhe dhuna policore vijuan. Një proces jotransparent vendimmarrje dhe akuza korrupsioni. Projekti i Bjarke Ingels për një teatër të ri kombëtar në Shqipëri është kundërshtuar që kur doli nga tryeza e planifikimit, por arkitekti i famshëm danez dhe partnerët e tij kanë qenë – dhe mbeten – të heshtur mbi këtë çështje.

Në zemrën e kryeqytetit Shqiptar, Tiranës, pranë sheshit Skënderbej gjendet Teatri Kombëtar i vendit. Një teatër i stilit modernist Art Deco, i ndërtuar nga Italianët në 1939, kur kryeqyteti ishte i pushtuar nga fashistët, dhe i konsideruar nga shumë shqiptarë dhe një sërë organizatash ruajtjeje si një monument historiko-kulturor jo vetëm i Shqipërisë, por i Europës në tërësi.
Apo më saktë, ishte.

Çështjet problematike për BIG

— Takimi me Jair Bolsonaron.

Bjarke Ingels takoi presidentin Brazilian Jair Bolsonaro në lidhje me një udhëtim kërkimor në Brazilin e veriut. Kjo solli kritika nga kolegët e tij arkitektë dhe të tjerë që besonin se takimi nënkuptonte miratimin indirekt të pikëpamjeve kontroversiale të Bolsonaros kundrejt personave LGBT dhe popullsisë indigjene të Brazilit. Këtyre akuzave Bjarke Ingels iu përgjigj duke thënë se ai është “arkitekt, jo politikan.”

— “Meka” e re e zbavitjes në Arabinë Saudite

BIG ka projektuar mega projektin e Arabisë Saudite Qiddiya – një qytezë resort jashtë kryeqytetit Riad. Pas vrasjes makabre të gazetarit Jamal Khashoggi në konsullatën e Arabisë Saudite në Turqi, një sërë studiosh të mëdha i anulluan projektet e planifikuara në Arabinë Saudite. Bjarke Ingels mori në konsideratë të bënte një gjë të ngjashme, por në fund zgjodhi të vazhdonte me projektin e tij.

—Kinemaja ‘Palads’ në Kopenhagen

Tre vite më parë, Bjarke Ingels e përshkroi prishjen e mundshme të kinemasë Palads si “një krim kundër historisë arkitekturore të Kopenhagenit.” Por, sot, BIG ka projektuar një version të ri të kinemasë së famshme, dhe me sa duket Bjarke Ingels ka hequr dorë nga kundërshitimi i tij ndaj prishjes së godinës me dekorin shumëngjyrësh të Poul Gernes.

Faktet

Në orën 4 të mëngjesit të 17 Majit, ndërsa Shqipëria ishte nën karantinë si pasojë e koronavirusit, punëtorë bashkie ndezën ekskavatorët dhe filluan prishjen e godinës historike, ndërsa policia largonte me dhunë protestuesit që kishin zënë teatrin në shenjë proteste.

Ndërsa Teatri Kombëtar bashkë me kostumet, veprat e artit, dhe objektet brenda tij shndërroheshin në rrënoja, protestuesit bërtisnin “Turp” dhe “Diktaturë” ndaj punëtorëve.

Pas shkatërrimit të kryer nga ekskavatorët, hapësira boshe u bë qendër përplasjesh të dhunshme mes policisë, protestuesve, dhe politikanëve të opozitës. Të paktën 37 persona u arrestuan, duke përfshirë dhe gruan e presidentit shqiptar Ilir Meta.

Në mes të gjithë kësaj qëndron Danezi Bjarke Ingels dhe firma e tij arkitekturore BIG. BIG ka projektuar teatrin e ri në formë fluture.

Çmimi: 30 milionë euro. Disa kritikë besojnë se prishja e teatrit është pasojë e dëshirës së qeverisë për një ndërtim prestigjoz nga arkitekti i famshëm danez, dhe që edhe Bjarke Ingels mban përgjegjësi për të.

Kjo nuk është hera e parë që Bjarke Ingels ka bashkëpunuar me krerë shteti që shihen si problematikë. Ai është pas masterplanit të një resorti në Arabinë Saudite. Gjithashtu, në Shkurt, Ingels tërhoqi kritika të shumta nga mediat ndërkombëtare pas takimit të tij me presidentin kontrovers Brazilian Jair Bolosonaro. Takimi ndodhi gjatë një udhëtimi kërkimor të Ingels në veriun e Brazilit ku ai i prezantoi presidentit idetë e tij mbi turizmin i qëndrueshëm dhe u fotografua me të.

Mijëra kundërshtarë të prishjes së teatrit kanë protestuar në Tiranë ndaj asaj që qeveria dhe Bashkia e qytetit quajnë “rilindje urbane,” por që për qytetarët mban erë korrupsion, hile, dhe përpjekje për të shkatërruar të kaluarën dhe trashëgimin kulturore të vendit.

“Kjo nuk ka të bëjë më me prishjen e teatrit, por me shkatërrimin e demokracisë dhe lirisë në Shqipëri. Ne po jetojmë në një diktaturë,” tha një protestues anonim për agjencinë e lajmeve Reuters. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është gjithashtu në anën e protestuesve në këtë çështje.

“Në errësirën e natës, mafia urdhëroi shkatërrimin e një prej monumenteve historike kulturore më të rrezikuara të Evropës, por edhe edhe të çdo iluzioni për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri”, shkruajti Presidenti Ilir Meta të nesërmen në një video postim në Facebook duke treguar ekskavatorët që shkatërrojnë fasadën e ndërtesës së vjetër.

Një ditë pas prishjes, kryeministri Edi Rama ndau imazhe nga teatri kombëtar i Bjarke Ingels dhe i quajti protestuesit “ngatërrestarë profesionistë”.

“Dua gjithashtu t’ju siguroj se Teatri i ri Kombëtar do të ketë nesër pëlqimin e të gjithëve, qoftë të të shumtëve që kërkojnë sot dhe qoftë të të paktëve që sot nuk shohin më larg se dje”, ka shkruar Edi Rama.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, lëvdoi teatrin e BIG në vitin 2018 gjatë prezantimit të planeve të ndërtimit:

“Teatri i ri i projektuar nga BIG do të kthehet në xhevahirin e këtyre transformimeve në zemër të kryeqytetit. “Flutura” do të bashkojë artistët, ëndërrimtarët, talentet.”

Por, deri më tani, projekti i BIG nuk i ka bashkuar shqiptarët. Përkundrazi, ai ka ngjallur përçarje të mëtejshme politike, dhe fillimin e një lëvizjeje aktiviste kundër korrupsionit që pretendohet të ndodhë në mes të pushtetarëve shqipëtarë.

Bjarke Ingels dhe BIG nuk kanë dashur të intervistohen. Pas një numri pyetjesh të dërguara nga Politiken brenda një jave, menaxheri tregtar i kompanisë, Dan Bjerg Jensen, i dërgoi një koment me email në emër të BIG:

“Gjithmonë ka ndjenja dhe qëndrime të forta që lidhen me një ndërtese, por, si arkitektë ne nuk ndërhyjmë në axhendat politike lokale, as nuk mund të komentojmë mbi procese për të cilat ne nuk jemi përgjegjës ose kemi ndikuar”, shkruan Dan Bjerg Jensen.

Një humbje e madhe e historisë kulturore

Planet për të zëvendësuar teatrin e vjetër kombëtar me të riun e Bjarke Ingels, kanë nxitur organizata ruajtje si Europa Nostra dhe Docomomo të ngrenë zërin.

Europa Nostra e kategorizoi Teatrin si një nga shtatë ndërtesat historike më të rrezikuara në Evropë dhe ofroi të ndihmojë në mbledhjen e fondeve për të restauruar ndërtesën në vend të shembjes. Europa Nostra e përshkruan ndërtesën si një “shembull unik i arkitekturës moderne italiane”.

“Tani jemi duke vlerësuar humbjen historike, arkitektonike dhe kulturore” – tha Ana Tostões, zëdhënëse e Docomomo International

Teatri i vjetër kombëtar ishte ndërtuar pjesërisht me materialin populit. Një përzierje unike e çimentos, fibrave të drurit dhe algave me të cilën eksperimentuan italianët në vitet 1930. Gjatë okupimit, Populit mund të prodhohej si panele në Itali dhe të dërgohej në Tiranë për të ulur çmimin dhe për të lehtësuar ndërtimin e shumë ndërtesave të italianëve në Tiranë.

“Ishte me shumë trishtim që dëgjuam që teatri kombëtar në Tiranë ishte rrënuar. Aktualisht jemi duke vlerësuar humbjen historike, arkitektonike dhe kulturore, “shkruan dokomomo International Ana Tostões në një email për Politiken.

Shikuar përmes spektakleve historike dhe politike, teatri i vjetër kombëtar ka patur një rëndësi të veçantë edhe për shqiptarët. Kjo është ajo ku janë zhvilluar proceset gjyqësore të para në periudhën komuniste pas Luftës së Dytë Botërore, ku kundërshtarët politikë u dënuan me vdekje ose u dërguan në kampe pune.

Në vitin 1990, hapësira përreth teatrit ishte gjithashtu një vend grumbullimi për revoltat studentore të Tiranës, të cilat ishin nga shkaqet fillestare të rënies së komunizmit në Shqipëri, një vit më pas. Dhe teatri ishte, deri në fund, një pikë tubimi për kundërshtarët e qeverisë dhe grupet aktiviste.

Europa Nostra ka dënuar me forcë prishjen e ndërtesës, një vendim të cilin organizata akuzon bashkinë se ka bërë pas dyerve të mbyllura pa dëgjuar popullin, dhe që qëllimisht u ekzekutua në mes të natës, në ditën e fundit të karantinës së koronavirusit në Shqipëri.

“17 Maji shënoi një ditë të trishtueshme për trashëgiminë kulturore, demokracinë dhe respektin për të drejtat e njeriut në Shqipëri dhe Evropë”, shkruan Europa Nostra në faqen e saj online.

Procesi jotransparent

Populli i Shqipërisë nuk është i zemëruar vetëm për humbjen e një pjese të trashëgimisë kulturore. Shumë  kritikojnë mungesën e transparencës së projektit, dhe veçanërisht gadishmërinë e qeverisë për t’i dorëzuar një pronë të madhe publike një ndërtuesi të pasur. Gjithashtu, mbetet ende e paqartë nëse projekti i Bjarke Ingels ka kaluar një proces tenderi.

Partia Demokratike (PD), partia më e madhe e opozitës në Shqipëri, akuzoi BIG për tre shkelje tetorin e kaluar. Korrupsion pasiv në sektorin privat, bashkëpunimi në ndërtime pa leje, dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm mbi zyrtarë shteti.

“Qartazi, Bjarke Ingels ka qenë në dijeni se kjo ishte një ofertë e parregullt dhe ka pranuar me dashje ta zbatojë,” tha Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.

Megjithatë, një muaj më vonë prokuroria shqiptare hodhi poshtë akuzat me arsyetimin se nuk kishte prova të mjaftueshme për të ngritur një padi kundër Bjarke Ingels.

Sipas raportit të fundit të organizatës Transparency International mbi korrupsionin këtë vit, Shqipëria është vendi i tretë më i korruptuar në Europë. Sipas organizatës, shkalla e korrupsionit është rritur në pesë vitet e fundit.

Një nga zërat më kritikë është Vincent van Gerven Oei, gazetar i medias së pavarur shqiptare në gjuhën angleze Exit News. Ai dhe pesë kolegët e tij kanë mbuluar për disa vite Teatrin Kombëtar.

Vincent van Gerven Oei është përpjekur më kot të marrë BIG të flasë për procesin e vendimmarrjes që qëndron pas projektit. U komunikua nga BIG dhe nga qeveria që BIG kishte fituar një konkurs arkitektonik.

Por ka qenë e pamundur që Exit News ose media të tjera shqiptare të marrin informacion për konkursin, kush tjetër ishte pjesëmarrës dhe kush u ul në juri.

Kur Vincent van Gerven Oei i dërgoi pyetje BIG, zyra iu referua Këshillit Bashkiak të Tiranës me një shënim se BIG kishte nënshkruar një deklaratë konfidencialiteti për bashkinë.

Kjo ishte e çuditshme sepse këshilli bashkiak nuk kishte kompetencë pasi toka ishte në pronësi të qeverisë. Dhe në faqen e saj të internetit, BIG shkruajti se klienti për projektin e teatrit të ri ishte kompania private e ndërtimit Fusha shpk.

“Për mua, dukej sikur nuk kishte ndarje të qarta midis një kompanie private që propozonte një ndërtesë dhe një buxhetit të shtetit”, thotë Vincent van Gervein Oei.

Në raportin vjetor të fundit të BIG për Kompleksin Global të Kombeve të Bashkuara, i cili përfshin një numër udhëzimesh etike dhe shoqërore të përgjegjshme që bizneset mund të nënshkruajnë, BIG shprehet se kompania “vlerëson transparencën” dhe mban një politikë “tolerancë zero kundër korrupsionit në të gjitha format e saj”.

“Kur zgjedhim projekte, ne sigurojmë që partnerët dhe klientët tanë të mos jenë të përfshirë në aktivitete antikorrupsion,” raporti, i cili gjithashtu përshkruan udhëzimet e BIG-së për Qëndrueshmërinë, Mjedisi i Punës, Të Drejtat e Njeriut dhe Mjedisi.

Këto janë fraza të ngjashme që Bjarke Ingels ka mbrojtur në media në çështjet që lidhen me bashkëpunimin e BIG me drejtuesit e shtetit në vende të tilla si Brazili, Dubai dhe Arabia Saudite. Por në rastin e Teatrit Kombëtar, në Shqipëri BIG nuk ka shkuar asnjë fjalë, vetëm heshtje.

Siç u përmend, për një javë, përfaqësues tę politikës u përpoqën pa sukses për të marrë nga Bjarke Ingels dhe partnerët e përfshirë në projekt në deklaratë dhe në vend të kësaj mori një koment me shkrim nga menaxheri tregtar i kompanisë, Dan Bjerg Jensen.

Dan Bjerg Hansen thekson në një mesazh të dërguar me postë elektronike në gazetën Politiken që BIG në asnjë rast nuk do të marrë pjesë në korrupsion, dhe se BIG vlerëson projektet individuale dhe situatën në secilin vend, dhe se kompania ka ende dëshirë të zbatojë projektin.

“Shpresojmë që me teatrin të mund të përmbushim pritshmëritë e popullit shqiptar dhe artistëve për skenën e tyre kombëtare”, shkruan Dan Bjerg Jensen.

Bjarke Ingels, nuk i ka kthyer përgjigje gazetës së arkitekturës Dezeen, e cila ka raportuar vazhdimisht projektet e BIG me drejtues autokrat, sikur ka bërë me Exit News.

Me fjalë të tjera, sipas ligjit të ri të të posaçëm, shteti e kalon tokën publike në pronësi të kompanive private, pa kryer tender, me justifikimin se shteti nuk e kryente dot vetë ndërtimin. Sipas Vincent van Gerven Oei, ekziston një model që ai e quan “furçat artistike”.

“Edi Rama po përpiqet të justifikojë para njerëzve se po u jep tokë publike oligarkëve, duke përfshirë arkitektë të njohur ndërkombëtarisht si Bjarke Ingels. Ai është përpjekur të justifikojë faktin që po u shpërndan tokë falas investitorëve privatë afër tij, të cilët bëjnë një shumë para, prej të cilave ata mezi paguajnë taksat’, thotë Vincent van Gerven Oei.

Në krye të të gjithë projektit është Kryeministri Edi Rama

Që nga ardhja në pushtet – fillimisht në vitin 2000 si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe në 2013 si kryeministër i vendit – ai është përpjekur të bëjë shenjën e tij në kryeqytet.

Ai ishte një piktor dhe kishte dhënë mësim në Akademinë e Arteve në Tiranë para se t’i futej politikës dhe të bënte mision të vetin shndërrimin e pamjes së qytetit komunist në një mekë të gjallë arti.

Menjëherë kur u bë kryetar bashkie, ai urdhëroi prishjen e qindra ndërtesave të paligjshme në qytet dhe leu shumë nga fasadat dhe sheshet e betonit të qytetit me ngjyra të forta.

Por Shqipëria është një nga vendet më të varfëra të Evropës dhe ka pak para për rinovimin urban dhe infrastrukturën e re. Prandaj, Edi Rama dhe qeveria e tij kanë bashkëpunuar vazhdimisht me kompanitë kryesore të ndërtimit shqiptar në partneritete publike-private për rinovimin urban.

Ekzistojnë disa shembuj të kontraktuesve që, nën sundimin e Edi Ramës, përfituan tokë publike, nëse premtuan të ndërtojnë një muze, një park apo të modernizojnë qytetin për të mirën e njerëzve.

Kjo praktikë është kritikuar gjerësisht nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komisioni Evropian dhe FMN.

Diçka e ngjashme ka ndodhur në rastin aktual. Kompanisë Fusha shpk i ishte ofruar trualli i Teatrit Kombëtar në qendër të Tiranës plotësisht falas. Për t’i dhënë Fushës tokën, në vitin 2018, shumica socialiste e Edi Ramës, e cila ka shumicën absolute në parlament, miratoi me urgjencë në parlament, një ligj special.

Komisioni Evropian paralajmëroi se ligji shkelte parimet e konkurrencës për rishitjen e tokës publike dhe ligjet e prokurimit publik.

Prandaj, ajo kërkoi një shpjegim nga qeveria shqiptare se si mund të zbatohej ligji pa shkelur ligjin shqiptar dhe evropian. Shqipëria nuk është anëtare e BE-së, por në fillim të këtij viti u hapën negociatat paraprake për integrimin e ardhshëm të vendit në BE.

Edi Rama u përpoq të justifikojë para njerëzve se po u jep tokë publike oligarkëve, duke përfshirë arkitektë të njohur ndërkombëtarisht si Bjarke Ingels.

Exit News i ka kërkuar Komisionin Evropian korrespondencën midis tij dhe qeverisë së Edi Ramës. Në përgjigje, qeveria ka pranuar se nuk ka para për të financuar vetë ndërtimin e një teatri të ri.

“Theksojmë se shteti nuk ka fonde për të financuar ndërtimin e teatrit të ri”, shkruan qeveria sipas dokumentit të dorëzuar në Komisionin Evropian. Në atë kohë, qeveria ende nuk e kishte pranuar në publik se nuk kishte para.

Perspektiva të paqarta

Në Tiranë, teatri është zhdukur. Dhe nuk ka më asnjë plan konkret se kush do të ndërtojë teatrin e Bjarke Ingels apo kush do të paguajë për të.

Një ditë pas shembjes, Këshilli Bashkiak i Tiranës në një deklaratë për shtyp tha se marrëveshja me kompaninë Fusha shpk nuk ekzistonte më. Fusha nuk do të jetë në gjendje që ta ndërtojë teatrin me buxhetin e kërkuar dhe në kohën e kërkuar, sipas ët gjitha kërkesave teknike të përfaqësuesve të Teatrit Kombëtar. Prandaj, bashkëpunimi publik-privat tani ka rënë.

“Bashkia e Tiranës i ka kërkuar qeverisë shqiptare të financojë ndërtimin e teatrit të ri kombëtar, një ikonë për qytetin dhe vendin tonë, me fonde publike. Këshilli i qytetit të Tiranës merr përsipër të ndërtojë teatrin në më pak kohë dhe në respekt të të gjitha kërkesave teknike të kërkuara nga komuniteti i artistëve në Tiranë, ”shkruan këshilli i bashkiak në faqen e tij zyrtare

Më tej, këshilli pohon se ndërtimi do të fillojë brenda këtij viti kalendarik, i cili shënon 100 vjetorin e Tiranës si kryeqyteti i Shqipërisë.

Protestat e mëdha në Tiranë kanë vdekur. Por kritikat akoma ndjekin vendimin e pushtetarëve shqiptarë për shkatërrimin e teatrit. Gjykata Speciale kundër Korrupsionit aktualisht po heton Kryeministrin dhe Kryetbashkiakun për korrupsion. Ndërsa kundërshtuesit po i kërkojnë vazhdimisht Bjarke Ingels të tërhiqet nga projekti.

Si Kryeministri Edi Rama ashtu edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pohojnë në deklaratat e tyre publike se teatri i Bjarke Ingels do të bëhet realitet. Gazeta Politike nuk ka arritur  dot të marrë një deklaratë, ose intervistë me përfaqësues të Këshillit Politik.

BIG nuk pranon të komentojë të ardhmen e projektit me Politiken, por sugjeron që projekti ende qendron.

“Ne do të punojmë me përkushtim për krijimin e një ndërtese unike teatri që do të jetë një vend grumbullimi për të gjithë shqiptarët dhe për brezat që vijnë, dhe është ambicia jonë që ai të ndikojë kulturën shqiptare në të ardhmen”, shkruan Dan Bjerg Hansen në emër të BIG.

 

Artikulli në origjinal e gjeni këtu.

2 komente

  1. N 16 Qershor, 2020 në 6:53 pm

    Pse bejne kot ham ham kta danezet ?

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme