Turqi, gjykata jep masë sigurie me burg për mësuesin Harun Çelik

Nga Redaksia
Turqi, gjykata jep masë sigurie me burg për mësuesin Harun Çelik

Gjykata turke ka vendosur masë sigurie me burg ndaj mësuesit Harun Çelik, i cili u dëbua të mërkurën nga Shqipëria megjithëse kishte kërkuar azil pasi i rrezikohej jeta.

Agjencia Anadolu raportoi se me të mbërritur në Stamboll, Çeliku është marrë nën hetim për “pjesëmarrje në organizatën (e quajtur) terroriste të Fethullah Gülen” dhe do të gjykohet për këtë akuzë.

Turqi pretendojnë se kapja e Çelikut ka qenë prej një operacioni të Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës, njohur si MIT.

Mësuesi 42-vjeçar ishte arrestuar në korrik në aeroportn e Rinasit në Tiranë teksa, si udhëtar tranzit, po mundohej të shkonte në Kanada me vizë false.

Abc-News raportoi se Çeliku, baba i 4 fëmijëve, nuk jetonte në Turqi, por që prej vitit 2016 në Kazakistan. Atje ndodhet edhe familja e tij.

Ai ndihej i kërcënuar që kur Presidenti Erdogan nisi fushatën kundër lëvzisjes së Gülen, ish-aleat i tij politik.

Vizën false për të udhëtuar në Kanada thuhet se ia kishin siguruar disa miq në Kosovë.

Pas arrestimit në Shqipëri, Çeliku u dënua me 5 muaj burg për falsifikim dokumentash, por megjithëse kërkoi azil politik u dëbua për në Turqi.

I konsideruar si mbështetës i lëvizjes së Fethullah Gülen ai rrezikon një dënim të rëndë.

Prej 3 vitesh Turqia ndërmerr fushata arrestimesh ndaj çdokujt që ka lidhje me organizatën e Gülenit, ish-aleatit të Presidentit Edrogan, i akuzuar si terrorist dhe si organizator i grushtit të shtetit të vitit 2016.

Lëvizja e Gülen konsiderohet organizatë terroriste në Turqi, Pakistan dhe disa nga vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam.

Udhëheqësi i kësaj lëvizjeje, Gülen, jeton në SHBA, të cilat kanë refuzuar kërkesat e Erdogan për arrestim dhe ekstradim të tij deri në momentin ku akuzat për aktivitet terrorist mbeten të paprovuara.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme