Turqi, Presidenti Erdogan njofton zgjedhje të parakohshme në qershor

Turqi, Presidenti Erdogan njofton zgjedhje të parakohshme në qershor

Presidenti turk Erdogan njoftoi dje se vendi do të zhvillojë zgjedhje të parakohshme në qershor, një vit përpara afatit. Fitimi i zgjedhjeve do t’i hapte presidentit Erdogan rrugën për të marrë kompetencat e presidencës ekzekutive, ndryshimet për të cilën u votuan në referendumin e prillit 2017.

Në një fjalim për median, presidenti Erdogan tha se zgjedhjet e parakohshme do ta bënin vendin “më të fortë dhe më efektiv” në një kohë kur Turqia po përballet me “pasiguri”, një referencë kjo ndaj operacioneve ushtarake të vazhdueshme kundër grupeve kurde në Siri dhe Irak. Por analistët politikë shprehen se arsyeja pas zgjedhjeve të parakohshme mund të jetë dhe përkeqësimi i ekonomisë, një shqetësim i madh ky për votuesit turq.

Me mbajtjen e zgjedhjeve, Turqia kthehet në një republikë presidenciale, posti i kryeministrit eleminohet, kompetencat e parlamentit dobësohen dhe vendimmarrja praktikisht vendoset në duart e presidentit.

Në prill 2017, kur dhe u zhvillua referendumi për ndryshimet kushtetuese, Erdogan dhe aleatët e tij argumentuan se ndryshimet janë të nevojshme për të parandaluar paqëndrueshmërinë politike pas një përpjekjeje të dështuar për grusht shteti në korrik 2016.

Me sistemin gjithnjë e më autoritar që Erdogan ka vendosur, me arrestimet e shumta të gazetarëve, profersorëve, akademikëve dhe çdo zëri kundër regjimit të tij, fitorja e Erdogan dhe përqëndrimi i pushtetit në duart e tij duket e sigurt.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>