Gjykata turke dënoi me 12 vjet e 3 muaj burg një qytetar turk për fyerje të presidentit Erdogan përmes postimeve në rrjetet sociale.
Ky dënim është cilësuar si ‘më i rëndi’ dhe ‘rekord’ dhënë nga gjykatat turke për të njëjtën vepër penale ‘fyerjen ndaj presidentit’.
Qytetari turk, Burhan Borak u dënua sepse në vitin 2014, në rrjetet e tij sociale ka shkruar 7 postime kundër Erdoganit. Pra ai është dënuar më 1 vit e 9 muaj burg për çdo postim.
Sipas Kodit Penal Turk, fyerja ndaj presidentit përbën vepër penale dhe dënohet me nga një deri në katër vjet burgim.
Nga viti 2010 deri në vitin 2017, rreth 12 mijë e 900 persona janë paditur nga avokatët e Erdoganit për fyerje ndaj presidentit.
Avokatët përdorin si prova kundër qytetarëve postimet në rrjetet e tyre sociale, karikaturat, fotot dhe artikuj që ata mund të shpërndarjnë në profilet e tyre.