Qeveria turke ka gjobitur kompanitë e mediave sociale përfshirë Facebook, Instagram, Twitter, YouTube, Periskop dhe TikTok, për shkak të refuzimit të zbatimit të ligjit për median sociale në Turqi. Gjobat arrijnë në rreth 1 milion EUR.
Ligji turk kërkon që platformat e mediave sociale me më shumë se një milion vizitorë të përditshëm të caktojnë një përfaqësues në Turqi.
Nëse ato nuk e bëjnë këtë gjë atëherë do të gjobiten me 1 milion EUR dhe nëse nuk e paguajnë gjobën për 30 ditë, ajo do të rritet në 3 milion EUR.
Platforma e vetme që përmbushi kërkesat e qeverisë turke ishte platforma ruse e mediave sociale VK.
Lajmi për gjobat u bë publikë nga zëvendës Ministri për Transportin dhe Infrastrukturën Omer Fatih Sayan. Njoftimi i tij në Twitter u ironizua shumë. Ligji i ri i mediave sociale hyri në fuqi më 1 tetor 2020.
Sipas ligjit të ri, kompanitë e mediave sociale do të kenë 48 orë për të hequr përmbajtjen siç kërkohet nga gjykatat turke përndryshe ata përballen me gjobë deri në 4.3 milion EUR ose bllokim të aksesit.
Përmbajtja që është vendosur të hiqet përfshin gjithçka që konsiderohet fyese për një individ ose qeverinë turke.
Ligji u kritikua gjerësisht si censurues dhe për kufizim të lirisë së fjalës dhe shprehjes.
Më 6 nentor, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit dënoi veprimin e ndërmarrë kundër kompanive të mediave sociale. Ata bënë thirrje që autoritetet të tërheqin sanksionet dhe e quajtën ligjin “drakonian”.
Nëndrejtori i IPI Scott Griffen tha se zhvillimet treguan që Turqia duhet të tërhiqet nga ligji i mediave sociale, i cili u miratua në korrik dhe hyri në fuqi në 1 tetor.
“Ligji drakonian i Turqisë për mediat sociale u vu në fuqi për të kufizuar një nga hapësirat e vetme të lira të mbetura për gazetari dhe shprehje kritike ndaj qeverisë”, tha ai.
“Refuzimi tani i kompanive të mediave sociale për të shkuar së bashku me këtë fushatë dixhitale të censurës tregon se ligji nuk është vetëm një kërcënim për shprehjen e lirë, por gjithashtu është praktikisht i pazbatueshëm. Turqia duhet të tërheqë këto gjoba të tepruara dhe të shfuqizojë ligjin e mediave sociale. “