Policia turke hodhi gaz lotësjellës për të shpërndarë turmën e mbledhur për paradën Pride (Krenari), të shtunën. Reuters publikoi një video me policinë turke duke shtyrë dhe tërhequr njerëzit, që mbanin në duar flamuj me ngjyrat e ylberit, n në një rrugë anësore pranë Rrugës Istiklal.
Rreth 20 persona, përfshirë një foto-reporter, u arrestuan, sipas raporteve të medias.
Policia arrestoi edhe një demonstrues ndërsa aktivistët e tjerë të të drejtave të komunitetit LGBT u ndaluan të parakaloin në shenjë ndërgjegjësimi për të drejtat e tyre,
Autoritetet turke kanë ndaluar vazhdimisht Paradat e Krenarisë në vitet e fundit. Para kësaj, mijëra njerëz merrnin pjesë në paradën në rrugën e Stambollit.
Turqia ka qenë prej kohësh një kandidate për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian por procesi i saj i pranimit u ndalua për shkak të mosrespektimit të të drejtave të njeriut.
Të enjten, disa prej udhëheqësve të Bashkimit Evropian u zotuan të vazhdojnë të luftojnë kundër diskriminimit të komunitetit LGBTI, në një letër të përbashkët mes një mosmarrëveshje me Hungarinë, parlamenti i së cilës javën e kaluar miratoi një projekt-ligj që ndalon shpërndarjen e materialeve që mendohet se promovojnë homoseksualitetin ose ndryshimin gjinor në shkolla.