Turqia nuk lejon më fluturime private me pacientë nga vendet e tjera që kërkojnë të kurohen nga Covid-19 në spitalet turke.
Me rekomandim të Ministrisë së Shëndetësisë, është e ndaluar sjellja e pacientëve Covid-19 pozitivë në Turqi me aeroplan privat, deri në një urdhër të dytë. Nëse ky urdhër nuk respektohet nga kompanitë dhe spitalet, qeveria do të vendosë sanksione për bizneset përkatëse.
Urdhërin e shpërndau Autoriteti i Aviacionit Civil Turk të premten te të gjitha kompanitë ajrore që mundësojnë fluturimet drejt Turqisë.
Sipas gazetës turke Sozcu, vendimi i qeverisë erdhi pas një artikulli të publikuar në këtë media për numrin e lartë të pacientëve me Covid që po vijnë në Turqi duke zënë shtretërit, që mund të përdoreshin nga turqit.
Iraku, Shqipëria, Gjeorgjia dhe Rusia janë katër vendet nga ku ka pasur më shumë pacientë me Covid-19 që kanë fluturuar drejt Turqisë.
Fluturimet nga këto vende drejt Turqisë, me avion spitalor kushtojnë nga 18 deri në 22 mijë euro.
Një numër i panjohur shqiptarësh të infektuar me Covid-19 kanë udhëtuar drejt Turqisë me këto avionë për t’u kuruar në spitalet turke.