Turqia ka ofruar të trajtojë falas 100 pacientë shqiptarë në vit të cilët do të kenë nevojë për ndërhyrje të vështira, që kanë nevojë për trajtim tejet të specializuar.
Kjo është një nga pikat e marrëveshjes së firmosur të mërkurën në Ankara ndërmjet qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim në fushën e Shëndetësisë.
Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se “bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e shëndetësisë është një faktor i rëndësishëm në zhvillimi kombëtar”.
Marrëveshja e e firmosur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Dr.Fahrettin Koca, Ministri i Shëndetësisë së Turqisë synon që Turqia dhe Shqipëria të përmirësojnë bashkëpunimin në shëndetësi duke shkëmbyer me njëra tjetrën njohuri, shërbime dhe teknologji.
Një pikë tjetër e kësaj marrëveshje është bashkëpunimi në emergjenca, fatkeqësi natyrore dhe zhvillimi i projekteve të përbashkëta të punës si organizimi i përbashkët i javëve shëndetësore , forumeve të biznesit shëndetësor etj.