Turqia dhe Erdogan po presin mbrapa perdes

Nga Vincent Van Gerven Oei
Turqia dhe Erdogan po presin mbrapa perdes

Në një intervistë, javën e shgkuar, me gazetaren Ilva Tare, Kryeministri Edi Rama shpjegoi marrëdhëniet e tij me Turqinë, veçanërisht tani që BE po vëzhgon me padurim ndikimin e regjimeve autokratike në Ballkan. Në fakt, ndikimi i Turqisë dhe Rusisë në Ballkan është një prej shqetësimeve kryesore të BE-së lidhur me idenë e zgjerimit të BE-së në Ballkan.

Në mënyrë të vecantë shihet me shqetësim rritja e ndikimit financiar dhe fetar të Turqisë në Shqipëri. Ky ndikim ilustrohet më së mirë nga fakti që xhamia e re e Namazgjasë që po ndërtohet në Tiranë është financuar nga Turqia dhe po ndërtohet nga një kompani turke. Lidhur me këtë, Kryeministri Rama u shpreh:

“Marrëdhëniet tona me Turqinë nuk përbëjnë në asnjë rast, kërcënim të sovranitetit dhe asnjë lloj kushtëzimi[…].

Nëse të krishterët katolikë morën katedralen e tyre në Tiranë dhe nëse të krishterët ortodoksë morën katedralen e tyre në Tiranë, myslimanët e këtij vendi meritonin të kishin tempullin e tyre të barasvlefshëm, as më të madh e as më të vogël me këta tempuj të tjerë.

Ky është një financim i dhënë nga komuniteti mysliman turk dhënë komunitetit mysliman të shqipërisë dhe komuniteti mysliman nuk varet nga qeveria e Shqipërisë. Nuk merr leje nga kryeministri nëse merr apo jo financime, mjafton që financimet mos jenë nga terrorizmit.”

Sigurisht, çështja kryesore nuk është fakti se komuniteti mysliman shqiptar nuk varet nga qeveria shqiptare, por fakti se  komuniteti myslimane turk varet nga qeveria turke. Në Turqi, feja është nën kontrollin e plotë të qeverisë, që do të thotë se paratë për financimin e xhamisë së Namazgjasasë janë investim i shtetit turk, i cili është nën kontrollin e plotë të Presidentit Rexhep Tahip Erdogan.

Por, financimi i xhamisë së Namazgjasë nuk është e vetmja mënyrë se si Turqia e ka “ndihmuar” Shqipërinë.

Në vitin 2016, tenderi i Ministrisë së Brendshme për uniformat e reja të Policisë së Shtetit, “u shpëtua” nga presidenti Erdogan, të cilin më pas Kryeministri Rama e falenderoi personalisht për “mbështetjen” e tij — edhe pse ende është e paqartë se çfarë mbështetje konkrete dha qeveria turke në prodhimin e uniformave.

Kohët e fundit, qeveria turke është përfshirë hapur në projektin e Kryeministrit Rama për të krijuar një linjë ajrore shqiptare — e cila sipas kryeministrit do të fillojë të veprojë këtë verë. Sërish, Kryeministri Rama e falënderoi personalisht Presidentin Erdogan.

Në të njëjtën kohë, një “ofertë e pa kërkuar” erdhi për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës nga një konsorcium kompanish turke, shumë i afërt me Presidentin Erdogan.

Qeveria turke gjithashtu ka ushtruar presion, deri tani pak i suksesshëm, ndaj qeverisë shqiptare për mbylljen e shkollave të drejtuara nga lëvizja e Fetullah Gylenit, një organizatë fetare ndërkombëtare që vetëm Turqia e konsideron grupim terrorist.  Deri më tani, në Shqipëri, janë marrë masa vetëm nga Ministria e Arsimit, e cila në shkelje të Kushtetutës, i ka ndaluar shkollave turke të përdorin flamujt dhe simbole të tjera turke.

Por ndikimi i Erdoganit është rritur ndjeshëm në rajon. Në Kosovë u ekstraduan në mënyrë të paligjshme 6 drejtues të institucioneve arsimore të Gylenit.

Mediat turke, kohët e fundit, kanë sulmuar  drejtuesin e komunitetit mysliman shqiptar, Skënder Bruçaj, duke e quajtur atë Gylenist. Madje, në media të ndryshme shkruhet se Presidenti Erdogan i ka vënë kusht Kryeministrit Rama shkarkimin e Zotit Bruçajt, në këmbim të ardhjes së tij për inaugurimin e xhamisë së re.

Për më tepër, qeveria turke po shton kontrollin e saj mbi institucionet arsimore në Shqipëri nëpërmjet Fondacionit Maarif — organizatë e lidhur me qeverinë, e cila ka marrë përsipër të menaxhojë të gjitha aktivitetet arsimore të shkollave turke në Shqipëri, pasi organizata Gylen u shpall grup terrorist.

Në Shqipëri, hapja e shkollave Maarif shkon krah për krah me kërkesën e qeverisë turke për të mbyllur institucionet arsimore që thuhet se janë nën kontrollin e lëvizjes Gylen, ndërsa disa burime kanë konfirmuar për Exit.al se Fondacioni Maarif është në procesin e marrjes së disa universiteteve private të mëdha në Shqipëri.

Ndikimi i Erdoganit në Shqipëri shtrihet nga policia e shtetit, në projekte të mëdha infrastrukturore deri në arsim. Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet midis Ramës dhe Erdoganit janë më shumë se të përzemërta — Rama ishte një nga dëshmitarët zyrtarë në martesën e vajzës së Erdoganit dhe takohet me presidentin Erdogan të paktën disa herë në vit, më së shumti në takime private jashtë çdo protokolli dhe kuadri zyrtar.

Në të njëjtën kohë, Rama nuk ka pranuar të dënojë dhunën dhe shkeljet e të drejtave të njeriut të kryera nga qeveria turke, duke mbajtur të njëjtin qendrim me vendet e tjera evropiane që kanë kritikuar nismat e Turqisë. Në fakt, udhëheqja e Erdoganit është një frymëzim i qartë për tendencat autoritare të Ramës.

Megjithëse, Kryeministi vazhdon ta mohojë këtë fakt në publik, ai po e përdor si kërcënim rritjen e ndikimit turk në rajon për hapjen e negociatave me BE-në. Rama e di se pavarësisht se çfarë mund të ndodhë në frontin evropian, Turqia do të jetë një investitor shumë i besueshëm në vend dhe pa kërkesa për respetimin e të drejtat të njeriut dhe sundimin e ligjit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>