Këto ditë do të hyjë në fuqi ligji i qeverisë, sipas të cilit do të paguajnë TVSH të gjitha bizneset me të ardhura vjetore mbi dy milionë lek. Kjo do të thotë që çdo biznes me xhiro vjetore më të lartë se një milionë lek, duhet të zbresë nga shitjet e tij TVSH-në, sot me vlerë 20 për qind, sigurisht duke e zbritur nga TVSH-ja e paguar mbi blerjet.
Shumë shoqëri të biznesit të vogël e kundërshtuan dhe janë shprehur se një masë e tillë do të rrisë çmimet e konsumit, duke prekur xhepat e të gjithë qytetarëve.
Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar e konsideroj këtë hap të qeverisë si nder për bizneset e tregtisë me shumicë, që e shikon biznesin e vogël si një konkurrent të padrejtë për supermarketet e mëdha, duke qënë se këto të fundit janë të detyruar të derdhin TVSH mbi të njëjtin mall që biznesi i vogël e shet pa TVSH.
Opozita deklaroi se kjo masë ligjore do të shkaktojë falimentimin ose mbylljen e bizneseve të vogla, në veçanti të atyre bizneseve që nuk kanë aftësi për të rritur çmimin, dhe si pasojë nuk do të munden të mbulojnë kostot, të cilat janë rritur me 100 euro në muaj për detyrimet financiare sipas ligjit të TVSH-së.
Qeveria së bashku me Ministrin e Financave Arben Ahmetaj në rresht të parë, këmbëngul që nuk do të ketë rritje cmimesh për qytetarët sepse çmimi përcaktohet nga tregu dhe nuk mund të ndryshojë çmimi i vendosur nga biznesi i vogël nga ai i vendosur nga biznesi i madh.
Por nga ana tjetër qeveria thotë se kuota më e madhe e taksimit do të ulet ndjeshëm, duke u futur në përpjekje qesharake që tregojnë që as deputetët e shumicës nuk e kanë kuptuar ende se si llogaritet TVSH-ja.
Arsyetimi i tyre është që të zbritet TVSH-ja e shitjes nga ajo e blerjes, dhe ajo që mbetet për tu derdhur në fund të periudhës mbetet një shifër shumë e vogël, pra nuk do të ketë në të vërtet një barrë e madhe apo një marxhin i vogël për tregtarët e vegjël.
Ky pseudo arsyetim, bie në kundërshti me logjikën ekonomike dhe me atë aritmetike.
Në fakt, nëse biznesi i vogël duhet të derdhë TVSH mbi shitjet e tij, skenarët e mundshëm janë tre (ose një përzierje e këtyre të treve).
Çmimet përfundimtare të produktit nuk ndryshojnë, zyra e taksave merr më shumë TVSH, ul marzhin e fitimit për tregtarët e vegjël, me përfundimin që shumë dyqane të vogla do të mbyllin dhe shumë familje do të mbeten pa asnjë burim të ardhurash.
Çmimet e produkteve do të rriten. Zyra e taksave do të mbledh më shumë TVSH, tregtari i vogël fiton njësoj si më parë, dhe qytetarët do të përballen me kosto të rritur të jetesës.
Çmimet e produkteve nuk rriten, tregtari i vogël fiton njësoj, Zyra e Taksave nuk mbledh më shumë para, masa e re fiskale do të ndërlikojë jetën e biznesit të vogël (dhe kontabilistët do të fitojnë më shumë). Të ardhurat e shtetit nuk rriten.
Por, nëse shteti do të mbledhë më shumë të ardhura, atëherë do të rritet edhe barra financiare për biznesin ose për qytetarët. Dhe në të gjitha skenarët e mundshëm barra financiare për tregtarët e vegjël do të rritet sepse do të rritet numri i shërbimeve financiare që do t’i ofrojë kontabilisti.
Kjo tregon që qeveria po gënjen, ose, që masa e marrë ka për qëllim rritjen e volumit të punës për Zyrën e Taksave për të justifikuar një koncesion të kushtueshëm ose një PPP për administrimin e TVSH-së, projekti i vjetër i qeverisë Rama.