Rrjeti social Twitter ka njoftuar se do të ndalojë menjëherë të gjithë platformat shtetërore mediatike të sponsorizojnë postimet e tyre në profilet në Twitter.
Twitteri, i cili ka rreh 321 milionë përdorues aktivë mujorë, njoftoi se për të ‘mbrojtur diskutimet e shëndetshme dhe bashkëbisedimet e hapura” nuk do të lejojë më fushata reklamuese të paguara apo përdorimin e shërbimeve të tjera të këtij lloji nga çdo media e klasifikuar si ‘nën kontrollin e shtetit’.
Përmes këshillimit me organizata ndërkombëtare dhe indekse të ndryshme për lirinë e medias si Reporterët pa Kufij, Freedom House, Njësinë e Inteligjencës pranë The Economist, Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe UNESCO-n, Twitteri ka vlerësuar lirinë e mediave me qëllim hartimin e një politike specifike për median në këtë rrjet social.
Rregullat e reja do të zbatohen për çdo media që kanë në fokus lajmet dhe që kontrollohet financiarisht ose editorialisht nga shteti. Në klasifikimine e mediave, Twitteri do të marrë parasysh kush kontrollon përmbajtjen editoriale, pronësinë financiare, ndikimin dhe ndërhyrjen nga shteti, ushtrimin e presionit politik të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, si dhe kontrollin mbi procesin e prodhimit dhe shpërndarjes së lajmeve.
Nga këto rregulla përjashtohen subjektet që janë të dedikuara vetëm për argëtim, sporte dhe udhëtime, si dhe transmetuesit e pavarur publikë.
Ato media që po përdorin aktualisht fushatat e reklamimit në Twitter do të kenë 30 ditë afat për t’i përfunduar ato, dhe më pas nuk do të lejohen më fushata të tjera reklamimi.
Ende nuk është e qartë se cilat platforma shqiptare do të preken nga rregullat e reja të Twitter-it, por bazuar në kriteret e vënë ku përfshihen dhe ato që janë “editorialisht të kontrolluara” nga shteti, nën presion apo të kontrolluara direkt ose indirekt nga shteti, numri mund të jetë i lartë.
Mungesa e pluralizmit dhe lirisë në media është një problem i madh në Shqipëri, siç theksohet nga një sërë raportesh të pavarura. Shumë prej platformave kryesore të mediave të shtypura, online dhe vizive janë në pronësi të një numri të vogël individësh me interesa dhe lidhje të ngushta me qeverinë. Propaganda është e përhapur dhe shumë platforma konsiderohen të jenë të “blera” ose të ndikuar në linjën e tyre editoriale nga politikanët dhe qeveria.