U kërkoi ndihmë, ambasadat në Tiranë nuk e morën në mbrojtje Agron Tufën

Nga Stafi Exit
U kërkoi ndihmë, ambasadat në Tiranë nuk e morën në mbrojtje Agron Tufën

Përpara se të kërkonte azil në Zvicër, Agron Tufa u kërkoi ndihmë ambasadave në Tiranë, mes tyre edhe asaj të OSBE-së dhe BE-së, por ato nuk iu përgjigjën. Përpjekjet e tij për të gjetur drejtësi dhe mbrojtje në Shqipëri gjithashtu nuk gjetën zgjidhje, pasi prokuroria dhe Ministria e Brendshme nuk reaguan asnjëherë nga kërcënimet që ai merrte vazhdimisht.

Kështu ka treguar ish-Drejtori i Institutit për Studimet e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK) në një intervistë për Deutsche Welle-n (DW).

Zoti Tufa, së bashku me të shoqen dhe pesë fëmijët e tij të mitur, ka kërkuar azil politik në Zvicër. Ai vendosi të largohej pas kërcënimeve të vazhdueshme me mesazhe dhe thirrje telefonike nga njerëz të ndryshëm. Kërcënimet kanë ardhur për shkak të detyrës së tij si drejtor i ISKK-së dhe aktiviteti publik për të nxitur debat rreth rishikimit të historisë, vlerësimit të pasojave dhe dënimit të krimeve që u kryen nën regjimin e Hoxhës.

Në intervistën për DW, Zoti Tufa ka treguar se këto kërcënime ai ua ka raportuar ambasadave në Tiranë.

“U kam dërguar të gjitha ambasadave, përfshirë edhe të OSBE-së dhe BE-së, raport me 16 faqe me kronologji të kërcënimeve, ku ishin dokumentuar edhe mesazhet kërcënuese, në shqip dhe anglisht, por ato nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje”

Kërcënimet ndaj ish-Drejtuesit të ISKK-së kanë qenë të shumta këtë vit, sidomos pas përplasjes politike me socialistët rreth aktivitetit që Instituti kishte pasur kohët e fundit. Ato u shpeshtuan pas kallëzimit për krime ndaj njerëzve që ISKK-ja bëri ndaj ish-komandantit të burgut të Qafë-Barit, Edmond Caja. Zoti Tufa thotë se prokuroria nuk dha asnjëherë përgjigjie qoftë për këtë kallëzim, qoftë dhe për kallëzimet e tjera që ai kishte bërë për rastin e vet.

“Mua nuk m’u pergjigjën asnjëherë. As kallëzimeve private, e as nuk morëm përgjigje për kallëzimin e Cajës te Prokuroria e Krimeve të Rënda, megjithëse u ankuam dy herë”

Zoti Caja, jeton në Gjermani prej shumë vitesh dhe çështja për “krime të mundshme ndaj njerëzimit” mund të hapet edhe atje.

Deutsche Welle raportoi se nuk kishte marrë përgjigjie nga Ministria e Brendshme nëse ka pasur apo jo nevojë për mbrojtje Zoti Tufa.

Ish-Drejtori i ISKK-së tregoi se sulmet nisën pasi Instituti u drejtoi kërkesë zyrtare institucioneve për të raportuar numrin e punonjësve, të cilët kanë qenë ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit dhe vazhdojnë të jenë në administratë.

“Dy institucione iu përgjigjën pyetjes sonë dhe doli që aty ishin nja 12 oficerë të sigurimit. Ata janë ende në pozicione super të rëndësishme, dy syresh pikërisht në Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Kualifikuar (DSIK), e cila aktualisht merret edhe me vettingun në Shqipëri”

Zoti Tufa i tha DW-së se “numri i ish-sigurimsave në administratë mendohet të jetë rreth 3000” dhe se “strukturat e vjetra të sigurimit kontrollojnë ende jetën politike në Shqipëri”.

Florian Constantin Feyerabend, përfaqësues i Fondacionit Konrad Adenauer, që mbështet prej vitesh studimet mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri, tha se largimi i Zotit Tufa tregon se “është ende tejet e rëndësishme që në Shqipëri të vijohet me zbardhjen e së shkuarës komuniste dhe përballjen me të”.

Vetë ish-drejtori i ISKK-së këmbëngul se nuk do të ndalojë së foluri për së shkuarën:

“Përkundrazi. I pavarur dhe në liri, shpresoj të flas e të dëshmoj më troç. Do jetë kalim ne një cilësi tjetër, ku përgjegjësitë i marr përsipër personalisht, pa u shkaktuar “faturë” të tjerëve”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>