Udhëheqësit në Forumin e Davosit nxisin ndryshime rrënjësore globale

Nga Nita Shala
Udhëheqësit në Forumin e Davosit nxisin ndryshime rrënjësore globale

Ky është një vit i jashtëzakonshëm për Forumin Ekonomik Botëror të Davosit. Jo vetëm sepse udhëheqësit politikë, të biznesit e të shoqërisë civile janë mbledhur online sivjet, por pikësëpari për shkak të urgjencës për veprim dhe temave që i imponohen këtij forumi për diskutim dhe zgjidhje.

Mbledhja vjetore e 51-të e Forumit Ekonomik Botëror po zhvillohet online në 25-29 janar për shkak të pandemisë.

Takimi me mbi 1200 përfaqësues nga 60 shtete synon t’i japë përgjigje ngjarjeve katastrofike të 12 muajve të fundit. Tema “Një Vit Vendimtar për të Rindërtuar Besimin” fokusohet te The Great Reset, “Rinisja e Madhe”, një nismë e vitit 2020 e themeluesit të forumit, prof. Klaus Shvab [Klauss Schwab], dhe Princit Çarls të Uellsit.

Udhëheqësit nga gjithë bota po theksojnë sfidat që kërcënojnë shoqëritë tona dhe që kërkojnë zgjidhje dhe veprim të koordinuar global. Efektet e pandemisë COVID-19 ndërlikohen gjithnjë e më shumë nga kërcënimet e tjera globale si kriza klimatike, financiare, pabarazia sociale dhe ekonomike. Momentumi për nevojën e përgjigjeve të koordinuara ndaj këtyre sfidave duket se është në nivel të lartë, kryesisht prej efektit të pandemisë.

Kush po merr pjesë në Forumin e Davosit?

Në forum kanë ardhur aktorët më të fuqishëm botërorë për të nxisin bashkëpunimin për të shmangur katastrofat nga rreziqet globale dhe për të krijuar një të ardhme një të ardhme më të drejtë dhe të qëndrueshme.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, drejtues të organizatave kryesore ndërkombëtare si Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), Fondi Ndërkombëtar i Emergjencave të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) po japin gjithë mbështetjen e tyre për qëllimin e forumit.

Presidenti i Kinës Shi Xhinpin [Xi Jinping] dhe udhëheqës të tjerë nga Azia po diskutojnë për rolin e kontinentit të tyre në rimëkëmbjen e ekonomisë globale. Azia ka rreth 50 për qind të GDP-së dhe të popullsisë globale.

Në Europë po përballemi me valën e dytë ose të tretë të pandemisë COVID-19. Kancelarja Merkel, Presidenti Makron, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lejen dhe udhëheqësit e tjerë të shteteve evropiane, të shteteve të G20 dhe të Amerikës Latine po japin ide për format e mundshme të bashkëpunimit për t’u përballur me këto sfida.

Mbreti Abdullah i Jordanisë, Kryeministri Netanjahu i Izraelit dhe mbi 100 ministra të shteteve të ndryshme, si dhe figura të njohura të akademisë si Juval Noah Harari po diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit global, për rritjen e besimit mes palëve të interesit dhe për t’i çuar punët përpara.

“Rinisja e Madhe”

“Kriza e COVID-19 na ka treguar se sistemet tona të vjetra nuk janë më të përshtatshme për shekullin 21”, thekson drejtuesi i forumit prof. Klaus Schëab, “ndaj është e domosdoshme një rinisje e madhe.”

Nisma “Rinisja e Madhe” synon të bëjë bashkë mendjet më të ndritura për të projektuar një botë më të mirë, më të drejtë, më të gjelbër dhe më të shëndetshme teksa rimëkëmbemi nga pandemia. Vizioni i Forumit Ekonomik Botëror për një rinisje të madhe pranon se përgjigja ndaj këtyre krizave shkon përtej reformave ekonomike, masave klimatike, trajtimit të një pandemie – ajo kërkon ndërmarrjen e ndrthurur të këtyre masave dhe më tepër akoma. Hapat në vijim duhet ta bëjnë shoqërinë më gjithëpërfshirëse e të bashkuar dhe duhet të synojnë ta përputhin qëndrueshmërinë mjedisore me atë sociale. Ky vizion bazohet në shtysën për të rindërtuar një botë më të mirë duke e rikonceptuar kapitalizmin.

Janë shtatë tema ku po bazohet punë këtë javë për të arritur këtë qëllim: qëndrueshmëria mjedisore; krijimi i ekonomive më të drejta; përdorimi i teknologjisë për të mirë; e ardhmja e punës dhe nevoja për aftësi të reja bazuar në kërkesë të tregut; biznes më i mirë; e ardhme e shëndetshme me qasje të barabartë për të gjithë; dhe nevoja që qeveritë kombëtare të bashkëpunojnë globalisht “përtej gjeopolitikës”.

Çelësi i suksesit është rikthimi i besimit të publikut te institucionet qeveritare, i cili “po gërryhet, pjesërisht për shkak të keqmenaxhimit të pandemisë së koronavirusit”, sipas Forumit Ekonomik Botëror. Por rikthimi i besimit mund të jetë i vështirë, pasi ka pak ndryshime në udhëheqjen e biznesit dhe qeverive. Ka shpresë të madhe te Presidenti 78-vjeçar Xho Bajden, i cili ishte zëvendës-president për tetë vjet, kohë gjatë të cilës shumë nga këto probleme po akumuloheshin pa u dhënë zgjidhje.

Për fat të keq, shkaku kryesor për optimizëm është fakti që krizat e sotme janë aq të mëdha, sa ato mund të nxisin vërtet veprim. Krizat e ardhshme financiare duken të mundshme. Kriza klimatike pranohet gjithnjë e më shumë si një kërcënim ekzistencial. Dhe tani vjen edhe pandemia si një katastrofë e madhe ekonomike dhe njerëzore.

Bëhet, kështu, e domosdoshme të ndërmerren hapa të guximshëm për të trajtuar këto kërcënime të së tashmes e të ardhmes së afërt, për të qeverisur më mirë, duke synuar uljen e pabarazive dhe ndërmarrjen e politikave të qëndrueshme nga të gjitha qeveritë dhe nga drejtuesit e shumëkombësheve. Dilema qëndron nëse ato do të veprojnë vërtetë në të tillë mënyrë. Gjasat janë të larta që kjo të ndodhë nën presionin e duhur popullor – nga qytetarët, votuesit,  konsumatorët, punëtorët, akademia dhe aktivistët – për të nxitur qeveritë dhe biznesin për të ndryshuar thelbësisht mënyrën e veprimit.

Thirrje të ngjashme për veprim janë bërë prej shumë vitesh nga akademia, shoqëria civile si dhe vetë udhëheqësit e biznesit dhe qeverive në mbledhjet e kaluara në Davos dhe gjetkë. Ama niveli i urgjencës që na ka prekur të gjithëve duket se ka krijuar momentumin e duhur që më në fund të nisë zbatimi i një ndryshimi rrënjësor.

 

Dr. Nita Shala është themeluese e Komunitetit të Global Shapers në Tiranë, iniciativë e Forumit Ekonomik Botëror.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>