Këshilli i Evropës (KiE) botoi më 7 prill një dokument informues për vendet anëtare ku thekson se edhe pse situata dikton marrjen e masave që prekin të drejtat dhe liritë e qytetarëve, këto masa duhet të respektojnë vlerat themelore të demokracisë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut.
Vendet anëtare të KiE-së duhet të respektojnë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut edhe në rastet e masave të jashtëzakonshme, dhe kanë detyrim të informojnë Këshillin me shkrim për masat që ato kanë marrë, arsyet dhe kohëzgjatjen e tyre. Këto masa duhet të miratohen nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut e Strasburgut, me qëllim për të shmangur paditë e qytetarëve ndaj qeverive.
KiE thekson se pavarësisht situatës, një sërë të drejtash nuk mund të kufizohen apo pezullohen—ndër këto të drejta janë e drejta e jetës, mosdënimi me vdekje, mosndëshkimi pa ligj, mosndëshkimi dy herë, ndalimi i tortures, ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose degradues dhe ndëshkimit, si dhe ndalimi i skllavërisë.
Kufizimi i të drejtës së jetës private, lirisë së ndërgjegjes, lirisë së shprehjes dhe lirisë së organizimit duhet të vendosen vetëm me ligj dhe në atë masë sa është e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit.
KiE udhëzon se çdo masë duhet të jetë e parashikuar me ligj, duhet të jetë në proporcion me rreziqet dhe duhet të përcaktojë qartë kohëzgjatjen e saj.
Kufizimi i të drejtës së jetës private, lirisë së ndërgjegjes, lirisë së shprehjes dhe lirisë së organizimit duhet të vendoset vetëm me ligj dhe për aq sa është e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit.
Nëse duhet të miratohen ligje të reja, ato duhet të jenë në përputhje me kushtetutat përkatëse dhe standardet ndërkombëtare dhe, sipas rastit, duhet të gjykohen nga gjykatat kushtetuese.
Masat e emergjencës duhet të arrijnë qëllimin e tyre me ndryshime sa më të vogla të rregullave dhe procedurave të vendimmarrjes. Qeverive nuk duhet t’u jepet kartë e bardhë nga parlamenti për të marrë çdo lloj mase.
Çdo kompetencë që parlamentet u delegojnë qeverive duhet të formulohet sa më ngushtësisht të jetë e mundur, me qëllim uljen e rrezikut të abuzimit nga qeveritë.
Parlamentet duhet të ruajnë pushtetin për të kontrolluar veprimet e qeverive dhe duhet të kontrollojë herë pas here nëse kompetencat e jashtëzakonshme dhënë qeverive janë ende të justifikuara apo duhet të ndryshohen apo anullohen.
Shtetet duhet të garantojnë se masat për kufizimin e lirisë janë absolutisht të nevojshme përkundrejt cdo mase tjetër më pak shtrënguese.
Duhen shmangur sado që të jetë e mundur vendosja e dënimeve të ashpra penale pë rmoszbatimin e masave pasi ato krijojnë shqetësime serioze për respektimin e të drejtave të njeriut.
Shtetet kanë për detyrë që të garantojnë gjatë gjithë gjendjes së emergjencës lirinë e shprehjes dhe informimit, lirinë e medias dhe qasjen në informacione rzyrtare. Qeveritë nuk duhet të përdorin masat e emergjencës për t’u mbyllur gojën gazetarëve kritikë apo kundërshtarëve politikë.
Mbledhja, analizimi dhe ruajtja e të dhënave personale duhet të bëhet në mënyrë të tillë që të respektohet e drejta e privatësisë. Përpunimi në masë të gjërë i të dhënave nëpërmjet teknologjisë duhet të kryhet vetëm nëse përfitimet që i vijnë shëndetit publik janë më të mëdha se nga masat e tjera, më pak ndërhyrëse.
Me qëllim garantimin e të drejtës së jetës, shtetet duhet të marrin masa për ofrimin e kujdesit shëndetësor, veçanërisht për të burgosurit, personat e sëmurë rëndë, ata me aftësi të kufizuar ose të moshuarve. Shtetet duhet të informojnë qytetarët rreth rreziqeve të njohura në lidhje me pandeminë, si dhe rreth sjelljeve dhe masave për shmangien e përhapjes së sëmundjes.
Shtetet duhet të marrin masa të përshtatshme për të garantuar mosdiskriminimin, veçanërisht të shtresave më vulnerabël sic janë romët, emigrantët, personat që u përkasin pakicave kombëtare dhe personat LGBTI.
Izolimi ka sjellë rritjen e rasteve të dhunës në familje ose me bazë gjinore, prandaj shtetet duhet të marrin masa për të ofruar mekanizma efektivë të raportimit të këtyre rasteve
Mbështetja e gjërë e shoqërive tek sistemet kompjuterike ka rritur rrezikun e krimeve kibernetike, veçanërisht për fëmijët, të cilët përdorin masivisht internetin për të aksesuar klasat online apo rrjetet sociale.
Po ashtu, shpërthimi i koronavirusit ka krijuar mundësi për ofrimin e produkteve fallco mjekësore dhe të higjenës nga kontigjentë kriminalë. Autoritetet e drejtësisë duhet të idenfitikojnë, hetojnë dhe ndjekin penalisht veprat e mësipërme.
Ndërkohë, shtetet duhet të marrin masa për respektimin e afateve të paraburgimit, duhet të garantojnë të drejtat e paraburgosurve dhe të burgosurve, dhe duhet të respektojnë parimin e procesit të rregullt gjyqësor.
Këshilli i Evropës do të vazhdojë të mbikëqyrë masat e marra nga shtetet anëtare dhe t’u ofrojë atyre asistencë për përballimin me efikasitet të krizës sanitare duke respektuar vlerat themelore të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtat e njeriut.