Udhëzuesi i Exit News: Çfarë të bëni në shtëpi gjatë mbylljes brenda

Nga Redaksia
Udhëzuesi i Exit News: Çfarë të bëni në shtëpi gjatë mbylljes brenda

Shumë shqiptarë janë mbyllur nëpër shtëpi e do të qendrojnë nuk dihet sa gjatë.

Me kafenetë, restorantet dhe shumë dyqane të mbyllura, shkollat e mbyllura, ndalimin e qarkullimit të makinave private, ndalimin e grumbullimeve, shumë prej nesh kanë ngecur në shtëpi, duke ardhur vërdallë dhe duke mos ditur se çfarë të bëjmë me kohën e lirë.

Më poshtë Exit News po jep disa sugjerime, dashamirëse, se çfarë mund të bëni me kohën e lirë në shtëpi.

Gatuaj

Me të gjitha restorantet dhe kafet e mbyllura dhe njerëzit gjithë kohës në shtëpi, nuk di më as se çfarë të gatuash. Dollapet janë plot me gjëra të rastësishme që i ke blerë gjatë krizës së çmendur panik-blerëse në fillim të javës, tani nuk di më se çfarë të gatuash me to.

Në ndihmë mund t’ju vijë faqja Super Cook Ajo gjeneron receta gatimesh sipas listës së ushqimeve që keni: fusni emrin e produktit dhe faqja do t’ju nxjerri disa receta që mund të gatuani me atë produkt.

Lexo një libër

Nëse i ke blerë librat në përpjekje për t’u dukur i kulturuar, izolimi është një mundësi e mirë për t’i lexuar. Leximi është provuar se rrit empatinë, ul stresin, heq depresionin dhe ndihmon në një gjumë të shëndetshëm.

Bëj ushtrime fizike

Fakti që je në shtëpi dhe nuk del dot, nuk do të thotë që nuk mund të mbash trupin në lëvizje.

Ka shumë video ilustruese në Youtube për joga, kërcim, ushtrime të thjeshta, që ju mund t’i bëni në shtëpi.

Edhe nëse jeni i fiksuar mbas mbajtjes në formë të trupit, ca ushtrime gjatë izolimit në shtëpi do vrasin kohën dhe do ju heqin atë gjendjen e acaruar që ja u nxirrni të tjerëve.

Mos prit shumë nga njerëzit e shtëpisë

Nëse parashikon të rrish në shtëpi për ditët në vijim, nuk do të ishte ide e keqe të uleshe dhe të flisje me anëtarët e familjes se si do ta menaxhoni këtë situatë.

Çdo njeri në familje ka të drejtën të ketë hapësirën, paqen dhe qetësinë, madje edhe pushim nga detyrat e përditshme dhe çdo kush duhet të ketë kohë vetëm për veten. Kjo gjë është çelësi që të mos zihemi dhe ta mbylim karantinimin në harmoni.

Bëni një listë me aktivitete, detyrat dhe punët që duhet të bëni dhe ndajini, duke bërë të qartë kush do të bëjë çfarë. Ditët në vijim do të duken sikur nuk kanë fund ndaj duhet të bashkëpunoni të gjithë.

Hiq gjërat e tepërta, rregullo të prishurat

Tani është mundësia për të bërë të gjitha ato punë që nuk i keni bërë dot se keni qënë të zënë. Pastroni dollapet nga rrobat që nuk përdorni më. Pastroni dhe lustroni sipërfaqet që kanë nevojë të shkëlqejnë. Rregulloni gjërat që janë prishur, ndërroni atë poçin që ka ndërruar jetë para 13 muajsh (të gjithë kemi një të tillë). Ndajini detyrat për këto, vendosni muzikë, dhe bëjini detoks jetës suaj.

Fillo një hobi të ri

Ke dashur gjithmonë të shkruash një libër? Ose të mësosh të qendisësh? Ose të fillosh meditimin? Tani të ka ardhur mundësia! Orët e gjata pa bërë gjë, mund t’i shfrytëzosh për të mësuar si të qendisësh ose mund të mësosh ndonjë gjuhë të huaj?

Një koleg amerikan u këshillonte bashkëqytetarëve të fillojnë mësimin e frëngjishtes. Kinezçja mund të ishte një alternativë e arsyeshme, gjithashtu.

Sërish mund të gjeni video ndihmuese në Youtube dhe në vende të tjera në rrjet.

Merr në telefona tezet e hallat e moshuara në Amerikë

Ne gjithmonë i lëmë pas dore emailet, mesazhet në median sociale, telefonatat që kemi premtuar se do t’i bëjmë dhe nuk i bëjmë asnjëherë. Tani është momenti i duhur. Merr tezen, hallën, shkruaj shokëve të shkollës, përgjigju mesazheve në Facebook që nuk i ke bërë prej kohësh.

Shiko serialë televizive pa ndërprerje

Zgjidh një serial televiziv, dhe shih pesë sezone në një ditë. Ulu në divan. Merr ca gjëra për të ngrënë. Dhe kalo kohë cilësore përpara televizorit.

Ruaj qetësinë

Ne të gjithë i duam familjet tona, por të të qënit pranë tyre, të gjithë bashkë në të njëjtën kohë, për ditët me rradhë që nuk mbarojnë kurrë, pa asnjë mundësi për të shëptuar nga shoqëria e tyre do të jetë test i vërtetë i dashurisë dhe durimit tonë.

Gjëja e rëndësishme është të mos harojmë se duhet të jemi të qetë. Jo vetëm sepse fqinjët janë të gjithë në shtëpinë apo apartmentin ngjitur me veshët e mprehur, por edhe sepse bota nuk do të mbarojë, kjo gjendje do të kalojë. Prandaj nuk ja vlen të nevrikosemi për faktin se vjehrra thjesht merr frymë në dhomën ngjitur.

Merrni frymë thëllë, pini një gotë raki, dhe shijoni faktin që i keni bërë dalje shoqërisë, konsumit, dhe turravrapit të çmendur të jetës së përditshme.

Ndihmo kauzën kombëtare

Numrat e lindjeve kanë prirjen të rriten rreth 9 muaj pas përfundimit të gjendjeve të emergjencës. Është koha të ndalojmë rënien e tmerrshme të popullsisë së Shqipërisë. Por nëse nuk jeni patriot, bëni kujdes gjatë këtyre ditëve të rrezikshme.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>