Ujësjellësi i Durrësit ndëshkohet për mungesë transparence

Ujësjellësi i Durrësit ndëshkohet për mungesë transparence

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës u gjobit së fundmi nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit me 150 mijë lekë të reja, për shkak se nuk vendosi në dispozicion informacione dhe dokumente publike në kuadër të një shkrimi në Portën Vendore.

Sjellja e UKD-së, institucion në varësi të Bashkisë Durrës, u vlerësua nga përfaqësuesit e medias si një tentativë për të nxitur vetë-censurën te gazetarët dhe një akt që cenon rëndë lirinë e informimit.

Që prej vitit 2014 në Shqipëri ka hyrë në fuqi Ligji për të Drejtën e Informimit, duke krijuar edhe një institucion që mbikëqyr dhe garanton zbatimin e tij, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Çdo qytetar gëzon të drejtën që përmes një Kërkese për Informacion t’i drejtohet institucioneve shtetërore për të marrë informacione apo dokumente të natyrave të ndryshme. Në kuadër të një shkrimi mbi derdhjen e ujërave të ndotura (“të zeza”) në kanalet e hapura (bujqësore) në zonën urbane të Shkozetit dhe ish-Kënetës, Porta Vendore më datë 10 korrik 2019 i dërgoi një Kërkesë për të Drejtë Informimi Ujësjellësit Durrës.

Porta Vendore e pyeti UKD-në nëse kishte realizuar një masterplan për kanalizimet në zonë, numrin dhe vlerën e investimeve në 10 vite, nëse paguhet shërbimi i kanalizimeve në faturën mujore të ujit dhe nëse kishte inspektuar subjektet që derdhin ujërat e ndotura në sipërfaqe.

Ligji është një mjet i domosdoshëm për punën e gazetarit, për më tepër në një vend si Shqipëria ku tendenca e institucioneve është mos transparenca. Por, si gjithmonë vjen një pikë kur ligji bëhet i pavlerë nëse vetë institucionet e shtetit refuzojnë ta aplikojnë atë”,analizon për Portën Vendore, Koloreto Cukali, Kryetar i Këshillit Shqiptar të Medias.

Duke shkelur afatin 10 ditor për kthimin e një përgjigje nga ana e Ujësjellësit, u depozitua ankesë tek Komisioneri. Vetëm në këto kushte Ujësjellës Kanalizime Durrës (UKD) sjell një përgjigje, e cila i drejtohet Komisionerit. UKD e justifikon mosdhënien e informacionit me pretendimin për dezinformim apo dashakeqësi më herët nga ana e gazetarit Geri Emiri, duke renditur si rast shkrimin që nxori në pah riskun e dëmtimit të shtresave arkeologjike nga punimet e Ujësjellësit.

Rasti i dytë i parashtruar nga Ujësjellës Kanalizime Durrës ishte një video-reportazh i parë nga një cikël prej 5 të tillësh, që investigoi derdhjen e ujërave të ndotura në bregdetin e Vollgës, në Durrës, realizuar në kuadër të projektit “Durrësi Aktiv për një Bregdet të Pastër”, mbështetur nga Lëviz Albania.

UKD pretendonte se intervista e kryetarit të degës teknike nuk është transmetuar e plotë, me qëllime dashakeqe. Drejtori ekzekutiv i “Qendrës Durrësi Aktiv”, Klaudio Hyseni, në një përgjigje ndaj UKD-së për rastin, hodhi poshtë pretendimet, duke sqaruar se puna e gazetarit është verifikuar, mbi burimet ku është mbështetur, personat e intervistuar etj.

“Ne urojmë që përgjigja e UKD-së të mos ketë qëllime censure paraprake apo mëri personale, për shkak se në 5 muaj janë publikuar reportazhe investigative për UKD-në dhe derdhjen e ujërave të ndotura në det”, sqaron përgjigja e Qendrës Durrësi Aktiv. “Vendimi i Ujësjellësit është i paligjshëm, jo-transparent, arrogant dhe ata që e kanë marrë meritojnë të përgjigjen ligjërisht”, e vlerësoi rastin Cukali, drejtuesi i Këshillit Shqiptar të Medias.

Më datë 27 gusht Komisioneri për të Drejtë Informimi ftoi palët, gazetarin Geri Emiri dhe Ujësjellësin Durrës, që të paraqisnin pretendimet e tyre. UKD i qëndroi pretendimeve, ndërsa gazetari Emiri e cilësoi përgjigjen e UKD-së si një censurë paraprake, që bie ndesh me nenin 22 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe me frymën e Ligjit për të Drejtë Informimi.

Pas vlerësimit të rastit, Komisioneri doli me vendimin numër 29, datë 10 shtator 2019, ku pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve e dokumenteve, vlerësoi se argumentet e parashtruara nga Ujësjellësi për mos vendosjen në dispozicion të informacionit, nuk qëndrojnë.

“Qëndrimi i mbajtur nga Autoriteti Publik [Ujësjellës Kanalizime Durrës] bie ndesh me qëllimin e ligjit numër 119/ 2014, “Për të Drejtën e Informimit”, i cili është garantimi i njohjes së publikut me informacion”, shton argumentimi i vendimit të Komisionerit.

Si rrjedhojë, duke konstatuar se UKD nuk ka caktuar një koordinator për të drejtën e informimit dhe përgjegjësia bie mbi personin që ka refuzuar dhënien e informacionit, që nga dokumentet rezulton se mbajnë emrin dhe firmën e nëndrejtorit të përgjithshëm të UKD-së, Kasem Bejko;

Bazuar në nenin 19, pika 3, të Ligjit për të Drejtë Informimi, Komisioneri dënoi z. Bejko në cilësinë e personit përgjegjës, me gjobë në vlerën 150 mijë lekë të reja). Po ashtu Komisioneri kërkoi nga UKD që brenda datës 17.09.2019, të kthente përgjigje për informacionet dhe dokumentet e kërkuara.

Deri në momentin e publikimit të shkrimit UKD nuk u solli përgjigje. Por përgjigja u soll pas publikimit të shkrimit, më datë 4 tetor 2019, tre muaj pas dërgimit të Kërkesës për Informacionin dhe në shkelje të afatit që komisioneri caktoi më herët.

“Asnjë institucion shtetëror nuk mund të përcaktojë vetë nëse një lajm është i vërtetë apo jo. Këtë verifikim mund ta kryejë vetëm një shoqatë profesionale (si Këshilli i Medias) ose gjykatat shqiptare. Pasi, 1. Institucioni nuk ka instrumente profesionale për ta gjykuar vërtetësinë e një raportimi ose investigimi; 2. Institucioni nuk është i pavarur në konsiderimin e rastit kur edhe vetë është i përfshirë”, analizon Koloreto Cukali.

Institucionet shtetërore shpesh përmes pretendimeve që janë të pa mbështetura në Ligjin për të Drejtën e Informimit synojnë mos dhënien e informacioneve për median. Në vitin 2017 Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA) përmes një praktike që binte ndesh me frymën e ligjit, me pretendimin se shkelej e drejta e autorit, nuk vendoste në dispozicion raportet arkeologjike që realizonin subjektet private të licencuara në arkeologji.

Kjo pengonte informimin e publikut për çfarë ndodhte me zbulimet arkeologjike në projektet kryesisht private. Si drejtues i medias Amfora.al, gazetarit Geri Emiri me vendimin numër 1, datë 29 janar 2018, u dha e drejtë për pretendimet nga Komisioneri, i cili detyroi ASHA-n të vendoste në dispozicion dokumentet që ajo nuk i jepte në emër të mbrojtjes së të drejtës së autorit, duke rrëzuar kështu një praktikë që përdorej nga ASHA prej kohësh dhe binte ndesh me ligjin për kufizimin e informacioneve me karakter publik. Paketa anti-shpifje që pritet të miratohet nga qeveria shqiptare është një hap tjetër që vlerësohet se do të nxisë sjelljen abuzive të institucioneve kundrejt informacionit publik.

“Për më tepër etika në media nuk mund të kontrollohet me ligje, por me anë të vetë-rregullimit, siç e detyron praktika evropiane. Përveç, sanksionet e larta (që gjithmonë i ka në dorë Autoriteti i Medias Audiovizive) në mënyrë të drejtpërdrejtë nxitin vetë-censurën e gazetarit”, analizon Cukali.

Publikuar më parë në Porta Vendore

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>