Dhjetra qytetarë, banorë të zonës së “Unazës së Re”, zhvendosën protestat e tyre përpara Drejtorisë së Policisë Tiranë pasi ditën e djeshme policia arrestoi 3 prej tyre.
Në një njoftim për mediat, policia e Tiranës tha se kishte kryer arrestimet për “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “prishje të qetësisë publike”.
Prej një viti banorë të zonës së “Unazës së Re” kundërshtojnë vendimin e qeverisë për të prishur banesat e tyre si pasojë e një projekti për të zgjeruar rrugën.
Projekti në fjalë është ndryshuar disa herë në Sheshin Shqiponja, por punimet nuk kanë vazhduar më pasi qeveria nuk ka nxjerrë asnjë VKM për shpronësimet. Banorët kanë kërkuar anulimin e tij, por qeveria ka këmbëngulur se nuk do të anulohet.
Duke folur për mediat, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, tha se “prej 12 muajsh qeveria ka refuzuar të dialogojë me qytetarët” dhe se përkundër kësaj “i arreston për protesta, një liri themelore e demokracisë”.
Banorët janë shprehur se do të vazhdojnë protestat edhe sot pasdite, ku nuk përjashtojnë bllokimin e rrugës Teodor Keko në “Unazën e Re”.
Policia thotë se “me ndryshimet e reja në kodin penal, bllokimi i qarkullimit rrugor dënohet me gjobë ose me burg deri në 3 vite”.
Neni 293 i kodit penal thotë:
Vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit utomobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Banorë protestues janë shoqëruar edhe herë të tjera në polici. Disa prej tyre janë mbajtur me muaj në paraburgime deri sa gjykata i liroi.