Unioni i Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve kundërshtoi sot vendimin e qeverisë për prishjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar.
Përmes një deklarate publike, Unioni i kërkon qeverisë të ndalojë projektin e shembjes së teatrit dhe ndërtimit të kullave në truallin ku sot ndodhet teatri:
“Nëse trashëgimia e ndërtuar do të vazhdojë të trajtohet në këtë mënyrë, së shpejti qytetet tona do të transformohen në fjetore kullash prej betoni.”
Unioni shkruan se në arkitekturë ka parime e koncepte që lejojnë ruajtjen dhe vazhdimësinë e historikes me aktualen:
“Një nga karakteristikat më kryesore të qytetit është shtresëzimi. Kjo është arsyeja përse qyteti europian sot trashëgon kontekste të pasura me ngjarje dhe çdo cep i tij flet për histori. Çdo cep i qytetit edukon respekt dhe dashuri!
Në vend që të fillojmë qytetin nga e para sa herë i teket dikujt do të ishte më e shëndetshme të mësojmë ta shtresëzojmë.
Për fat te keq Shqipëria, Tirana në veçanti ka një traditë shumë problematike në lidhje me ruajtjen e qytetit, duke filluar që nga periudha e diktaturës. Të njëjtat qendrime kanë vazhduar edhe në keto njëzetetetë vitet e fundit. Historia nuk duhet ideologjizuar, pasi edhe në keto raste brezat kane se çfarë të mësojnë e të mos e përserisin më.”
Më herët dhe Claudio Rocca, drejtori i “Accademia di Belle Arti” të Firences, u shpreh kundër vendimit për shembjen e teatrit, duke përmendur të njëjtin argument. Në një shkrim sot për Teatrin Kombëtar, Rocca u shpreh:
“Përtej çdo leximi politik, këtu nuk bëhet fjalë për çështje nostalgjikësh, aq më pak nga ana ime, por thjesht për mbrojtjen e një koncepti të thjeshtë: shtresëzimi historik i arkitekturës.”