USAID dhe CBS, mbështetje agrobiznesit për 59 milionë dollarë, 1500 vende pune  

Nga Exit News
USAID dhe CBS, mbështetje agrobiznesit për 59 milionë dollarë, 1500 vende pune  

USAID dhe Creative Business Solutions (CBS) shënuan përfundimin e projektit të tyre 5-vjeçar SmartCapital përmes një takimi online të mërkurën. Rezultatet e paraqitura nga partnerët treguan se projekti ndihmoi 1.000 agrobiznese për të siguruar 59 milionë dollarë investime dhe çoi në hapjen e 1.500 vendeve të reja të punës.

SmartCapital synonte të udhëzonte fermerët dhe agrobizneset drejt sigurimit të financimit për investimet e tyre të reja, mbështetje për marrjen e teknologjive moderne, ndihmë në përdorimin e platformave dixhitale për financime dhe shitje të produkteve, dhe për certifikimin e produkteve shqiptare në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Përfaqësuesja e USAID në Shqipëri, Mikaela Meredith vuri në dukje se përvoja e projektit do të vazhdojë të ndihmojë fermerët të rritin bizneset e tyre.

Ajo përgëzoi Creative Business Solutions, partneri zbatues të projektit, e cila e përqendron aktivitetin e evet në konsultim, për punën dhe planet për krijimin e një fondi privat aksionesh në rajon.

Drejtori Ekzekutiv i CBS dhe Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Enio Jaco tha se përparësitë kryesore të projektit ishin afrimi i komunitetit të agrobiznesit me standardet evropiane dhe forcimi i marrëdhënieve tregtare mes SHBA dhe Shqipërisë.

Ai u paraqiti pjesëmarrësve tre shtyllat kryesore mbi të cilat do të vazhdojë mbështetja për këto biznesë: Shërbimet e Konsulencës për asistencën teknike për bizneset, Platformat Dixhitale për të lehtësuar lidhjen midis institucioneve financiare dhe agrobizneseve, si dhe shitjen e prodhimeve bujqësore përmes internetit, Fondi i Kapitalit Privat, i pari në Shqipëri, do t’u ofrojë sipërmarrësve mundësi financimi jashtë sektorit bankar.

Gjatë periudhës së zbatimit të projektit, CBS zhvilloi dy platforma dixhitale për të lehtësuar kreditimin për fermerët. LORES lidh fermerët me bankat dhe lehtëson kreditimin e sektorit të bujqësisë, ndërsa Agro Trade është platforma e parë e tregtisë elektronike në Shqipëri që mundëson eksportin e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

CBS do të vazhdojë të ofrojë ndihmë teknike për fermerët përmes tre degëve të saj në Tiranë, Korcë dhe Lushnjë.

Serge Guay, një ekspert ndërkombëtar bankar theksoi rëndësinë e përdorimit të produkteve të teknologjisë financiare për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla të mesme në vend, si një domosdoshmëri e diktuar edhe më shumë nga situata e krijuar nga pandemia globale Covid-19.

Duke folur për iniciativën e CBS-së për krijimin e një fondi privat, Gavin Ryan, ekspert i Bankës Botëror, nënvizoi potencialin për zhvillimin e sektorit shqiptar të NVM-ve dhe mundësitë që hap një financim i tillë alternativ.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>