Një ngjarje e jashtëzakonshme po mahnit prej një jave mbarë Evropën dhe po i bën krenarë shqiptarët anembanë botës.
Prej disa ditësh, fotografitë e Manushaqe Likës, një vajzë e thjeshtë nga Tirana, po bëjnë xhiron e botës.
Çdo gjë filloi fare rastësisht. Manushaqja shkoi para dy javësh në Amsterdam për të takuar vajzën e xhaxhait, të martuar me një hollandez. Të hënën e shkuar, rreth orës 10:13 minuta, Manushaqja po bënte xhiro e shkujdesur në rrugën De 9 Straatjes, ndërkohë që reporterja e famshme hollandeze Caroline van der Pol po pyeste qytetarët rreth një projektligji shumë të debatuar në parlamentin hollandez.
Ndërsa Manushaqja po kalonte para saj, Caroline ju drejtua asaj në hollandisht, pasi e pandehu për hollandeze.
Kur Manushaqja i tha se ishte shqiptare, Van Der Pol nuk e besoi, por pas këmbënguljes së Manushaqes ajo u bind.
Duke e mbytur në komplimenta për pamjen, Caroline i tha Manushaqes se ajo nuk arrinte ta besonte si ishte e mundur që Manushaqja, edhe pse shqiptare, kishte buzë, gjoks dhe bythë si çdo evropian i zakonshëm. Madje Caroline pranoi se gjinjtë e Manushaqes ishin më të bukura se gjinjtë e shumë anglezeve dhe gjermaneve që ajo kishte takuar në jetë.
Po ajo çka e habiti më shumë Carolinen ishte fakti se Manushaqja fliste duke lëvizur nofullën e poshtme dhe nxirrte një zë të shtruar e të ëmbël, me timbër tipik europiano-perëndimor.
Nga mahnitja, Caroline van der Pol vendosi, aty për aty, të bënte një reportazh për Manushaqen. Reportazhi i titulluar “Shqiptarët janë gati-gati njerëz si ne” shoqërohej me dhjetra foto të Manushaqes duke prekur buzët, vithet, flokët e pjesë të tjera të trupit apo duke bërë shenjën e shqiponjës para gjoksit të zbuluar.
Artikulli u përhap menjëherë në rrjet dhe fotografitë e Manushaqes u ribotuan në shumë media evropiane. Tashmë këto fotografi po i çmendin të gjithë, pa përjashtim: anglezët, francezët, belgët, gjermanët, polakët…
Mediat hollandeze kanë raportuar rreth 32 raste qytetarësh që vrapojnë kuturu rrugëve të Amsterdamit pas kontaktit me fotot e Manushaqes. Vrapues të çmendur nga gjinjtë e Manushaqes janë parë edhe në Kroaci, Danimarkë, Finlandë e Angli.
“Gjinj të tillë,” u shpreh James, 23 vjeç, nga Gloucester i Britanisë, para se të fillonte të vraponte si i çmendur “mund t’i arrijnë vetëm kombe të përparuara dhe shkolluara”. “Jam i bindur”, vazhdoi ai, “se sistemi arsimor në Shqipëri duhet të jetë nga më të zhvilluarit në botë.”
Kurse Nicole, nga Parisi, u shpreh se bythë të bukura si të Manushaqes mund të jenë rezultat vetëm i “një kulture të lashtë. Gjykuar nga to, mendoj se shqiptarët duhet të jenë një popull me kulturë të pandërprerë mijëra vjeçare dhe histori të pasur,” theksoi ajo.
Duke folur për median vendase, Ambasadorja shqiptare në Hollandë u shpreh se “Shqipëria ndihet krenare për bijën e saj, e cila si rezultat konkret i reformave të Kryeministrit Rama, ka arritur të tregojë se arti shqiptar është i një niveli aq të arrirë, sa Hollanda duhet të hapë patjetër një ekspozitë me skica të Kryeministrit Rama.”
Suksesi i Manushaqes, veçanërisht i gjoksit e bythëve të saj, erdhi si një lajm i shumëpritur për kombin shqiptar, i cili më në fund ndihet i vlerësuar dhe i respektuar në botë. Prej një jave, mediat e Shqipërisë dhe Kosovës i kanë kushtuar gjinjve të Manushaqes titujt kryesore të tyre, duke theksuar, ndër të tjera, ndikimin e madh që ato priten të kenë në procesin e integrimit në BE.
Ndërkohë, mijëra shqiptarë të thjeshtë e kanë përshëndetur këtë arritje të kombit tonë, duke postuar komente, falenderime dhe vlerësime të panumërta në Facebook e Twitter për Manushaqen. Në shumë prej postimeve theksohet fakti se gjinjtë e Manushaqes nuk janë një rast i shkëputur, pasi kombi jonë ka shumë të tillë.
“Deri më sot, ne ishim munduar të përvetësonim si shqiptare gjinjtë e Jennifer Lopez apo Sandra Bullock, duke nënvlerësuar tonat” u shpreh Moza 56 vjeç, nga Tirana, e cila shtoi se “tani, falë vetëdijësimit që solli Manushaqja për vlerat tona, shqiptarët ndihen krenarë dhe qëndrojnë kryelartë krah vendeve më të zhvilluara të botës.”
Historia e Manushaqes ka ngjallur, natyrshëm, një valë optimizmi mes të gjithë qytetarëve në Shqipëri. “Kisha vendosur të largohesha jashtë shtetit, në Hollandë,” shkruan në Facebook, Genci, 19 vjeç, nga Fieri, “por kur pashë se ato që unë kërkoja në Hollandë, ne i paskemi në Shqipëri, vendosa të mos e braktis kurrë atdheun” mbyll ai postimin e tij, të cilin e shoqëron me një fotografi, në të cilën me duart vendosur mbi zemër ai ka formuar shqiponjën me dy krena.