Kompania gjermane BioNTech dhe ajo amerikane Pfizer morën të mërkurën dritën jeshile për të testuar në njerëz një version vaksine anti-Covid-19.
Instituti Paul Ehrlich deklaroi se rregullatori i vaksinave në Gjermani e ka miratuar testimin në njerëz.
Testimi do të kryhet në fazën e parë me 200 vullnetarë të shëndetshëm, të moshës 18 deri në 55 vjeç.
Në fazën e dytë, testimi do të përfshijë edhe njerëz me rrezik më të lartë nga sëmundja.
Autoritetet nuk saktësuan një datë se kur do të nisë testimi, por ata u shprehën optimistë se një vaksinë e efektshme kundër koronavirusit mund të zhvillohet brenda vitit.
Shkencëtarë nga Universiteti i Oksfordit në Britaninë e Madhe do të nisin më 23 prill testimin e një versioni tjetër vaksine.
Po kështu testime në njerëz të llojeve të vaksinave po kryhen në Kinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mbi 2,6 milionë njerëz në botë janë infektuar nga Covid-19, ndërsa 178 mijë prej tyre kanë vdekur.