Sipas të dhënave të kompanisë Johnson& Johnson, vaksina e prodhur prej tyre ka ngjallur reagime më të fuqishme imunitare ndaj variantit Delta të koronavirusit, sesa ndaj variantit Beta që është më pak i trasmetueshëm.
“Ne besojmë se vaksina jonë ofron mbrojtje të qëndrueshme kundër COVID-19 dhe shkakton aktivitet neutralizues ndaj variantit Delta,” citohet nga Reuters shefi i Shkencave pranë Johnson & Johnson, Paul Stoffels.
Por, ndërkohë, ekspertët e sëmundjes besojnë se vaksina e J & J mund të kërkojë një dozë përforcuese, Pfizer ose Moderna, për të qenë më efektive kundër variantit Delta.
Një pretendim i tillë hidhet poshtë nga zyrtarët e shëndetit publik amerikan, që mendojnë se nuk ka të dhëna klinike për të mbështetur hipotezën.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se Delta do të bëhet së shpejti varianti mbizotërues global i COVID-19. Studimet në Evropë kanë treguar se një gjë e tillë do të ndodh në fund të muajit gusht.
Kjo ka ngritur shqetësime mbi efektin e vaksinave ekzistuese ndaj variantit më ngjitës që ka prodhuar virusi deri tani.
Por, të dhënat paraprake sugjerojnë se vaksinat Pfizer/BioNTech, AstraZeneca dhe Moderna ofrojnë mbrojtje ndaj variantit Delta, por me një përqendrim më të ulët të antitrupave që prodhohen.