Vaksinimi kundër COVID-19 do të bëhet i detyrueshëm edhe për punonjësit e administratës, policët, farmacistët dhe laborantët, sipas zëvendës ministres së Shëndetësisë, Eugena Tomini.
Pasi vaksinimi u bë i detyrueshëm për mjekët, arsimtarët dhe studentët, Tomini tha për Top Channel se është vënë re një trend në rritje për t’u vaksinuar nga ky grup.
Megjithatë zv.ministrja nuk ka dhënë një datë se kur do të merret vendimi për bërjen e detyrueshëm të vaksinimit për kategoritë e tjera.
Vaksinimi i detyrueshëm ka hasur kontestime në Shqipëri pasi disa e konsiderojnë si shkelje të së drejtës së njeriut.
Në Shqipëri janë aktualisht 11 288 të infektuar me COVID-19 dhe 114 pacientë të shtruar në spitalin infektiv.
Mbi 600 mijë qytetarë janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19.
Në Shqipëri vaksinimi i detyrueshëm është bërë edhe në shkollën e magjistraturës.
Kompani ndërkombëtare si Google dhe Facebook kanë bërë të detyrueshëm vaksinimin për punonjësit e tyre.
Franca gjithashtu e ka bërë të detyrueshëm vaksinimin për punonjësit e shëndetësisë ndërkohë që lokalet iu kërkojnë gjithashtu klientëve të jenë të vaksinuar për t’iu shërbyer.
Greqia i ka hapur rrugë vaksinimit të detyrueshëm për disa kategori të caktuara.
Pentagoni njoftoi se vaksinimi do të jetë i detyrueshëm për të gjithë punonjësit e ushtrisë amerikane.
Kryeministri Italian, Mario Draghi pranoi se qeveria po planifikon të bëjë të detyrueshëm vaksinimin për të gjithë popullsinë.