Javën e shkuar isha në Stadiumin Kombëtar për të mbështetur vajzat e Shqipërisë U-16 në fitoren e tyre të tretë radhazi ndaj Malit të Zi.
Ndeshje emocionuese. Kapitenja Aglia Iliadhi – e denjë për shiritin dhe fanellën me numrin 5 të Lorik Canës – dhe gjithë vajzat e tjera e shprehnin pasionin e tyre me çdo vrapim, goditje topi apo dhe goli.
Një pasion i pastër dhe frymëzues njësoj si rezultati i 3 fitoreve me 11 gola (3-1 ndaj Gjeorgjisë; 3-1 ndaj Lituanisë; 5-2 ndaj Malit të Zi) që premton shumë për të ardhmen.
Fatkeqësisht kënaqësia që buronte nga fusha trazohej nga shqetësimi që të jepte sjellja e fëmijëve në tribunë. Ministria e Arsimit kishte koordinuar që ndeshjet të ndiqeshin nga rreth 5 mijë nxënës të shkollave të Tiranës. Sigurisht vendim për t’u përshëndetur, por që nxorri në pah nivelin e kulturës sportive.
Shumica e fëmijëve të pashoqëruar hodhën disa herë shishe dhe ofenduan vajzat që ishin në fushë. Të tjerë tymosën cigare, kontrolluan barin nëse mund të pinin birrë, hipën, qëndruan dhe kërcyen mbi stola. Këto, pothuajse gjithmonë i godisnin dhe shqelmonin për të bërë zhurmë.
Përpjekja e punonjësve të sigurisë për t’i ndalur dhe qortuar stepej nga fakti se përpara kishin fëmijë.
Më bëri përshtypje. Të rinjtë po i hidhnin sendet në fushë si imitim i modelit të parë prej të rriturve. Por nëse vandalët e rritur, zakonisht i hedhin në shenjë revolte ndaj lojës apo rezultatit, vandalët e vegjël po i hidhnin si tregues guximi, fitoreje krah autoritetit të mësuesve, apo arritje krah moshatarëve të tjerë jo vandalë që nuk silleshin ashtu.
Filmova dhe fotografova disa momente, jo për të denoncuar ndokënd prej fëmijëve, por për të denoncuar atë që premton e ardhmja e edukatës sportive.
Sepse nëse prej fushës po marrim kënaqësinë e shpresës se mund të kemi rezultate të mira, prej tribunave po zhgënjehemi nga dhuna, vandalizmi dhe huliganizmi.
Një javë më pas, vandalët e mëdhenj thyen rreth 165 stola në ndeshjen Tirana-Kukësi. Kjo më rikujtoi sjelljen e vandalëve të vegjël dhe më erdhi natyrshëm si shpjegim se nga buronte frymëzimi i tyre.
Në dhjetor pas ndeshjes Partizani-Tirana u thyhen gjithashtu mbi 65 stola, ndërkohë që u hodhën shishe dhe flakadanë në fushë. Derbin tjetër të kryeqytetit, që u luajt në Selman Stërmasi, tifozë të shumtë u rrahën, mes tyre kishte dhe adoleshentë.
Më shumë se akte ndaj stadiumit të ri, vandalizmi është trend i kulturës së të bërit tifo në Shqipëri. E keqja më e madhe në këtë mes është se ky fenomen nuk po trajtohet siç duhet.
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka dënuar vazhdimisht sjelljet vandale dhe ka kërkuar mirëkuptimin e tifozerive që “sëbashku t’i kthejmë stadiumet në mjedise familjare, ku mbizotëron festa sportive dhe jo dhuna dhe aktet vandale”.
Kryeministri Edi Rama e ka parë zgjidhjen te burgu, ndërkohë që të tjerë në rrjetet sociale janë shqetësuar për koston e dëmeve, të cilën sipas tyre duhet ta paguajnë medoemos autorët dhe jo klubet.
Por më shumë se sa kostoja e 100-200 stolave, opinionin, FSHF-në, Ministrinë e Arsimit, Kryeministrin dhe të gjitha klubet sportive duhet ta shqetësojë kultura e mangët që ata përcjellin, sidomos te fëmijët.
FSHF bashkë me Ministrinë e Arsimit, klubet dhe tifogrupet duhet të hartojnë me vrap një program në shkolla se si t’i edukojnë fëmijët, në mënyrë që sporti dhe vlerat sportive të jetë frymëzimi i tyre dhe jo vandalizmi apo dhuna.