Gjykata e Durrësit ka konfirmuar sot në mënyrë të dyshimtë mandatin e kryebashkiakes së zgjedhur të këtij qyteti, Valbona Sako.
Gjyqtari Shpëtim Reka ka pranuar të gjykojë një çështje të gjykuar nga e njëjta gjykatë, para dy ditësh, dhe të japë vendim tjetër nga ai i marrë nga kolegia e tij Mimoza Margjeka.
Vendimi i Rekës është skandaloz, bie ndesh me çdo parim të shtetit të së drejtës dhe me vetë ligjin që nuk lejonin shqyrtimin dy herë të së njëjtit objekt nga e njejta gjykatë.
Sikurse ne bëmë të njohur më herët, në vend të apelimit të vendimit të gjyqtares Margjekaj, socialistët kanë vendosur që ta rishqyrtojnë edhe një herë çështjen në Gjykatën e Durrësit.
Dje, në Gjykatën e Durrësit kanë shkuar kryebashkiaku aktual Vangjush Dako dhe kryebashkiakja e zgjedhur Valbona Sako dhe janë takuar me kryetaren e gjykatës Joana Qeleshi.
Duket se të tre kanë bërë planin për të krijuar një proces paralel drejtësie që do të konfirmonte mandatin e Zonjës Sako.
Pas këtij takimi, Partia Socialiste ka dorëzuar në gjykatë kërkesën për shqyrtimin e mandatit.
Kryetarja Joana Qeleshi ka manipuluar shortin duke ia caktuar çështjen gjyqtarit Shpëtim Reka, një mbështetës i njohur socialist.
Kërkesa e PS-së nuk duhej të merrej fare në konsideratë, jo vetëm se nuk mund të rishqyrtohej nga e njëjta gjykatë, por edhe sepse “kërkuesja Partia Socialiste” nuk mund të legjitimohej, për dy arsye:
Së pari, kandidatja Valbona Sako ka qënë kandidate e Aleancës për Shqipërinë Evropiane dhe jo e Partisë Socialiste.
Së dyti, mandati është dhënë në emër personal dhe jo në emër të koalicionit apo të Partisë Socialiste, ndaj i vetmi subjekt që legjitimohet për kërkesën e njohjes së mandatit është vetë kandidatja.
Ky është rasti i parë në historinë e Shqipërisë, kur një parti politike kërkon legjitimin e kryebashkiakut të zgjedhur.
E gjithë kjo manovër është bërë vetëm për të anashkaluar vendimin e gjyqatares Margjeka për mosdhënien e mandatit para dy ditësh.
Të përplasur para provave të pakundërshtueshme ligjore dhe me frikën se Gjykata e Apelit do ta rrëzonte mandatin e Sakos, Vangjush Dako dhe Edi Rama në bashkëpunimin me Kryetaren Joana Qeleshi, kanë gjetur një gjyqtar të bindur, i cili ka marrë përsipër të shkelë ligjin në mënyrë flagrante dhe të konfirmojë kështu mandatin e Valbona Sakos.