Franca po përjeton rritje të infektimeve me COVID-19 për shkak të variantit Delta raporton AFP, duke cituar ministrin e shëndetësisë Olivier Veran.
Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 18 mijë raste të reja.
Veran deklaroi në parlament se infektimet janë rritur me 150% në javën e fundit,
“Kurrë nuk e kemi parë një gjë të tillë, as me Covid-in e parë, as variantin britanik, as atë të Afrikës së Jugut ose atë brazilian.”, tha ai.
Franca po përgatitet për një valë të katërt të infeksioneve për shkak të përhapjes së variantit Delta, ndërsa ka vendosur të përshpejtojë sa më shumë vaksinimin.
Ata që duan të hanë në restorante, të shkojnë në kinema ose të udhëtojnë me tren në distanca të gjata duhet të jenë të vaksinuar ose të paraqesin teste negative.
Nga shtatori e në Francë vaksinimi do të bëhet i detyrueshëm për punonjësit e sistemit shëndetësor dhe të azileve.
Rritje shqetësuese të rasteve ka raportuar edhe Mbretëria e Bashkuar. 46 558 raste të reja janë regjistruar nga autoritetet në 24 orët e fundit ndërsa numri i viktimave (96) është më i larti që nga muaji mars.
Hollanda ka raportuar javën e kaluar rreth 52 mijë raste të reja infektimesh me Covid-19. Shifra përbën një rritje prej 500% të rasteve javore, pasi vendi hoqi pothuajse të gjitha kufizimet, ëprfshirë rihapjen e klubeve të natës, në fund të qershorit.
Në SHBA, varianti Delta tashmë është përgjegjës për 83% të infektimeve sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Dy javë më parë, varianti Delta përbënte vetëm 50% të infektimeve dhe kjo tregon se ai po përhapet me shpejtësi.
Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria është i vetmi vend që ende nuk ka konfirmuar të prekur me variantin Delta. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se janë dërguar për analiza disa mostra të cilat mendohet se mund të jenë raste të infektimit me këtë variant.