Varrimi i një Armiku të Popullit — histori për të mos u humbur

Nga Ana Mborja
Varrimi i një Armiku të Popullit — histori për të mos u humbur

Shkëput një ngjarje nga arkivat sekrete të kohës. Mbështille me muzgun e një nate të errët e të ftohtë dimri dhe zbrite diku në rrugicat e përbaltura të Shqipërisë së viteve 1980-tw. Përzgjidh një sfond bardhezi dhe me penelin impresionist, zhyte në mjegullnajën vjollcë, gri dhe të kuqe, të ngjyrave të kohës. Mbushe skenën me gladiatorë, me hije që dridhen, me xhelatë duarpërgjakur dhe turma në ekstazë. E në mes të kësaj rrëmuje, një fëmijë i përvuajtur, me një tufë lulesh në dorë e një rrëfim rrënqethës. Surrealizëm? Jo! Është novella Varrimi i një Armiku të Popullit e autorit Glori Husi. Novela sapo është botuar nga Botimet Dudaj dhe gjendet në libaritë e Tiranës dhe të qyteteve kryesore.

“Varrimi i një Armiku të Popullit është një dedikim modest ndaj të gjithë atyre që iu vodh rinia, ëndërrat dhe vetë jeta”, thotë për Exit autori Glori Husi. “Rrëfimi është bazuar mbi ngjarje të vërteta të ndodhura në Shqipërinë komuniste, të cilat vijojnë të shkaktojnë dhimbje dhe indinjim për qindra mijëra familje, që kurrë dhe nga askush nuk iu shpreh ndjesë.”

“Mendo për një çast, ndërsa ne diskutonim në orët e letërsisë për vlerat e jashtëzakonshme artistike të “Ferrit” të Dantes, pak më tej, me mijëra zvarriteshin e humbisnin përditë nëpër rrathët e tij. Shpesh, i portretizojmë si një grup i veçuar i shoqërisë shqiptare: “të përndjekurit”, “të shpronësuarit”. Në fakt, ata ishin familjarët tanë, fqinjët, të afërmit, shoku i bangës, mësuesi, e fejuara; shqiptarë po aq të ndershëm, po aq patriotë dhe me po aq dashuri për jetën, sikundër gjithsecili prej nesh. Për mendimin tim, këta janë heronjtë e pashpallur të kombit tonë”, përfundon autori.

Historia tejet e dhimbshme e gjyshit “të panjohur” dhe përpjekjet sfilitëse të familjarëve për t’i shpëtuar të paktën dinjitetin njerëzor, janë padyshim dy elementët që prekin dhe solidarizojnë lexuesin me “heronjtë e pashpallur” të novelës. Rrëfimi në vetën e parë, i kombinuar me naivitetin e perceptimit fëminor, e intensifikon absurditetin dramatik të mjedisit. Përshkrimi “realist” i aspekteve të jetës, përçon një ikonë sarkastike dhe therëse të zvetënimit material e shpirtëror të shqiptarëve nën regjimin Orwellian. Zhvendosja në kohë e ngjarjeve, nxjerr mjeshtërisht në pah stanjacionin e shoqërisë shqiptare dhe institucioneve të saj. Stili sekretiv i rrëfimit e mban lexuesin të tensionuar dhe kurreshtar deri në fund.

Enigmë, satirë dhe tragjedi. Novela “Varrimi i një Armiku të Popullit” hyn në fakt në kategorinë e librave që lexohen me kërshëri dhe “me një frymë”.

Fragment nga libri

Me qindra gropa ishin hapur në shesh dhe pirgjet e baltës së freskët kishin përlyer horizontin në ngjyrë kafe. Në krye të çdo grope, rrinin ulur këmbëkryq rojtarë të veshur me xhaketa ngjyrë hiri. Në krah të majtë u varej një shami e kuqe me një yll të verdhë në mes. Në prehër mbanin defterë shumëfletësh, mbi të cilët shënonin me laps të zi. Një lukuni njerëzish lakuriq vërtitej me kazma dhe lopata në duar nga një gropë tek tjetra, hidheshin brenda dhe gërmonin dheun me furi. Mezi ngopeshin me frymë, turinjtë u gulçonin dhe nga gojët u dilte shkumë e bardhë. Kalemxhinjtë u thërrisnin nga buza e gropës, ‘Shpejt, shpejt, duhen mbyllur gropat sa më parë!’

***

Në dallim nga biblioteka e nanës, kjo e teta Ritës ishte e mbushur “dinga” me libra të rinj. Duheshin orë të tëra për t’u lexuar gjithë ata tituj: në raftet e katit të parë, djathtas, “Si të bëjmë punë dore”, “Kompania e fatosave mirëmban këndin e emulacionit socialist të lagjes”, “Pionierët shkruajnë parrulla në mal”; në raftet mbi to, “Për një kokërr misri”, “Katerina ra me grushtin përpjetë”; në raftet më sipër, “Në emër të popullit”, “Lumi fle, hasmi rri zgjuar”, “Si e kapi Vojoja diversantin për fyti”, në anën e majtë të rafteve në kat të parë, “Shkëmbi u dorëzua”, “Djersa na ndriçon në ballë”, “Me duart me kallo”, “Ata që ndalën kohën”, “Do të bëhem mjelëse”, “Në malet e thellë, gëlon puna dhe jeta socialiste”, “Merreni dhe lopën time!”; në katet mbi to, “Rroftë Shteti i Diktaturës së Proletariatit”, “Të luftojmë rehatinë personale”, “Kolektivizimi, arritja më historike e popullit tonë”, “Çlirimi nga ndjenjat personale sjell lumturinë”. Ndërsa në raftet e fundit, kishte vetëm libra me kapakë të kuq mbi të cilët ishte shkruar me shkronja të mëdha e të verdha “Vepra“, por ato ishin shumë lart dhe gishti im i vogël nuk i arrinte dot.

Të nesërmen i kërkova falje Gjonit dhe e pyeta se çfarë kishte bërë gjyshi i tij që ishte në burg.

‘Mesa kam dëgjuar nga bisedat e të rriturve, gjyshin e dënuan se ka qenë prift,’ m’u përgjigj Gjoni me zë të ulët.

‘Po xhaxhai?’ pyeta unë.

‘Ai u shpall armik i klasës.’

‘I cilës klasë?’

‘Nuk e di, ndoshta i ndonjë klase të shkollës së natës …

***

“Shshshsht…,” dëgjova Martinin të më pëshpëriste lehtë afër veshit. Nuk arrita të ktheja mirë kokën, kur ndjeva dorën e tij të më tërhiqte për poshtë. Qëndruam kështu një copë here të mirë pa kuptuar çfarë po ndodhte.

Kur … ja! Ja, ja … aty! Rreth tridhjetë hapa më tej, një thëngjill i kuqërremtë shkëlqente fare zbehtë midis kaçubeve. Picërrova sytë t’i shquaja siluetën, por përveç thëngjillit të kuqërremtë, nuk arrita të dalloj asgjë. (‘Dikush po na përgjon’) më vetëtiu në mendje. Duhet të kishte kohë që na ruante prej asaj ane. Mesa dukej kishte ndezur cigare dhe po e tymoste duke na përgjuar. Vendin e vrojtimit e kishte zgjedhur me shumë kujdes midis kaçubave, tre-katër hapa në krah të shtegut, që dhe ne të mos e dallonim, por edhe të largohej me shpejtësi po të qe nevoja. Zgjata ngadalë dorën e djathtë dhe preka bishtin e lopatës. Sytë e kuq morën një kthesë të beftë … u lëshua për poshtë, duke u hedhur lehtë në rrugën e pashtruar automobilistike drejt qytetit. Bishtin e tërhiqte pas…

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>