Vasili, Shqipëria e para në Europë për borxhin e lartë të padeklaruar

Nga Exit News
Vasili, Shqipëria e para në Europë për borxhin e lartë të padeklaruar

Nënkryetari i LSI Petrit Vasili denoncoi të premten se Shqipëria është vendi që ka përqindjen më të lartë në Europë të borxhit publik të padeklaruar.

Në një deklaratë për median, Vasili akuzoi qeverinë Rama se nuk deklaron si pjesë të borxhit publik kontratat koncesionare e PPP-të, duke e bërë sot Shqipërinë të parën në Europë për borxhin e fshehur.

Vasili krahasoi Shqipërinë me vendet e tjera të BE-së:

“Shqipëria është vendi që ka shifrat më të frikshme nga ana ekonomike se çdo vend tjetër europian. 9.5 për qind e borxhit publik të padeklaruara e të papërfshirë në buxhet.

 Kroacia 0.11 për qind, vend europian, Bullgaria 0 për qind, Rumania 0 për qind, Sllovenia 0 për qind, Italia fqinje 0.02 për qind.

Shqiptarët paguajnë koncesione pafund, qeveria merr borxhe pa mbarim, pra e ngarkon pafundësisht me borxhe të tmerrshme si asnjë vend në Europë.”

Vasili theksoi se megjithëse qeveria Rama ka marrë borxh si asnjë qeveri më parë, qytetarët sërish nuk jetojnë më mirë sepse paratë e marra borxh shkojnë në xhepat e oligarkëve të koncesioneve:

“Borxhet përfunduan në xhepat e oligarkëve, klientëve të qeverisë, ju rrëmbyen popullit. Është kaq e qartë sepse qeveria është njësh me oligarkët. Marrim borxh dhe varfërohemi, ndërkohë që majmin dhe fryjmë oligarkë e qeveritarë.”

Duke folur për grevën e naftëtarëve, Vasili tha se ai është rasti i pastër që tregon abuzimet e qeverisë në kurriz të qytetarëve shqiptarë:

“Në Ballsh po konsumohet një tragjedi njerëzore e vërtetë. Nëna, gra, burra të robtuar, kanë një jetë të tërë që punojnë në naftë, me një shëndet të shkatërruar. U bën karshillëk kryeministri, i kanë vjedhur, i kanë plaçkitur dhe i bëjnë karshillëk për pagat. Çfarë ka ndodhur me pagat e tyre?

Vetëm në vitin 2016, plot 60 milionë euro detyrime nga taksat nuk iu morën kompanive të naftës, u futën në xhepat e tyre dhe u ndanë me qeverinë, dhe i mungojnë buxhetit të shtetit. Buxhetit të Shtetit i krijohen gropa të mëdha ndërkohë para për të paguar pagat e 2016 së naftëtarëve, nuk ka.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>