Duke nisur nga ora 17:30 e të premtes, 24 prill dhe deri në orën 05:00 të së hënës, 27 prill, do të ndalohen të gjitha lëvizjet e qytetarëve, ngjashëm me fundjavat e kaluara.
Gjatë këtyre ditëve, dyqanet, tregjet, farmacitë dhe çdo shërbim tjetër do të jenë të mbyllura, përveç ushqimit delivery. Ndërsa në rrugë do të lejohet vetëm qarkullimi i policisë, ambulancave dhe mediave.
Pritet që kryeministri Rama të lajmërojë grupet e përjashtuar që do të lejohen të lëvizin, siç ishin të moshuarit dhe nënat me fëmijë, fundjavës së kaluar.
Zëvendësdrejtori i Policisë për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, deklaroi në Report Tv, se policia do të vazhdojë vëzhgimin e rrugëve me drone për të gjetur qytetarët që shkelin izolimin:
“Qëllimi i kontrollit me dron është sensibilizimi i qytetarëve në lidhje me kërkesat dhe detyrat e aktit.
Ne veprojmë duke ngritur dronin në zona problematike duke filmuar territorin dhe aty evidentojmë shkeljet duke u fokusuar tek qytetarët dhe njësitë tregare. Më pas përmes patrullave të policisë bëjmë identifikimin dhe fillojmë procedurat e masave administrative.”