Qëndresa e qytetarëve dhe opozitës në çadrën përpara kryeministrisë ka hyrë në ditën e saj të katërt. Gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme, qytetarët folën për protestat e të rinjve në 20 shkurtin e vitit 1991.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha, në një lidhje direkte me emisionet Opinion dhe Top Story, deklaroi se qytetarët e opozita janë të vendosur ta vazhdojnë kauzën e tyre për zgjedhje të lira e të ndershme deri në fund.
Kryeministri dhe kjo mazhorancë dështuan me qëllim t’i japin vendit reformën zgjedhore. Dy rrugë ka për qeveri teknike; njëra është reflektim i mazhorancës dhe tjetra është rruga e përballjes deri sa një nga palët të tërhiqet. Do të ketë vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, vendi nuk ecën asnjë milimetër drejt Bashkimit Europian.
Deputetja Dhurata Çupi deklaroi për OraNews se protesta do të vazhdojë të jetë paqësore, por se nuk përjashtohet mundësia e një greve urie.
Ky është një leksion i jashtëzakonshëm për këto 27 vite që me zotin Basha bëhen protesta paqësore për kauza të rëndësishme. Të gjitha opsionet mbeten, nuk do të donim që ta kthenim këtë protestë kaq paqësore në grevë urie. Por padyshim që do t’i izaurojmë të gjitha mundësitë që të jep demokracia.
Gjatë ditës së sotme, eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, do të takojë kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Nuk dihet ende nëse eurodeputeti do të vizitojë çadrën e qëndresës.