Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë sot vendimet për tre magjistratë: dy gjyqtarë dhe një prokuror, në kuadër të procesit të vetingut.
Kështu, KPK konfirmoi sot në detyrë kryetaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, Alma Kolgjoka. Vendimi u mor nga Suela Zhegu, Brunilda Bekteshi dhe Valbona Sanxhaktari.
Gjyqtarja Kolgjoka mori vlerësim pozitiv për figurën nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, nuk rezultoi të kishte bërë deklaratë të rremë pasurie dhe në aspektin professional, KPK vlerësoi se gjyqtarja është në nivelet e duhura për të ushtruar detyrën si gjyqtare.
KPK konfirmoi në detyrë dhe prokurorin Arben Kraja, i cili punon pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Vendimi u mor nga Roland Ilia, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja. Kraja mori vlerësim pozitiv për të tre shtyllat e vlerësimit: pasuria, figura dhe aftësitë profesionale.
Ndërkohë KPK shkarkoi nga detyra gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Fatos Qaton, për shkak të mosjustifikimit të pasurisë. Vendimi u mor nga Valbona Sanxhaktari, Brunilda Bekteshin dhe Suela Zhegu.
KPK gjeti probleme me pasurinë e gjyqtarit, veçanërisht lidhur me shkollimin e vajzave në Holandë, arredimin e kushtueshëm të shtëpisë, një trajtim mjekësor në Gjermani, si dhe udhëtimet e shpeshta jashtë shtetit. KPK dyshon se gjyqtari Qato nuk ka deklaruar shpenzime familjare që shkojnë rreth 50 mijë euro.
Nesër KPK do të zhvillojë seanca dëgjimore me Eloida Goxhin, kryeprokurore në Prokurorinë, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, dhe me Alfred Progonatin, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.