Vdekja, Harabeli dhe Bleta: Lexim i instalacionit ‘Bleta’ të Sislej Xhafës në Landfillin e Sharrës 

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Vdekja, Harabeli dhe Bleta: Lexim i instalacionit ‘Bleta’ të Sislej Xhafës në Landfillin e Sharrës 

Më 1 korrik, artistë, kuratorë dhe të apasionuar pas artit u mblodhën në hyrje të landfillit të Sharrës në Tiranë për të marrë pjesë në inagurimin e veprës të artistit Kosovar Sislej Xhafa. Projekti u organizua nga “Platforma për Artin Bashkëkohor”  Harabel, e drejtuar nga Driant Zeneli dhe Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.

Landfilli i Sharrës ka qenë në qendër të debateve për shkak të vrasjes së një punëtori të mitur, Ardit Gjoklajt, i punësuar nga kompania e një drejtuesi të Partisë Socialiste. Ndërthurja e artit, politikës, lirisë së medias dhe krimit në prezantimin e veprës së Xhafës na lejon të këqyrim edhe një herë mënyrat përmes të cilave regjimi aktual në Shqipëri përpiqet vazhdimisht ta përdorë artin si fasadë për politikat e veta. 

Sharra

Landfilli i Sharrës është një vendgrumbullim mbetjesh në menaxhimin dhe përgjegjësinë e Bashkisë Tiranë. Në shkurt 2018, bashkia kontraktoi kompaninë 3R shpk me seli në Peqin dhe në pronësinë e kryetarit të PS-së për rrethin, Edurim Teqja, për të zbatuar një sistem për diferencimin dhe menaxhimin e mbetjeve.

Kryebashkiaku Veliaj  e vizitoi landfillin dy herë i shoqëruar nga skuadra e tij e medias, duke e reklamuar vendin si model të një vendi pune me standarde dhe që ofron mbrojtje të plotë për punonjësit. Ai i bëri thirrje veçanërisht komunitetit rom dhe komuniteteve të tjera më  pak të privilegjuara, të cilat rrëmojnë nëpër landfill në kushte të rrezikshme dhe jo higjienike për të mbledhur mbetje të riciklueshme e për t’i shitur, që të punësoheshin në mënyrë të ligjshme te 3R. 

Disa muaj më vonë, në 7 gusht, trupi i pajetë i 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj u gjend mes mbetjeve të landfillit të Sharrës. Ai ishte vrarë nga një eskavator teksa po punonte në landfill pa dokumente apo sigurime. Ajo çfarë pasoi ishte përpjekja nga ana e Bashkisë së Tiranës për të kontrolluar dëmin ndaj imazhit të saj publik, me qëllim ndalimin e çdo lajmi për vdekjen e Gjoklajt.

Emisioni Publicus i gazetarit investigues Artan Rama u mbyll nga Vizion Plusi, i cili është në pronësi të kompanisë së ndërtimit Edil-Al, pas hetimit që gazetari kishte bërë për aksidentin. Kompania më pas u përpoq pa sukses ta padiste atë për shpifje.

Gazetarja Alida Tota u pushua nga puna nga televizioni A1 News, pasi i kushtoi një kronikë lajmi Gjoklajt. Ndërsa kryebashkiaku Veliaj, zakonisht shumë i gatshëm të përqafojë fëmijë përpara kamerës kudo ku shkon, u fsheh nga sytë e publikut për disa ditë.

Ndërkohë, gjyqësori nuk hetoi a dënoi asnjë nga menaxherët apo drejtorët përgjegjës të 3R. Edurim Teqja asnjëherë nuk u akuzua zyrtarisht. Në dhjetor 2016,  pasi çështja u mbyll, prokurori i çështjes, Petrit Fusha, u fotografua duke ngrenë drekë me kryebashkiakun Veliaj. Fusha është po ashtu një i afërm i pronarit të Fusha shpk, kompania e ndërtimit e preferuar nga regjimi Rama. Licenca e Teqes u rinovua në 2019.

Vdekja e Ardit Gjoklajt në Landfillin e Sharrës, bllokimi i mëpasmë i zërit të medias, sin dhe dështimi i sistemit të drejtësisë janë shembuj të mënyrës se si vepron regjimi aktual. Të miturit vazhdojnë të vdesin në vendet e punës, gazetarët vazhdojnë të pushohen nga puna kur kritikojnë regjimin (edhe pse shumë organizata ndërkombëtare të lirisë së shprehjes vazhdimisht ngrejnë alarmin, aktorët ndërkombëtarë si BE vazhdojnë të bëjnë një sy qorr); dhe drejtësia mbetet e drejtë e atyre që kanë para dhe pushtet, pavarësisht se sa reformohet sistemi i drejtësisë.

Harabel

Sipas faqes në internet, Zeneli dhe Xoxa e themeluan Harabelin në 2018 në Bllok, ish-lagjen e nomenklaturës komuniste dhe aktualisht qendra e jetës së natës në Tiranë. Fillimisht Harabeli nisi si projekt që synonte të krijojnte një arkivë qendrore të artistëve shqiptarë dhe projekteve të artit, por zyrat e tyre në një prej zonave me më të shtrenjta të pronave të paluajtshme në kryeqytet ngriti menjëherë pikëpyetje për burimin e financimit dhe synimet e organizatës, të kanë mbetur pa përgjigje.

Pavarësisht pretendimit se janë një “arkivë e hapur e veprave të artistëve në Shqipëri”, është e qartë se disa artistë dhe projekte që kritikojnë regjimin nuk shfaqen në faqen e saj. Për shembull, Çeta, një nga grupimet më interesante të artit publik që kanë prodhuar art dekadën e fundit në Tiranë (përfshi edhe punime artistike për vdekjen e Gjoklajt) bie në sy me mungesën e saj në platformën e Harabelit. Që prej themelimit, Harabeli është bërë kanal kryesor për rrjedhjen e parave me origjinë të panjohur drejt atyre pjesëve të zgjedhura të skenës së artit shqiptar që mbajnë lidhje të ngushta me regjimin.

Zeneli u kthye në Shqipëri nga Italia në vitin 2017, dhe u promovua në qarqet e larta të jetës politiko-artistike të vendit si njëri prej artistëve të pakët që ishte i gatshëm të prodhonte art për Bunk’Art 2, si përfaqësues i Shqipërisë në edicionin e 58-të të Bienales së Venecias (për të cilën nuk pati garë të hapur), dhe si kurator i Bienales së Mesdheut.

Zeneli mbushi një boshllëk të rëndësishëm për regjimin e Ramës, pasi ishte njëri ndër të paktët artistë shqiptarë të gjeneratës së tij që u kthye në Shqipëri për të bërë karrierë, dhe nuk e kritikonte hapur atë regjim që sistematikisht është përpjekur ta përdorë jetën kulturore në vend për qëllime propagandistike, apo i ka hequr fondet dhe ka mbytur çdo zë kundërshtar.

Pra, ngjitja e shpejtë në rangjet kulturore mund t’i mvishet gatishmërisë së tij për të përfaqësuar regjimin dhe për të bashkëpunuar për krijimin e mirazhit të kësaj jete kulturore dhe artistike në Shqipëri, të cilën e kam analizuar thellë gjetkë.

Xoxa, me profesion juriste, nuk ka të shkuar domethënëse në art apo kulturë, por pjesmarrja e saj te Harabeli ndjek qartazi shtigjet e hapura nga ata që janë pasuruar rishtazi gjithandej në botë: pas grumbullimit të kapitalit monetar (pavarësisht sa i piste), nis grumbullimi i kapitalit kulturor. Megjithëse Xoxa e quan veten “promotore kulture”, në aktivitetet e organizuara së fundmi ajo ka hyrë në rolin e “krijueses së projekteve artistike bashkëkohore”, pavarësisht mungesës së ekspertizës. Në vakuumin kritik të krijuar qëllimisht dhe të ushqyer nga regjimi Rama, mediokriteti mund të sundojë mbi gjithçka. Nuk kemi pse të habitemi nëse Xoxa bëhen kuratorja e pavjonit të Shqipërisë në Bienalen e Venecias gjatë mandatit të tretë të Ramës si kryeministër.

Ashtu si Zeneli dhe Xoxa, Harabeli është produkt i asaj që mund ta quajmë “art artificial”. Pak pasi u krijua, ai mundi të shfaqte vepra të bashkëpunëtorit të kryeministrit Rama, artistit të famshëm Anri Sala, tek instalacioni “Reja” e arkitektit japonez Su Fuxhimoto (vendosur në 2016 që supozohej të ishte një instalacion i përkohshëm 3-vjeçar).

Kjo është pasuar së fundmi nga instalacionet e Ardian Pacit, Alban Mujës me veprën “Enough Is Enough” (“Mjaft më!“, por “mjaft” për çfarë?), dhe vepra e Sadik Spahisë “Zani”, që dyshohet se është financuar nga kompania e ndërtimti Fusha shpk. Asnjëra nga këto vepra nuk do të ishte vendosur pa lejen e qeverisë (pa dyshim dhënë nga përmes bashkëshortit të Xoxës) dhe pa buxhetet e mëdha për produksionin. Përdorimi i fondeve dhe i këtyre vendeve mund të shpjegohet vetëm me afërsinë dhe lidhjen intime të Harabelit me shtetin, megjithëse natyra e saktë e kësaj lidhjeje mbetet e errët.

Duke qenë se kam punuar me vite si kurator dhe aktivist në Shqipëri, e di mirë se sa pak fonde ka për kulturën dhe se si vuajnë për financim projektet vendore,kritike, të krijuara nga artistë, si Galeria Miza, Qendra Debatik dhe Tirana Art Lab. Arti publik në Tiranë ka një histori të pasur dhe plot debate, por është pikërisht mungesa e konfliktit që e bën Harabelin të shquhet. Pavarësisht se është fondacion jofitimprurës, me zyra në njërën prej kullave më të shtrenjta në Tiranë, Sky Toëer, Harabeli nuk ka treguar kurrë publikisht se nga i merr paratë dhe, për shembull, se sa i paguan artistët si Sala apo Paci për veprat e tyre, të cilat përndryshe shiten për dhjetëra mijëra euro.

Bleta

Ftesa për inagurimin e veprës “Bleta” të Sislej Xhafës.

Vepra e Sislej Xhafës, i cili jeton dhe punon në Nju Jork, quhet “Bleta”. Ftesa për inagurimin e saj tregon një imazh tapash shishesh të ngjitura në një tabelë të pistë. Në kontekstin e një vepre të titulluar “Bleta”, tapat e shisheve dhe vendndodhja e veprës menjëherë të sjell ndërmend mbledhësit e mbetjeve të riciklueshme në Tiranë, që gërmojnë nëpër kazanët e plehrave dhe në landfille si ai i Sharrës për të nxjerrë bukën e gojës. Ata vuajnë diskriminimin dhe racizmin dhe shpesh janë në shënjestër të policisë bashkiake për aktivitetin e tyre “të paligjshëm”.

“Bleta” këtu mund të lexohet si metaforë kritike për romët dhe egjiptianët, që mbledhin pjalmin (mbetjet e riciklueshme) në fushë (landfill) dhe e marrin në koshere (fabrika e riciklimit) – një koment i mundshëm për varfërinë, punën dhe ekonominë.

Por kur në fakt përballemi me instalacionin, duket sikur ka shumë pak lidhje me imazhin e servirur në ftesë. Pikë së pari është mjedisi ku është vendosur vepra: një fushë e mbushur me bar e tek-tuk me pemë të sapombjella. Kjo nuk është më vendi ku vdiq një punëtor i mitur; ky është një vend që do të hyjë te “pylli orbital” i Stefano Boerit.

Ngarkesa simbolike e imazhit na pushton edhe përpara se të ndërveprojmë me veprën e Xhafës. Kemi parë plot shembuj tronditës në të shkuarën, kur Veliaj pastruar imazhin përmes projekteve të gjelbra: përpjekjet e tij sistematike për të mbuluar mijëra projektet abuzive dhe të korruptuara të ndërtimit në qytet, gjithmonë të paraprira nga shembje dhe shpronësime të paligjshme, duke mbjellë pemë në periferij, sikur gjethet t’i bënin hije për t’i mbrojtur miliona eurove të pastruara në projekte ndërtimi nga mafia e drogës. Po këtu, në Sharrë, pemët nuk është se vetëm po mbulojnë korrupsionin dhe nepotizmin – këtu ato po mbulojnë vdekjen.

Në këtë kontekst të ngarkuar, “Bleta” merr një kuptim problematik, në rastin më të mirë. Së pari, duhet të merremi me faktin se pse vepra është vendosur pikërisht aty. Xhafa ka bërë një zgjedhje të ndërgjegjshme për të pranuar ftesën për të prodhuar një vepër arti publik në Tiranë, me ndihmën dhe, me sa duket, me financimin e Harabelit. Xhafa duhet ta kishte dikur kontekstin ku do ta prodhonte artin e vet — kontekst ku të pasurit dhe të pushtetshmit në Shqipëri i dhanë atij një platformë që u mohohet aq shumë artistëve të tjerë që jetojnë dhe përpiqen atje ditë për ditë.

Pastaj duhet konsideruar edhe vetë vendndodhja: një pjesë e landfillit të menaxhuar nga një kryetar i Partisë Socialiste, i promovuar nga kryebashkiaku socialist si “një kompani shembullore”, përgjegjëse për vrasjen e një të mituri — vrasje e cila ende pret drejtësi. Madje, për ta rrasur thikën gjer në palcë, ky landfill ku ndodhi vrasja e Gjoklajt është transformuar në një hapësirë të gjelbër në kontekstin e masterplanit të “rikualifikimit urban”, i cili është edhe vetë i zhytur në korrupsion dhe keqadministrim.

Pastaj vjen edhe letra e hapur, ku bie në sy firma e vetë Xhafës (edhe e Pacit e Mujës!), e publikuar vitin e kaluar në gazetën e artit Hyperallergic dhe e firmosur nga qindra artistë brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilët bëjnë thirrje për t’i dhënë fund “shpëlarjes përmes artit” nga ana e regjimit të Ramës pas shembjes së Teatrit Kombëtar. Xhafa dhe vepra e tij kanë zgjedhur ta injorojnë gjithë këtë. Por injorimi nuk do të thotë se ajo ndal së qeni. Të gjithë elementët e kontekstit që kam përvijuar më sipër kontribuojnë në mënyrë aktive në kuptimin e veprës që Xhafa vendosi ta instalojë në Sharrë.

Vepra publike “Bleta” nga Sislej Xhafa, in situ në Landfillin e Sharrës. Fotografia nga Eriola Pira.

Tani të shohim veprën vetë: një derë-dritare prej bronzi, me një rrjetë mushkonjash, e vendosur mes pemëve të sapombjella të Veliajt. Korniza e derës mungon, ndaj nuk e dimë nëse dera është e hapur apo e mbyllur, por një gjë është e sigurtë: ajo është pa mentesha, pa lidhje.

Rrjeta e mushkonjës në derën-dritare sugjeron se ajo është derë e dytë. Në verë, kjo derë qëndron e mbyllur, ndërsa hapja e derë-dritares kryesore pas saj lejon kalimin e erës duke i mbajtur jashtë insektet — jo vetëm mushkonjat por edhe insektet e tjera, përfshirë bletët. Atëherë si ta mendojmë titullin “Bleta” bashkë me ketë derë mushkonjash?

Duket sikur në fakt vepra e përjashton titullin e vet; është një vepër pa lidhje, edhe në kuptimin që titulli nuk e fut dot në kornizë dhe nuk i jep mbështetje veprës, edhe në kuptimin që vepra nuk e fut në kornizë dhe nuk i jep mbështetje kontekstit të vet. Ai lejon erën e dallueshme të mbetjeve urbane, kalbësirës dhe vdekjes të kalojë pa pengesë teksa i mban jashtë insektet e domosdoshme për ciklin e jetës.

Natyrisht zgjedhja e vendit nga Xhafa nuk mund të mos i bënte disa të ngrysnin vetullat, aq sa Harabeli u ndie i detyruar të postonte sqarimin e mëposhtëm në mediat sociale më 3 korrik:

 

Sislej zgjodhi të instalonte veprën e tij në fushën e trajtimit të mbetjeve në Tiranë, një vend delikat të cilin ai e vizitoi dhe e zgjodhi vetë, pa kurrfarë sugjerimi të mëparshëm nga Harabeli. Ne e respektojme thellësisht lirinë e shprehjes së një artisti. Vendi i zgjedhur nga artisti konsiderohet prej si konteksti hyrës, pjesë integrale e veprës.

Nëse e anashkalojmë gjuhën e mundimshme të prozës së mësipërme dhe ndërkalljes mes një mirënjohjeje dhe një poezie, ky është një shembull i qartë i shprehjes “po proteston pak si shumë”. Organizatorët këmbëngulin dy herë se Xhafa (Sislej, siç i referohen ata) e zgjodhi vetë vendin, edhe pse duket se ata janë të ndërgjegjshëm se ky vend është “shumë delikat”.

Vështirë ta besosh këtë, duke qenë se në faqen e projektit të Xhafës, Harabeli pretendon se vepra e tij është e para në një seri veprash publike që do të shfaqen në landfillin e  Sharrës, në përpjekje për ta transformuar atë në një “park skulpturash të artit bashkëkohor”. Ky plan afatgjatë kuratorial e bën të  vështirë ta pranojmë se zgjedhja e Sharrës ka qenë thjesht zgjedhja personale e Xhafës, “pa kurrfarë sugjerimi të mëparshëm nga Harabeli”.

Faksimile e faqes në internet të Harabelit kushtuar veprës së Xhafës.

Gjithashtu, Zeneli dhe Xoxa nuk e shpjegojnë se pse vendi është “shumë delikat” dhe se si i përgjigjet kësaj vepra e Xhafës. Në vend të kësaj, ata heqin nga vetja çdo përgjegjësi për procesin artistik dhe ia lënë atë në derë “lirisë së shprehjes së artistit”.

Xhafa mund ta pretendojë pa asnjë dyshim këtë liri, por është përgjegjësi e agjencisë kuratore të shohë një kontekst më të gjerë dhe implikimet e vendosjes së një vepre publike në një vend specifik. Pikërisht kjo është gjithë puna e të kuruarit të artit publik dhe cilido institution që nuk është i ndërgjegjshëm për këtë premisë thelemore nuk duhet marrë seriozisht.

“Respekti për lirinë e shprehjes së artistit” nuk e justifikon dot neglizhencën totale. Ose Harabeli nuk e ka njoftuar Xhafën për natyrën “shumë delikate” të vendit dhe lejoi që vepra e tij të shtypej nga pesha e kontekstit, ose Xhafa e vendosi veprën i ndërgjegjshëm dhe me vetëdije të plotë për natyrën “shumë delikate” të vendit, me ç’rast duhet të vëmë seriozisht në pikëpyetje qëllimet dhe gjykimin e tij moral, veçanërisht duke marrë parasysh faktin se vendi tashmë është kthyer në “pronë private” dhe se teknikisht vepra e tij nuk është as publike! Pa një deklaratë të shtjelluar nga Xhafa apo Harabeli, për momentin është e pamundur të kemi një ide më të qartë për këtë pikë.

Sidoqoftë, poema që shoqëron postimin në median sociale, e cila gjithashtu shoqëron njoftimin për shfaqjen e veprës nëpër faqe të ndryshme interneti, mund të hedhë pak dritë mbi veprën e Xhafës:

A bee knocking on my window to invite me for tea on the grass heap
Oh, bees break down all the windows,
boil a big pot
and be.

 

LEXO  Ministrja Kodheli thyen heshtjen e qeverisë me gënjeshtra

Me një përkthim të lirë në shqip:

Bleta më troket në dritare, më fton për çaj te pirgu me bar
Oh, bletët i thyejnë dritaret krejt
ziejnë një tenxhere të madhe
dhe rehatohen.

Poezia i referohet “Bletës” së titullit të veprës, vendit ku ajo është vendosur (“pirgu me bar),  dhe formës së saj (pas “thyerjes së dritareve krejt”, mbetet veç rrjeta e mushkonjave). Siç ndodh shpesh në artin bashkëkohor, diskursi i shkruar që e shoqëron – qoftë poezi, titull, apo forma të tjera “teksti” – mban peshën më të madhe konceptuale.

Poezia krijon kornizën për skenën e ftesës, ku harabeli zëvendëson bletën. Bleta e fton artistin “për një çaj te pirgu me bar”. Kushdo që ka pak njohuri për kulturën e internetit e di se “çaji” është kthyer gjerësisht në sinonim të së vërtetës, si në shprehjen “shërbej çajin/të vërtetën”. Kështu bleta/harabeli e fton artistin për çaj/të vërtetën në pirgun me bar, një referencë e qartë për parkun e krijuar nga Veliaj në pirgun e plehrave të Sharrës.

Por e vërteta nuk shërbehet kurrë. Në vend të kësaj, bleta dhe miqtë e saj “thyejnë dritaret krejt”, gjersa mbetet vetëm dera-dritare me rrjetën e mushkonjave, një transparencë false që vazhdon të bllokojë kalimin e çfarëdo të vërtete. Ato ziejnë një “tenxhere të madhe” me çaj dhe pastaj thjesht “rehatohen”, me çajin e lënë në sobë duke zierë.

Përveç këshillës për t’u dorëzuar, për “t’u rehatuar”, e cila e shfajëson artistin apo kuratorin nga çdo formë përgjegjësie për veprën e tyre, ajo që duhet të na tërheqë vëmendjen është gramatika e pasaktë e përdorimit në anglisht të foljes “be”, ku duhej të ishte “are”. Kush ose çfarë është kjo “are” ose “R”? A do të ishte e tepërt të lexonim te shkarja nga”be” te “are” ndrydhjen e R-së së madhe të Shqipërisë, Ramës?

Po “be” apo “B” pastaj? Përveç se është qartazi një lojë fjalësh për të nënkuptuar “bee”, bletën tonë protagoniste, cilën “B” tjetër duhet të sjellim ndërmend këtu? Boerin, arkitektin e korruptuar të pyllit orbital të Tiranës?

Apo ndoshta B-në e Ballkanit, ku vazhdojnë të mbretërojnë praktikat e përshkruara në këtë analizë” Apo ndoshta, shumë thjesht, B-ja e bajgës: plehrat mbi të cilat ngrihet vepra, fekalet e elitës pseudo-artistike të Harabelit që e rrethon veprën, dhe era e keqe e tmerrshme që del nga një vepër “pubike” arti që maskon një padrejtësi monstruoze me një varg të zgjuar.

3 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme