Vela që gropos trashëgiminë

Nga Artan Rama
Vela që gropos trashëgiminë

Mikpritje dhe entuziazëm në bregun e paqtë

Kur oficeri i kavalerisë prusiane Vilhelm Vidi, me shpurën e tij në bordin e jahtit të vënë në dispozicion nga Admiraliati austriak, u futën në Gjirin e Durrësit në mesditën e 7 marsit, ajo çfarë panë i mrekulloi: përpara tyre në sterë, nën kodër, ngjeshur pranë njëra-tjetrës, shtriheshin shtëpi të vogla me mure të bardha dhe me çati të kuqe. Ky peizazh, oriental, mes një sfondi gri-jeshil kodrash të buta dhe një deti blu, paqësor e të thellë, ishte qyteti i Durrësit, kryeqyteti i Shqipërisë.

Në sheshin përpara portit ku strehoheshin disa barka peshkimi, po priste një turmë e larmishme. Nuk vonoi dhe nga fortesa e vjetër veneciane topat gjëmuan në shenjë mirënjohje për mbërritjen e Princit të ri.  Menjëherë më pas, nën ritmet e dajreve dhe të sazeve, valltarët profesionistë filluan programin ceremonial.

Për qytetin, me rreth gjashtë deri në shtatë mijë banorë, më së shumti më afër një fshati, ishte një ditë feste. Ishte viti 1914.

Sinjale nga nëntoka

Njëqind vjet janë pak për Dyrrachiumin e vjetër mijëvjeçar, por sot, qyteti ka ndryshuar shumë! Ai i dikurshmi ka mbetur nëpër fotografi. Ose, nëntokë, i mbuluar!

Evropiani që mbërrin nga bregu matanë, sheh një gji të ndotur dhe peizazhi përballë është tronditës: kulla të ngulura thellë në tokë, lartësitë e të cilave i kanë mbuluar kodrat në sfond. Direkët e dikurshëm prej druri, të barkave të vogla të peshkimit, janë zëvendësuar me vinça të lartë çeliku. Porti është zgjeruar dhe ngjyra e ujit ka ndryshuar në gri. Qyteti, mbi dyqind mijë banorë, po shpenzon energjitë e tij drejt një zhvillimi kaotik urban dhe agresiv.

Dhe natyrisht, e shkuara e bukur fle nën rrënoja dhe askush nuk duket se dëshiron që ta zgjojë… Por vjen një çast dhe ndërgjegja qytetare zgjohet!

Goditjet e matrapikut dhe zhurma e makinerive të ndërtimit që punonin pa ndërprerje, në sheshin përpara portit të qytetit, ndaluan këtë të shtunë. Arkeologët ndërhynë dhe bllokuan gjithçka. Rrënoja, jo të zakonshme, dolën në sipërfaqe. Prej kohësh disa qytetarët durrsakë kishin vënë alarmin mbi zbulime të mundshme pikërisht në zonën ku po kryheshin këto punime. Shqetësimi rezultoi i vërtetë dhe me të drejtë, ka shkaktuar një reagim publik.

Gjerësia e mureve nën rrënoja dhe profili i plotë i një topi mesjetar, vetëm një metër poshtë sipërfaqes së rrugës, brenda territorit të zonës së mbrojtur, ishte një surprizë.

“Nuk i prisnim aty, por diku më në thellësi të zonës së mbrojtur”, thotë Ledion Lako, Drejtori Rajonal i Kulturës Kombëtare.

“Kjo tregon se qyteti mund të jetë zhvilluar jashtë parashikimeve tona, rreth shek XVIII. Po punojmë për të dokumentuar gjithçka dhe më pas rezultatet do t’i kalojnë Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë për një interpretim”, shtoi zoti Lako.

Punimet i takojnë ndërtimit të një sheshi përpara hyrjes së portit ose Vela, siç quhet në publik. Një projekt urban që kushton miliona dollarë dhe sipas porositësve, synon ndërtimin e një platforme pedonale në sheshin përpara kullës veneciane, rehabilitimin e trafikut të makinave, përmes kalimit nëntokë dhe ngritjen e një vele të gurtë mbi këtë shesh. Këtë objekt guri, në formën e një vele barke, kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako, kërkon ta bëjë imazhin e ri të qytetit.

Por as metafora e kësaj barke imagjinare druri me direkë çeliku dhe as klasi i Bianco Carrara C, pllakave prej mermeri të bardhë, që parashikohen të shtrohen mbi sheshin përpara portit, nuk e kanë joshur mjaftueshëm publikun.

Zërat kritikë flasin për shpenzime të larta dhe të pajustifikuara: gjashtë milionë euro shpenzime janë të panevojshme dhe kostot e projektit, të mbifaturuara.

 

Miku i mirë njihet në nevojë

Nën një titull, të ngjashëm me atë të planit urbanistik në Tiranë, “Tirana 030”, të arkitektit italian Boeri, “Durrësi 2020” përmbledh projektet rehabilituese të qytetit, pjesë e të cilit është dhe projekti Vela (ose Veleira) dhe ka për autor, një tjetër arkitekt italian, të zhurmshmin Marco Casamontin.

Ky arktekt, me një karrierë plot dritëhije, ishte në prag të falimentimit në dhjetor të vitit 2008, kur u arrestua e u burgos nën akuzë për dhënie rryshfeti dhe për korrupsion në Firence të Italisë. Por falë miqve, fati nuk e braktisi! Një prej tyre, nga kryetar bashkie u bë Kryeministër i Shqipërisë në vitin 2013 dhe shumë shpejt punët nuk munguan.

Pas projektimit në Tiranë të një kulle me lartësi 85 m  të lartë (TIRANA 4EVERGREEN TOWER), Marco Casamonti mori një punë të re: projektin për stadiumin e ri, Arena Kombëtare, një investim prej 50 milionë eurosh.

Tamam në të njëjtën periudhë, kryetari i bashkisë në Durrës, prezantoi planin për ndërtimin e sheshit të ri në hyrje të portit. Dhe çuditërisht, është i njëjti arkitekt që projekton: Mario Casamonti. Ditët e këqia kanë mbetur pas për Marion Casamontin, por zhurma dhe kritikat ndaj projekteve që ai ka hartuar janë të freskëta.

Për arkitektin italian kjo velë guri, në qytetin dikur të famshëm, mund ta zhvendosë vëmendjen prej ndërtimeve gjigande e të shëmtuara që shtrihen përgjatë vijës bregdetare, në hyrje të tij, përmes portit; ndoshta Vela, mund të shërbejë si truk për të tërhequr kureshtjen e vizitorëve që do të mbërrijnë nga deti. Kjo mbetet për t’u parë. Por çka kjo velë na tregon që tani, ka të bëjë, jo me atë që mund të fshehë, por me çfarë do të mbulojë, apo do të groposë përgjithmonë!

 

 

Burokracia që gropos

“KKA-ja do të marrë një vendim, sot ose nesër”, thotë Drejtori i Institutit të Arkeologjisë, Prof. Luan Përzhita.

“Ne besojmë se kemi zbuluar themelet e një godine të administratës osmane. Ka shumë të tilla përreth. Aty pranë ka qenë edhe rezidenca e Princ Vidit. Por gjithçka u rrënua pas tërmetit të vitit 1926. Nëse do të zbulohen, objektet me vlerë do të dërgohen në muze. Por ende nuk ka asnjë vlerësim përfundimtar. E kemi situatën nën kontroll! Askush nuk mund t’i dëmtojë ato!”, shprehet Zoti Përzhita.

Por era e detit në qytetin bregdetar, mund të mos lëvizë Velën e gurtë, pasi ajo të ngulet thellë në tokë, por jo fjalët e arkeologëve. Ajo çka pritet që të ndodhë rezervon akoma edhe një shqetësim: muri paleobizantin, gjurma e të cilit do të gjarpërojë nën pedonalen e ardhshme, në lindje të saj. I ngritur si hundë mbi sipërfaqen e tokës, aty ku mbarojnë themelet e “Fly Tower”, ai fshihet më pas, jo shumë thellë nën tokë dhe përfundon në themelet e Torrës.

Më parë media publikoi fotografi ku u dyshua për gjetje të mundshme në zonën e mbrojtur. Nuk vonoi dhe dyshimet u konfirmuan! Nën presion, falë iniciativës qytetare, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare lëvizi. U kërkua nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë një miratim për propozimet e tyre.  Vendimi nr. 1 i KKA-së (datë 24. 01. 2017), kërkonte që investitori, pra bashkia e Durrësit, të mos gërmonte në gjatësinë e fortifikimit dhe kuota e murit të sistemohej me çakëll dhe jo me beton.

“Instituti i Arkeologjisë ka konstatuar se ai ndodhet poshtë kuotës së ndërtimit dhe nuk do të preket”, thotë Ministria e Kulturës duke ritheksuar se muri do të mbrohet.

“Ne kemi nënshkruar një marrëveshje me Bashkinë e Durrësit dhe kemi rënë dakort që muri nën gërmadha nuk do të preket. Ne kemi parashikur një ndërhyrje në maj-qershor. …Janë disa mundësi prezantimi”, thotë profesor Përzhita.

Por, a do të zbulohet ai?

Jo! Fatkeqësisht, muri nuk do të zbulohet! Askush nuk e mohon këtë!  Megjithëse sheshi po rikonceptohet, po mbështetet financiarisht, kjo fortesë e hershme bizantine, ashtu si pesëmbëdhjetë shekuj më parë, i ka mundësitë për të parë edhe njëherë dritën e diellit, e të shkëlqejë përpara vizitorëve të shumtë, por jo! Ajo do të mbulohet përsëri!

Nëse e shohim projektin teknik, aty nuk ka asnjë të dhënë që të tregojë se punohet në një zonë të mbrojtur! Asnjë vijë, shenjë apo konvencion se kemi të bëjmë me shtresa të caktuara arkeologjike! Vështirë se dikush mund të kuptojë se bëhet fjalë për një projekt që zbatohet mbi një zonë, nën të cilën flejnë objekte me vlerë.

Asnjë kosto shtesë për rreziqe të mundshme, devijime apo shmangie të projektit për arsye mbrojtjeje të këtyre shtresave. Siç duket, milionat e shpenzuara deri tani nuk mjaftojnë.

Dhe këtu ia vlen të ngrejmë disa pyetje. Po çfarë vlere kanë të gjitha këto përpjekje atëherë, këto formalitete e burokraci, akte dhe ekipe, kur përfundimi dihet qysh më parë? Çfarë shfaqje po jep Ministria e Kulturës me gjithë këto vendime zyrtare, që nuk prekin askënd? Apo janë thjesht, numra protokolli në arkivë?

Ndër arkeologë, urbanistë e arkitektë, ka gjithmonë një dilemë: nëse një objekt me interes turistik, a do të mundim ta mirëmbajmë? Deri tani, në Durrës, kemi marrë një përgjigje mohuese.

 

Krimi i përbashkët

“Debati për punët publike dhe zonat arkeologjike është interesant për studiuesit, por ne ndërtojmë ujësjellësa dhe kanalizime”, thotë kryetari Dako. Natyrisht, në vizionin e administratorit biznesmen, trashëgimia nuk mund ta pengojë zhvillimin e qytetit. Me një dëshirë të ethshme, në emër të këtij zhvillimi, që në orët e para të zbulimeve, ai dërgoi një grup punëtorësh për të ndihmuar arkeologët në terren. Është e qartë se për të, procedura e dokumentimit është vetëm një pengesë provizore por nuk mund të pengojë vazhdimin e punimeve.

Por kryetari Dako, ndonëse i fundit, nuk është i vetmi. Hartimi i një liste meritash apo njollash është mision i vështirë.

Përgjatë dekadave, që prej rënies së izolimit komunist, qyteti i hapi dyert për gjithçka, por ato të trashëgimisë i mbylli përgjithmonë! Lista e kryetarëve është një listë me gjurmë të shëmtuara në Durrësin historik. Për 26 vjet me radhë, shumë objekte dhe monumente u prishën, u dëmtuan dhe u tjetërsuan: Amfiteatri u rrethua nga ndërtime të paligjshme, Mozaiku pranë Pallatit të Sportit u dëmtua dhe lagja romake u zhduk…

Me dhjetëra themele ndërtesash private kanë groposur përgjithmonë dëshmi prej historisë së dikurshme. Dhe ja tani, muri që rrezikon të mbetet nën rrënoja…

Trashëgimi e tjetërsuar

Së shpejti mbi qytet do të lartësohen flamujt elektoralë. Rilindja urbane, një program fasadash, ka kompensuar gjithçka në emër të rehabilitimit të hapësirave publike por nuk ka dhënë asnjë lek për të shpronësuar në parcela arkeologjike.

Por ndoshta, e tëra kjo përpjekje është e kotë! Çdo ditë e re e bën qytetin më të madh, më të zhurmshëm, më agresiv e të pandjeshëm. Mijërat e qytetarëve të rinj durrsakë flenë të pashqetësuar mbi trashëgimi të jashtëzakonshme arkeologjike.

Dhe nëse sot vjen nga deti, njësoj si Vilhelm Vidi me shpurën e tij, njëqind vjet më parë dhe në sheshin e vogël përpara portit me barka druri atë e prisnin një grumbull njerëzish, me veshje karakteristike, tani, pamja ka ndryshuar… Njerëzit janë të ftohtë dhe indiferentë!

Dhe ndryshe nga portretet e dikurshme, të errëta, ata janë jo vetëm të bardhë, por edhe të ngrirë, si kjo Velë prej guri që me ç’duket, do të shërbejë dhe si një simbol për Durrësin e ri.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>