Kryebashkiaku Veliaj ka deklaruar se çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur ndjeshëm sepse po blejnë ambasadorët, të huajt nga ‘vendet e Gjirit’ dhe ‘Fondacioni Amerikan i Investimeve’.
I ftuar në emisionin Opinion, mbrëmjen e së enjtes, Veliaj u pyet nga gazetari Blendi Fevziu se ‘kush po i blen në Tiranë pallatet me 4-5 mijë euro metri katror?’
Në një përpjekje për të justifikuar rritjen e çmimit të apartamenteve, Veliaj deklaroi:
“Ata që blejnë janë ambasada, të huaj, nga vendet e Gjirit [Persik].
Marrim kullën përballë Kishës Ortodokse, është blerë nga një firmë zviceriane.
Një pjesë e madhe e Stadiumit është blerë ose është marrë nga Fondacioni Amerikan i Investimeve, ku ne do të kemi kurset tona të IT-së, ose kodimit.”
Me vendet e Gjirit Persik, Veliaj ka nënkuptuar të huajt nga Irani, Iraku, Kuvajti, Arabia Saudite, Katari, Bahrejni, Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndërsa me ‘Fondacionin Amerikan të Investimeve’ Veliaj ka dashur të thotë ‘Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim’ (AADF), i njëjti fondacion që po ndihmon bashkinë në rikonstruksionin e Piramidës së Tiranës.
Sipas Veliajt, apartamentet e shtrenjta në qendër të Tiranës po blihen nga kompani të tilla si ajo e call-centerave, Teleperformance, ‘që e do [zyrën] në qendër të Tiranës dhe janë gati të paguajnë.’
Ndërsa për shqiptarët, ai tha se është normale që studentët që vijnë, të jetojnë në periferi dhe jo në qendër ku çmimet janë të larta:
“Kur dikush është student ose i sapoardhur në Tiranë kryesisht rri në periferi siç rri në periferi të Parisit ose Vjenës, ose të Londrës. Këto i cakton tregu.”