Veliaj do të japë me koncesion parkimet publike të Tiranës, me anë të një procedure tinëzare

Nga Ilmi Rehova
Veliaj do të japë me koncesion parkimet publike të Tiranës, me anë të një procedure tinëzare

Bashkia Tiranë ka vendosur të japë me koncesion mbledhjen e të ardhurave nga parkingjet publike në Tiranë.

Përmes një skeme të tërthortë, përmes disa hapash të njëpasnjëshme dhe duke mos e etiketuar koncesion, Bashkia Tiranë po kërkon që një pjesë të pagesës së qytetarëve për parkimet publike t’ia kalojë një kompanie private, e cila nuk do të ketë thuajse asnjë rrezik dhe nuk do të kryejë asnjë investim.

Nesër, Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet të miratojë propozimin e Kryebashkiakut Veliaj, që në vendet publike (trotuare) të instalohen aparate vetëshërbimi për biletat e parkimit, ku qytetarët që parkojnë mjetet do të fusin të holla dhe do të marrin biletën e parkimit. Ky do të jetë një sistem paralel me atë të pagesës me anë të mesazheve SMS që zbatohet tani dhe administrohet nga kompania bashkiake Tirana Parking.

Projekti-vendimi përcakton, gjithashtu, që ky shërbim do të kontraktohet tek kompani private. Por elementi më i rëndësishëm i vendimit është ai që përcakton se kompania private, që do të vërë pajisjet dhe do mbledhë të ardhurat, do të financohet me një komision shtesë mbi tarifën e parkimit që paguhet nga qytetarët. Pra, nëse sot tarifa për një orë parkimi në vendet publike në qendër të Tiranës është 100 lekë, nesër ajo do të bëhet, të themi, 110 lekë, nga të cilat 100 do t’i shkojnë bashkisë dhe 10 lekë do t’i shkojnë privatit.

Vendimi, gjithashtu, përcakton se tarifa shtesë do të përcaktohet në bisedime mes Bashkisë dhe kompanisë private. Pra, thënë pa etiketime të përgjithshme, Kryebashkiaku Veliaj dhe pronari i kompanisë private do të ulen dhe do të bien dakord se sa do t’ia vënë koston qytetarëve për të paguar privatin.

Siç bëhet e qartë në dokumentet që shoqërojnë projekt-vendimin, qëllimi fillestar i Bashkisë ka qenë që përzgjedhja e kompanisë private të bëhej pa garë, pra atë ta zgjidhte në mënyrë arbitrare krybashkiaku Veliaj. Por Agjencia e Prokurimit Publik e ka hedhur poshtë kërkesën e Bashkisë, duke e detyruar atë të bëjë, të paktën formalisht, një garë përzgjedhëse.

Projektvendimi është formuluar në mënyrë të kujdesshme; ai nuk përmend askund fjalën koncesion dhe as mundësinë që e gjithë pagesa mund t’i kalohet privatit në të ardhmen. Në të bëhet fjalë për një “sistem alternativ pagese”, pra qytetarët mund të zgjedhin të paguajnë me SMS dhe paratë t’i shkojnë Tirana Parking, ose të paguajnë me të holla për të blerë një biletë parkimi në pajisjet në rrugë, që i shkon kompanisë private, duke paguar kështu më shtrenjtë se me SMS.

Por gjasat që Bashkia të ruajë këtë sistem të dyfishtë, pra që pagesat përmes SMS-ve t’i mbledhë vetë dhe ato nga pajisjet e rrugës t’i mbledhë një kompani private, janë thuajse zero. Në çdo pikëpamje, përfshi administrimin dhe leverdinë ekonomike, një sistem i dyfishtë nuk ka logjikë. Asnjë kompani private nuk do të hyjë në këtë shërbim me shpresë se ca qytetarë do paguajnë më shtrenjtë me para në dorë, se sa më lirë dhe pa humbur kohë vetëm përmes një SMS-je.

Në fakt është  e arsyeshme të mendohet se mbas marrjes së autorizimit nga Këshilli Bashkiak për mbledhje private të pagesave për parkimin publik, Kryebashkiaku Veliaj do t’ia kalojë privatit mbledhjen e të gjithë të ardhurave nga parkingjet publike, pra edhe mbledhjen e pagesës përmes SMS-ve.

Ajo që po ndodh në të vërtetë është se, pasi ndërtoi një sërë parkimesh nëntokësore me para publike, mbasi ktheu hapësirat e gjelbërta e sheshet në parkingje publike, tani Kryebashkiaku Erion Veliaj do t’ia japë të gjitha parkingjet publike me koncesion privatit.

Deri tani Bashkia ka ndërtuar parkimin nëntokësor në Sheshin Skënderbej, i cili ka kushtuar të paktën 2 milionë euro nga paratë e taksave; po ndërton parkimin nëntokësor në Sheshin Italia, i cili deri tani u ka kushtuar qytetarëve të paktën 2,5 milionë euro; ka kthyer në parkim sheshin para stadiumit Dinamo; ka kthyer në parkim publik ish-mjediset sportive të Qytetit Studenti, dhe një sërë sheshesh të tjera.

Të gjitha të ardhurat e tyre do t’i kalohen privatit për t’i mbledhur. Ajo që e bën edhe me shpërdorues dhe të dëmshëm për interesin publik këtë koncesion të pritshëm, është një tjetër gjë: kompania private do të marrë vetëm përfitimet, pa patur asnjë rrezik dhe asnjë kosto. Mirëmbajtjen e parkimeve dhe kontrolli i tyre do të bëhet nga Bashkia Tiranë, pra paguar nga paratë e taksave.

E gjithë kjo skemë e mundshme përforcohet nga fakti se relacioni që shoqëron projekt-vendimin e Bashkisë nuk jep asnjë arsye të qenësishme se përse Bashkia po i drejtohet mbledhjes të të ardhurave nga privati.

Relacioni—i cili për nga cilësia dhe përmbajtja është i nivelit amator, shkruar me zhargon kafeneje dhe me “arsyetime” qesharake— shprehet se mbas vendosjes së pagesës së parkimit me anë të mesazheve SMS, Bashkia ka marrë shumë mesazhe nga qytetarë, thuajse të gjitha verbale, pra me gojë, të cilët ankohen se nuk kanë mundësi të paguajnë për dy arsye:

  1. Ka shumë qytetarë që nuk kanë kredit në telefon për të paguar, ose siç shprehet relacioni “jo të gjithë qytetarët kanë mundësinë për të patur kredit të mjaftueshëm në mjetet celulare për të paguar.”
  2. Ka disa qytetarë që nuk “kanë një telefon të një kompanie shqiptare dhe kane hasur vështirësi në kryerjen e pagesës dhe shpeshherë janë penalizuar edhe me masa administrative (gjoba)…”

Nisur nga këto shqetësime, Bashkia nuk bëri asnjë analizë shifrash, asnjë vrojtim, asnjë studim, asnjë vlerësim bëshmërie, por vendosi menjëherë t’u ofrojë qytetarëve një mënyrë alternative pagese.

Justifikimet e Bashkisë në relacion janë qesharake, të paktën, ose justifikime të rremë për të mbuluar motivimin e vërtetë.

Së pari, parkimi publik nuk është e drejtë themelore e njeriut dhe nuk është detyra e Bashkisë që të përballojë kosto, për të mos i mohuar asnjë qytetari qasjen. Bashkia Tiranë nuk shqetësohet për qasjen e qytetarëve ndaj shërbimeve bazë që ajo duhet t’u afrojë, si trotuare normale ku mund të ecet pa rrezikuar jetën, por është kaq e ndjeshme për një shërbim krejt dytësor.

Së dyti, të dyja “shqetësimet” që ngrenë qytetarët, nëse vërtet i kanë ngritur, janë të zgjidhura, pa patur nevojë për asnjë ndërhyrje nga Bashkia. Qytetarët mund të blejnë kredit për celularët e tyre, në dyqanet përkatëse që janë me shumicë kudo. Përderisa ata kanë makinë private dhe janë të gatshëm të paguajnë tarifën e majme 100 lekë ora për parkim, ata nuk kanë probleme të aftësisë së pagesës, por të neglizhencës së tyre personale, që nuk është detyrë e Bashkisë ta korrigjojë.

Nëse duan të vazhdojnë të jenë neglizhent, sikurse edhe ata pak qytetarë që mund të kenë vetëm celular të huaj (sa të tillë duan të parkojnë në një ditë të zakonshme në Tiranë, për të justifikuar një ndryshim rrënjësor politike publike!), ata kanë mundësi të tjera të bollshme parkimi në parkingjet publike, me pagesë në dorë dhe që në mënyrë ironike janë edhe më të lirë se parkimi publik në rrugë. Vetëm në qendër të Tiranës, brenda unazës së vogël, ka me dhjetëra të tilla me kapacitete të mëdha, aq sa shumica rrinë të papërmbushura.

Por gjasat janë që motivimi i Bashkisë Tiranë nuk është zgjidhja e një shqetësimi apo problemi publik, por është në fakt sajimi i një problemi publik, për të justifikuar përfshirjen e bizneseve private në vjeljen e të ardhurave nga qytetarët. Bashkia nuk po ndihmon qytetarët, por po iu jep mundësi privatëve të zhvatin qytetarët përmes komisioneve shtesë për parkimin publik.

Në të vërtetë, vendosja e aparateve vetëshërbyese ka qenë pjesë e planit të Bashkisë që herët. Exit.al ka parë një përgjigje të Drejtoreshës së Përgjithshme Juridike të Bashkisë, Eglantina Zere, të dhënë ndaj një kërkese për informacion, në tetor 2018, në të cilën ajo është shprehur se:

“Shumë shpejt qytetarëve do t’ju ofrohet një mënyrë tjetër alternative për kryerjen e pagesës nëpërmjet makinetave elektronike, të cilat do të stacionohen në të gjitha rrugët me tarifim parkimi.”

Pra, ndryshe nga pretendimi në relacionin e projekt-vendimit, vendimi i Bashkisë nuk ka ardhur si rezultat i reagimit të qytetarëve, por ka qenë pjesë e planit të Bashkisë që në momentin e parë të vendosjes së tarifimit për rrugët kryesore të qytetit.

Për më tepër, në muajin shtator 2018, Bashkia Tiranë hoqi krejtësisht shërbimin e inspektorëve bashkiakë që prisnin bileta për parkimin publik. Këtë fakt Bashkia nuk e përmend, pasi ai bie ndesh me gjithë justifikimin që ajo ka ngritur për dhënien me koncesion të mbledhjes së pagesës së parkimeve publike në Tiranë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>