Kryebashkiaku Erion Veliaj mbajti një fjalim të martën gjatë prezantimit të projektit planin për rindërtimin e zonës së Kombinatit, ndër më të dëmtuarat nga tërmeti i 26 nëntorit.
Gjatë fjalës së tij prej afërsisht 12 minutash, Veliaj ka përmendur pothuajse çdo 1 minutë kryeministrin Edi Rama.
Exit sjell më poshtë fjalitë e kryebashkiakut Veliaj në të cilën përmendet kryeministri Edi Rama.
Është një ditë e jashtëzakonshme dhe e veçantë që në prani të kryeministrit me bekimin dhe dashurinë që i keni dhënë gjithë këtij projekti të dëgjonim nga Marko një propozim fillestar të një master plani.
Një nga mësimet që Kryeministri ma mësoi që në ditët e para është që ne nuk duhet të përsërisim një geto.
Jam i lumtur se përkon kjo ditë dhe ky prezantim dhe me një vendim të kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij, për të rifilluar punimet me qeverinë japoneze për të përfunduar dhe atë që ka qënë meraku i fundit i Kombinatit.
Kur fillova punë si kryetar bashkie, vajtja te Kryeministri dhe i thashë; Ne s’kemi zgjidhur plehrat, ne s’kemi zgjidhur varrezat.
Më kujtohet kur shkuam me kryeministrin, në familjen e Xhesikës, që ishte e vetmja vajzë që humbi jetën në Tiranë, që humbi jetën për shkak të soletës së pallatit.
Kam një shprehje të një miku që ma prezantoi Edi në 2015, ku sa isha bërë kryetar bashkie.
Në bienalen e Venecias, kishte një pavion për Tiranën, kryesisht për konceptin që Edi kishte për Sheshin Skënderbej, e për kullën ku u bë më pas Plaza.
Një nga parimet bazë që një arkitekt thoshte, ishte konsensusi, ajo që thotë Edi tërë kohën.
Amaneti që nëna e Xhesikës i tha Edit ishte ‘Siç më bëre këtë shtëpi, të të bëjmë një lagje të re në anën tjetër të rrugës’ dhe meqë ra fjala kam qënë me kryeminstrin në të 51 shtëpitë që u prekën nga tërmeti.
Kam një kënaqësi të jashtëzakonshme të ftoj kryeministrin, që ka qënë promotori i kësaj pune dhe atë njeriun e 03:54 të mëngjesit, për ditë të mira dhe për ditë të këqija.