Veliaj, Fotaqi i Koncertit në Vitin 1936 dhe lindja modeste e Jezu Krishtit

Veliaj, Fotaqi i Koncertit në Vitin 1936 dhe lindja modeste e Jezu Krishtit

Sipas Erion Veliajt, Erion Veliaj kryebashkiak ka arritur që vetëm në 4 muaj të emancipojë popullin shqiptar nga një popull i prapambetur, që argëtohej me banalitete, në një popull të kulturuar, që përmbushet vetëm me artin dhe muzikën klasike.

Këto krishtlindje kaluam nga kapsollat zhurmuese tek opera në shesh!” – deklaroi triumfalisht Zoti Veliaj në Twitter në Vigjiljen e Krishtlindjes.

Nuk dihet si e mendon vetë që e ka arritur këtij objektiv emancipues Zoti Veliaj, por sido që të jetë kjo deklaratë boshe dhe mburravece ka nota përçmuese ndaj qytetarëve. Ajo të kujton nënprefekt Fotaqin e Koncertit në Vitin 1936, i cili e mbante veten për “oksidental” që i kishte rënë fati i keq të qeveriste një katund të prapambetur, ndaj vinte vërdallë duke gulçuar “Dio mio, këtu do ta ngrys jetën, mes këtyre injorantësh!”

Në Vigjiljen e Krishtlindjes, Zoti Veliaj organizoi në shesh një koncert me këngë, përfshi pjesë operistike dhe Krishtlindjeje. Me sa duket, këtë aktivitet ai e ka konsideruar akt emancipues mbarëshoqëror, me efekt magjik tek qytetarët, të cilët në mënyrë të menjëhershme u vetëdijësuan për vulgaritetin e festimit me shashka e fishekzjarre dhe përqafuan artin aristokratik të operës.

Duket se Zoti Veliaj ka ngatërruar festimet me fizhekzjarre dhe shashka të Vitit të Ri me ato të qeta për Krishtlindje. Për të mos diskutuar se pse ai përbuz një lloj argëtimi që e shijojnë njësoj edhe Nju Jorkezët, Vienezët, Romanët, Venezianët, Berlinezët, Hong Kongezët apo edhe Parizienët.

Ishte e çuditshme se pse Zoti Veliaj vendosi të organizojë një koncert dhe të ftojë qytetarët në shesh në Vigjilje të Krishtlindjeve. “Këngë Krishtlindjesh, verë të ngrohtë dhe shumë, shumë argëtim. Dil nga shtëpia e bashkohu me festën” u bëri ai thirrje qytetarëve. Si besimtar që është ai duhet ta dinte se Vigjilja e Krishtlindjes festohet zakonisht në familje ose në kishë. Por, Zoti Veliaj zgjodhi t’u bëjë konkurencë priftërinjve, të cilët i prisnin besimtarët nëpër kisha dhe esëll, e jo të munguar apo të dehur me verën bashkiake (a lejohet alkooli në vende publike në Tiranë?).

Nga ana tjetër, Kryebashkiaku Veliaj edhe pse emancipator nuk po arrin dot, gjithsesi, të shkëputet nga banaliteti i festimit me qofte, birrë dhe koncert në rrugë çdo dite e ngjarje të shënuar, qoftë Dita e Flamurit, Dita e Verës, Dita e Rinisë, Dita e Krishtlindjes apo Dita e Vitit të Ri.

Mesazhi i Zotit Veliaj për të dalë rrugëve për Krishlindje bëri përshtypje edhe për diçka tjetër. Ndonëse Zoti Veliaj është besimtar i devotshëm kristian, ai, sikurse shumë shqiptarë të paditur për punë të fesë, i referohet ditës së lindjes zyrtare të Krishtit në shumës si “krishtlindjet” dhe jo në njëjës si Krishtlindje.

Por, habinë më të madhe Zoti Veliaj e shkaktoi ditën e Krishtlindjes, kur u shpreh se Krishtlindja është një moment për të reflektuar mbi historinë e “një lindje modeste të një personi të panjohur që ndryshoi botën” duke shtuar se ai beson se “Tirana ka plot heronj të panjohur” që mund të ndryshojnë botën.

Edhe njeriu më injorant në botë e di që lindja e Krishtit nuk ishte një lindje modeste dhe Fëmija Jezu nuk ishte person i panjohur por Biri i Zotit, i lindur nga ngjizja me anë të Frymës së Shenjtë.

Përtej injorancës ofenduese fetare, banalizimi i Krishtit duke e ulur atë në nivelin e “heronjve” që na paska Tirana është jo vetëm skandaloze, por dëshmon banalititetin e imitimit klishe të stilit apo fjalimeve të politikanëve të huaj që nuk kanë asnjë lidhje me shoqërinë e situatën tonë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>