Kryebashkiaku i Tiranës i quajti aktivistët e ‘Aleancës për Teatrit’, ‘të marrët e radhës’. Në një intervistë për Top Channel, të hënën, Veliaj nuk komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për godinën e Teatrit, por sulmoi qytetarët që janë ngritur kundër projekteve të dyshimta të Bashkisë Tiranë:
“Protestuesit e Parkut të Liqenit u harruan, protestuesit e Astirit u harruan, tek sheshi Skenderbej u harruan, edhe këto do të harrohen njësoj. Kryeministri dhe unë jemi të bindur të bëjmë teatrin.
Mitomanë të dënuar, kanë kandiduar me një parti dhe tani janë kthyer në shoqëri civile. Çdo lloj mitomani nuk meriton hapësirë televizive. Nuk i shkoj dot pas avazit çdo grupi histerik”.
Veliaj u shpreh se leja e KKT-së për ndërtimin e Teatrit do të zbatohet dhe puna për ndërtimi nis brenda këtij viti.
Gjykata Kushtetuese vendosi të premten, kthimin e truallit të teatrit nga Bashkia Tiranë tek Ministria e Kultures dhe anullimin e ligjit të ndërtimit me partneritet-publik-privat. Gjykata nuk arriti dot të bënte shumicën për shqyrtimin e vendimit të Këshillit Bashkiak për shembjen e godinës.