Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj prezantoi sot projektin për ndërtimin e 20 shkollave në Tirane me anë të Partneritetit Publik Privat. Ky projekt ëshë pjesë e projektit “1 miliardë euro” prezantuar nga Kryeministri Rama, pak ditë më parë.
Gjatë prezantimit, Zoti Veliaj shpjegoi se si do të funksionojë kjo skemë.
“Kishim dy mundësi: të flinim gjumë, ose të përdornim këtë sistem kreativ që na mundëson të injektojmë në ekonomi 60 milionë dollarë nga sektori privat. Ne gjithsesi të njëjtin buxhet do të harxhojmë, por të mirat materiale, ndërtesat, shkollat do t’i marrim përnjëherë.
Kemi ndërtuar një model financiar që nuk i rëndon financat e bashkisë. Ne do të vazhdojmë të harxhojmë të njëjtën shumë që kemi për merementimin e shkollave, me një pagesë me këste vjetore për ndërtimin e këtyre shkollave të reja.”
Së pari, ashtu siç e kemi shpjeguar dhe më parë, skema që kryebashkiaku do të zbatojë, e ngjashme me skemat e tjera PPP të Qeverisë Rama, është totalisht e pashpjegueshme nga ana e financave publike.
Ajo hedh poshtë skemën tradicionale të cilën kanë përdorur vendet e mbarë botës për të financuar ndërtimin e infrastrukturës publike në vite.
Zoti Veliaj nuk shpjegoi se përse bashkia zgjodhi bashkëpunimin me privatin, kur ndërtimi i shkollave mund të financohet shumë mirë falë formës së zakonshme të borxhit publik, e cila është jo rastësisht forma më e saktë dhe e besueshme.
Për të kuptuar pse, fillimisht duhet theksuar se norma e interesit që paguan shteti shqiptar për borxhin publik është ndjeshëm më i ulët se normat e interesit me të cilat përballen biznese private. Kjo është akoma dhe më e vërtetë në ditët e sotme, në Shqipëri e në botë.
Më konkretisht, norma e interesit që qeveria duhet të paguaje për një bono 12 mujore është 3,05 për qind, rezultat ky nga ankandi më i fundit.
Kjo normë mbetet dukshëm më e ulët se norma mesatare e kredisë 12-mujore për bizneset, që sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë është 6,8 për qind.
Nëse një kompani private do të angazhohet për ndërtimin e një shkollë, për të cilën do paguhet për një periudhë të gjatë kohore, ajo me siguri do të duhet ta financojë këtë investim nëpërmjet një kredie bankare. Rrjedhimisht, kompanitë do të pranonin të bëheshin pjesë e kësaj skeme vetëm nëse pagesa totale nga ana e Bashkisë do ishte më e lartë se sa vlera e investimit plus interesat që ato duhet t’i paguajnë bankave gjatë kohës që paguhen për ndërtimin e kryer.
Është e paqartë pse Bashkia duhet të ndërmarrë një nisëm të tillë përderisa interesat që shteti duhet të paguajë për të njëjtin investim janë më të ulëta.
Së dyti, pretendimi i Zotit Veliaj se ky model financiar nuk i rëndon financat e bashkisë, pra taksat e qytetarëve nuk është i vërtetë.
Siç kemi shpjeguar dhe më parë, PPP-të janë plotësisht një barrë mbi pasurinë e publikut, por thjesht mbështeten në rregulla pak më kreative të kontabilitetit në mënyrë që të mos shfaqen menjëherë si shpenzimet publike.
Si në çdo projekt të ndërmarrë nga Bashkia Tiranë, të dhënat më të rëndësishme se sa do të paguhen kompanitë private ndër vite, se çfarë përfimesh të tjera do të kenë ato, se sa do të duhet të paguajnë qytetarët në të ardhmen apo se nga çfarë pasurie publike do të duhet të heqin dorë për t’ia kaluar pronësinë privatit nuk janë bërë publike.