Kryebashkiaki i Tiranës Erion Veliaj deklaroi të dielën se shkolla e mesme ‘Sami Frashëri’ do të ndërtohet dy herë më e madhe, ndaj kostoja e saj është e dyfishuar.
Gjatë inagurimit të punimeve në shkollën ‘Jeronim De Rada’, Veliaj tha se të gjithë ata që kanë akuzuar bashkinë Tiranë për abuzime me tenderin e shkollës ‘Sami Frashëri’, nuk e dinë që shkolla do të bëhet dyfish më e madhe për të eleminuar mësimin me dy turne:
“Një tjetër histeri ka qenë me shkollën ‘Sami Frashëri, ku ne sapo kemi hapur garën, ku ne akuzoheshim se pse kushton shkolla 2 herë më shumë.
Samiu ka qenë me dy turne. Që shkolla të mos jetë me 2 turne, do të thotë që të jetë 2 herë më e madhe. Që të shkojmë në shkollë 2 herë më të madhe, kushton 2 herë më shumë.”
Veliaj akuzoi opozitën se ka ‘telendisur’ me ‘histeri’një projekt që do t’i japë Tiranës një shkollë model dhe modern:
“Për ata që nuk bënë asnjë shkollë në Tiranë, dua t’ju them duroni dhe do të shikoni një mrekulli tek shkolla ‘Sami Frashëri.
Do jetë dy herë më e madhe, dy herë më e fortë, dy herë më jetë gjatë dhe disa herë më e bukur se më parë.”