Zëra të shumtë kanë kohë që flasin për një konflikt të heshtur midis Kryeministrit Rama dhe beniaminit të tij në krye të Bashkisë, i paracaktuar për të qenë “pasardhësi” për kreun e Partisë Socialist. Në të vërtetë, të paktën që prej shkarkimit të ish-ministrit Xhafaj, një mbështetës i hapur i Veliajt, duket se ka diçka që nuk shkon midis të dyve. Shumë njerëz, kanë pritur që Veliaj të mos jetë kandidat për Bashkinë e Tiranës, dhe vetë mosprononcimi i Ramës mbi kandidaturën e tij, deri në kongresin e sajuar së fundmi për konsum mediatik, tregon se ky skenar ka pasur shumë gjasa të ketë qenë i vërtetë. Vetëm pas lënies së mandateve nga opozita, ai shpalli publikisht rikandidimin e Veliajt dhe, pas një distance të gjatë, ata filluan menjëherë të shfaqen së bashku në ekrane, duke i demonstruar publikut marrëdhëniet “e shkëlqyera” që kanë midis njëri-tjetrit.
Natyrisht, gjithçka është hipotetike, pasi në thelb, politika e vërtetë luhet përtej perdes dhe faktet nuk janë kurrë të plota. Për më tepër që faktet publike mund të lexohen, kuptohen renditen dhe analizohen në mënyra të ndryshme. Megjithatë, përtej interpretimeve, një perspektivë sociologjike e mbështetur në teorinë e konfliktit, mund të na ndriçojë më mirë tablonë e situatës politike që fshihet pas ekranit, në off the record.
Sa mund të presë Veliaj?
Në pamje të parë mund të duket se Veliaj nuk ka arsye për të sulmuar Ramën. Rama ka qenë kumbari i tij në çdo hap dhe Veliaj nuk ka përse të sulmojë personin që ia ka shtruar rrugën dhe e ka sjellë deri këtu. Por nuk ndodh kështu në realitet. Është në natyrën e njeriut si qenie politike që të veprojë kundër kësaj logjike. Instikti politik i një pretendenti për fron nuk mund të mos e shtyjë një politikan me ambicie të tilla të papërmbajtshme si Veliaj të synojë eleminimin e mentorit të vet, në kushtet ku ndodhet.
I vetëperceptuar si “pasardhësi”, natyrisht që objektivi i panegociueshëm i Veliajt është diçka që sot e zotëron Rama dhe, nëse iu referohemi studiuesve të filozofisë politike, nuk mund të ketë arsye më të forta për të pasur një konflikt se sa kur dy njerëz luftojnë për të njëjtën gjë. Dikush mund të thotë se Veliajt i mjafton të presë rradhën, dhe në një të ardhme të pacaktuar ai do të jetë doemos kryetar i PS-së dhe më pas kryeministër.
Sigurisht, me durim mund të arrihen shumë gjëra, por a ofrojnë siguri rrethanat aktuale? A do të jetë koha një faktor në favor të tij, kur në realitet, situata politike shpesh ndryshon me orë? Këto janë natyrisht disa prej pyetjeve kryesore që e lenë pa gjumë Kryetarin e Bashkisë dhe, nga mënyra se si duken rrethanat, durimi nuk është një mjet që i ofron garanci.
Partia paralele brenda PS-së
Deri para djegies së mandateve nga opozita, kushtet kanë qenë jo pak të pafavorshme për të. Rama ka akumuluar një pushtet të madh duke sunduar thuajse si një monark. Ai ka arritur të shtjerë në dorë të gjitha pushtetet e pavarura, duke vënë në kontroll të plotë gjyqësorin, mediat, bizneset, shoqërinë civile, si dhe zgjedhjet elektorale. Jo vetëm kaq, por nëpërmjet lobimeve dhe shfrytëzimit të koniukturës ndërkombëtare, ai ka arritur të sigurojë një arbitrazh të favorshëm prej faktorit ndërkombëtar. Praktikisht, Rama ia ka dalë të nxjerrë jashtë funksionimi çdo instrument të demokracisë për të pasur rotacion, ndaj, të jesh i dyti në rradhë, në kushtet kur nuk dihet aspak se kur do të të vijë kjo rradhë, nuk është aspak e favorshme.
Në këto kushte, çdo pasardhës normal, me ambicje reale për t’u ngjitur në krye, do të përpiqej ta përshpejtonte kohën e vet, çka do të thotë që të angazhoeht për të përshpejtuar kohën e largimit të kumbarit të vet. Rritja e rrjetit të influencave që Veliaj ka krijuar brenda PS-së, por edhe jashtë saj, me presidentin Meta dhe aktorë të tjerë, janë një prej angazhimeve normale, që do ta bënte çdo politikan në pozicionin e tij, për të siguruar pozitat e veta. Por kjo, natyrisht që nuk do t’i pëlqejë Ramës. Çdo akumulim pushteti në një dorë tjetër përveç duarve të tij është diçka që, sidomos një lider autoritar si ai, nuk mund ta tolerojë.
Momenti i duhur
Megjithatë, sipas teorisë së konfliktit, kjo situatë nuk mjafton që konflikti të shpërthejë. Palët nuk mund të hyjnë në përballje, aq më tepër në një betejë të hapur dhe publike, kur raporti i forcave është i qartë dhe secili e di se kush fiton. Konflikti fillon të konsumohet në momentin kur situata bëhet e paqartë dhe lideri në pushtet pëson goditje që e dobësojnë. Deri tani pushteti i Ramës ka qenë i padiskutueshëm dhe Veliaj nuk ka pasur asnjë shans për të sulmuar.
Por tashmë situata është ndryshe. Lënia e mandateve nga opozita, kalimi i vendit në një situatë tensioni politik ku, për më tepër, të gjitha partitë kryesore në parlament janë rreshtuar kundër qeverisë, duke e lënë Ramën vetëm, është momenti kyç që lëkund pozitat e Kryeministrit. Sado që ndërkombëtarët e kanë dënuar aktin e opozitës, vendi nuk ka tashmë stabilitet, për hir të të cilit ata kanë sakrifikuar vazhdimisht edhe vetë demokracinë në Shqipëri. Tashmë kemi një problem dhe ky problem është pashmangshmërisht Rama. Ai tashmë është i dobët, për arsye se problemi kërkon një zgjidhje dhe çdo zgjidhje në këto kushte është kundër tij.
Një marrëveshje Rama-Veliaj
Politika është një lojë e tipit zero sum game – çfarë e humbet njëri, e fiton tjetri. Dobësimi i Ramës në një rivalitet brenda partisë do të thotë forcim i Veliajt. Ai tashmë bëhet i pashmangshëm për shkak të nevojës së Kryeministrit për të shtrënguar rradhët e të vetëve. Një konflikt i brendshëm në këto kushte do të ishte fatal.
Rama nuk është më në pozitën e sunduesit, por do t’i duhet të bëjë atë që studiuesit e quajnë “menaxhim i konfliktit”. Kjo do të thotë se atij i duhet të ofrojë koncensione për pushtetin paralel të Veliajt, ndërsa i duhet ta përdorë atë në mbështetje të mbijetesës së vet. Koncensioni në këtë rast i jep Ramës një shans për të luftuar që ta çojë mandatin deri në fund, ndërsa Veliajt i jep një garanci se do të dalë më i fortë nga kjo situatë, duke qenë e qartë se nuk do të ketë më një mandat të tretë për qeverinë.
Kjo do të thotë se viti 2021 është afati i fundit i qeverisjes Rama, kohë kur PS-së do t’i duhet të kalojë në opozitë për t’i hapur rrugën liderit të ri, i cili do të rifillojë ciklin e ndjekur nga paraardhësi i tij. A do të funksionojë dot deri në fund ky skenar? Gjasat janë që Rama të bjerë më herët, pasi tensioni politik pritet të rritet me mosfutjen e opozitës në zgjedhjet vendore.