Arben Malaj emërohet këshillitar i Erjon Veliajt

Arben Malaj emërohet këshillitar i Erjon Veliajt

 

Arben Malaj është emëruar drejtues i Këshillit Ekonomik për Tiranën. Malaj u emërua në krye të këtij forumi me propozimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.  Malaj është një ndër ish-drejtuesit e rëndësishëm të PS-së, ministër gjatë tetë viteve të qeverisë socilaiste, deputet i PS-së dhe anëtar i forumeve të larta drejtuese të kësaj partie. Pas largimit prej dy vitesh nga politika, Malaj ka pranuar ftesën e Veliajt për t’u kthyer në angazhimet publike si teknicien.

Pas përplasjeve të vazhdueshme në zhvillimet brenda PS-së, Edi Rama e përjashtoi Arben Malajn nga lista e kandidatëve për deputet të PS-së në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Malaj doli si kandidat i pavarur në Vlorë në këto zgjedhje dhe e humbi garën. Ai u largua nga PS bashkë me të tjerë ish-drejtues të rëndësishëm të PS-së, të cilët ishin pozicionuar kundër kryetarit Rama. Në vend të tyre në strukturat e Partisë Socialiste zunë vend, Erjon Veliaj dhe të tjerë aktivistë të lëvizjes “Mjaft”. Në këtë kohë, Malaj u largua nga politika dhe iu kthye aktivitetit akadamik.

Pas një shkëputje prej dy vitesh nga angazhimet në politikë, Malaj kthehet me ftesë të Erjon Veliajt. Arben Malaj ishte një ndër kritikët e ashpër të përfshirjes së Erjon Veliajt në PS, për shkak se kur ishte ministër në qeverinë Nano, Veliaj organizoi protestën “Nano Ik” për rrëzimin e qeverisë socialiste. Me sa duket, Malaj ka lënë pas të gjitha konfliktet me Veliajn dhe ka pranuar të nisë nga e para kthimin në politikë me ndihmën e tij, me pretendimin se po angazhohet në ndihmë të qytetarëve të Tiranës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>