“Veliera” — Shoqëria civile dhe përfaqësuesit e shtetit përballen në gjyq

“Veliera” — Shoqëria civile dhe përfaqësuesit e shtetit përballen në gjyq

Sipas portalit Durrëslajm.al, në Gjykatën Administrative ka nisur gjyqi i projektit “Veliera”.

Në seancë kanë qenë të pranishëm përfaqësues të Bashkisë Durrës, të Ministrisë së Turizmit, të Drejtorisë Rajonale të Mjedisit, të kompanisë së ndërtimit “Everest shpk” dhe “Fusha shpk”, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Seanca gjyqësore u zhvilua pa praninë e medias.

Juristja e Ministrisë së Kulturës i kërkoi rrëzimin e padisë së ngritur nga shoqëria civile, duke e konsideruar këtë padi të paligjshme.

Kjo kërkesë është kundërshtuar fort nga përfaqësuesja e shoqërisë civile, avokatja Mirela Jorgo.

Shoqëria civile në padinë e ngritur — e dorëzuar edhe në prokurorinë e rrethit — kërkon anulimin e plotë të projektit të sheshit “Veliera”. Sipas padisë së shoqërisë civile ndërtimi  këtij sheshi është në kundërshtim të plotë me ligjin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Nga gjendja aktuale në shesh, duket se punimet po ecin me ritëm të lartë dhe se projekti nuk ka më asnjë kthim pas, pasi tuneli, në ish- rrugën nacionale ka përfunduar dhe punimet po zhvillohen në pjesën e sipëme të tij, ku pritet të jetë edhe pika më e lartë e sheshit.

Firma ndërtuese po vijon me ngritjen e një strukture prej disa metrash  mbi sipërfaqen e pikës më të ulët. Edhe arkeologët janë larguar pas testimeve të ndryshme që bënë në zonën arkeologjike A, ku u zbuluan edhe disa varre që i përkisnin periudhave të ndryshme .

Gjykata e Apelit ka  vendosur më herët  pezullimin e punimeve në zonën arkeologjike A në pjesën mbi rrugë, aty ku edhe kanë dalë zbulime arkeologjike, ashtu sikurse vendosi edhe Gjykata e Shkallës së Parë, për punimet në sheshin “Veliera”.

Aktualisht punimet në sheshin “Veliera” janë duke vijuar me ritme të shpejta në pjesën para hyrjes së portit detar, dhe në ish- rrugën nacionale që zëvendësohet nga tuneli nëntokësor. Punimet nëntokësore janë mbyllur, dhe po vijojnë me punmet mbi tokë.

Pavarësisht se ky projekt madhor për qytetin e Durrësit ka hasur në shumë kundërshti nga ana e shoqërisë civile, punimet kanë vijuar me intensitet të lartë në pjesën më të madhe të sheshit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>